Von der Leyen nga Berlini: Jemi këtu për të thelluar integrimin tonë ekonomik

Jemi këtu për të thelluar integrimin tonë ekonomik, duke filluar nga energjia, ka shkruar sot në Twitter kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, në të cilin merr pjesë edhe ajo, transmeton Portalb.mk.

Në postimin në Twitter, von der Leyen ka postuar një foto të përbashkët me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pjesëmarrësit e tjerë të Samitit dhe ka shkruar se i vjen mirë që ka parë partnerët e saj nga vendet e Ballkanit në Berlin, një javë pas vizitës së saj në rajon.

“Është mirë që i pashë të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor në Berlin, një javë pas vizitës sime në rajon. Jemi këtu për të thelluar integrimin tonë ekonomik, duke filluar nga energjia. Pakoja jonë e mbështetjes energjetike prej 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë të formojmë të ardhmen tonë të përbashkët energjetike”, shkruan Von der Leyen në Twitter.

Sot në Berlin po mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të rangut të lartë të qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Në Samit merr pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili kryeson delegacionin qeveritar të përbërë nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Në fillim të Samitit, të organizuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ai theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e një Evrope të lirë dhe demokratike dhe se është puna e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe e rajonit për të kthyer premtimine të ardhmes evropiane në realitet. Kancelari gjerman tha se takimi i sotëm është një mundësi për të diskutuar mbi sfidat e shumta me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.

Ai shprehu besimin se procesi i Berlinit jo vetëm që mund të çlirojë potencialin e rajonit, por edhe të përshpejtojë rrugën e tij drejt BE-së.

Procesi i Berlinit është një format i takimeve vjetore të iniciuara nga qeveria gjermane nën Kancelaren Angela Merkel në vitin 2014, kur u mbajt Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i rajonit në BE. Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte baza e zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button