Më Mirë për Tetovën: Komuna për një vit nuk solli ndryshimet që prisnim

Kryetari i Komunës së Tetovës, nesër mbush zyrtarisht një vit që nga marrja e kësaj detyre Sot mbushet 1 vit nga dita kur Komuna e Tetovës udhëhiqet nga Bilall Kasami. Për këtë, sot kanë reaguar nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT), ata e konsiderojnë se udhëheqësia aktuale e komunës erdhi me premtime ambicioze që do të përmirësojnë kushtet në Komunën e Tetovës, por ata thonë se në të vërtetë situata në Tetovë lë edhe shumë për dëshiruar, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me të njëjtat probleme thelbësore si më parë ndërsa për dallim nga udhëheqësia paraprake, udhëheqësia e tanishme e komunës dallohet me pak më tepër vullnet për të punuar. Kështu vlerësojnë nga MMPT.

Ata vlerësojnë se punët të cilat realizohen janë sipërfaqësore dhe jo thelbësore.

“Aksionet e lirimit të hapësirave publike janë selektive. Punësimet partiake me kontrata për të cilat u kritikua ashpër udhëheqësia paraprake, gjithashtu janë shqetësim për opinionin. Transparenca dhe llogaridhënia ishin parime për të cilat ishte betuar udhëheqësia e re e Komunës së Tetovës, por ata dështojnë në mbajtjen e këtij premtimi. Gazetarët të cilët parashtrojnë pyetje në lidhje me borxhin e Komunës, nuk marrin përgjigje për këtë”, thonë nga MMPT.

Sipas tyre, problemet e Tetovës vazhdojnë të jenë si më parë, aty ku i la ish-Kryetarja, edhe atë:

  • “Premtimi se do të lirohen hapësirat publike të gjelbra përgjatë rrugës Boris Kidriç që u shkatërruan dhe ju vodhën qytetit, nuk po i kthehen.
  • Hapësira e Qendrës Sportive vazhdon të mbetet e lënë pasdore me ferra. Tetovës përditë i zvogëlohen hapësirat publike për parqe ku qytetarët do mund të kalojnë kohë me fëmijët dhe familjet e tyre.
  • Qyteti vazhdon të mbetet pa shteg biçikletash me çka rrezikohet siguria e qytetarëve që përdorin biçikleta, dhe demotivohen për ta përdorur të tjerët si mjet që ndikon në uljen e ndotjes dhe kaosit në trafik.
  • Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin rrezik serioz për qytetarët.
  • Arsimi vazhdon të jetë i partizuar. Punësimet në arsim dhe në komunë shfrytëzohen për të rehatuar kuadrot e partisë.
  • Kaosi në trafik dhe mungesa e parkingjeve janë aktuale.
  • Ndërtimet pa leje nuk janë ndaluar”

Ata theksojnë se në vend të angazhimit për krijimin e kushteve për kthimin e rinisë në vendlindje, udheheqësia aktuale preferon të vizitojë rininë në mërgim.

“Keta vizita nuk është e qartë nëse realizohen në cilësi të udhëheqësisë partiake, apo të udhëheqësisë komunale. Me këtë shkelet një nga vërejtjet kryesore të Komisionit Evropian, për mosndarje të qartë mes partisë dhe pushtetit. Deri më tani klientelizmi dhe populizmi janë tiparet dalluese të kësaj udhëheqësie komunale”, thonë nga MMPT.

Ata nënvizuan se nga puna njëvjeçare e udhëheqësisë së re në Tetovë nuk ka ndodhur ndryshimi i shumëpritur, por vetëm një zëvendësim sipërfaqësor.

“E ftojmë kryesinë e Komunës që të mos i ik përgjegjësisë dhe të jep llogari për moszgjidhjen e problemeve kyçe të qytetit, dhe të angazhohen për zgjidhjen e të njëjtave”, përfunduan nga MMPT.

Kujtojmë që nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” kishte dy këshilltarë në Këshillin e Komunës së Tetovës, por pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këshillin komunal në gusht, ata nuk siguruan vota mjaftueshëm për tu futur përsëri në këshill.

Ndryshe, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Bilall Kasami mori 21,591 vota, apo mbi pesë mijë vota më shumë se kundër-kandidatja e tij, Teuta Arifi e cila mori 16,542 vota. Përndryshe, programin zgjedhor me të cilin Kasami fitoi zgjedhjet për udhëheqjen me Tetovën për periudhën 2021-2025 e gjeni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button