Kurti pritet ta shpalosë qëndrimin e Kosovës rreth propozimit franko-gjerman

Propozimi franko-gjerman në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi pritet të trajtohet në kuadër të Samitit të Berlinit. Zyrtarë të Qeverisë kanë konfirmuar se kryeministri Albin Kurti do t’ia prezantojë kancelarit gjerman, Olaf Scholz, qëndrimin e palës kosovare rreth planit, i cili prej javësh i është dorëzuar Qeverisë, por që nuk është zbardhur për opinionin, raporton Koha.net.

Qëndrimin e palës kosovare rreth planit franko-gjerman kryeministri Albin Kurti pritet ta shpalosë para kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në margjinat e Samitit të Berlinit.

Të enjten kryeministri do të jetë në Berlin, ku planifikohet edhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar se cila do të jetë përgjigjja e Qeverisë për planin. Por, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se shefi i tij do t’ia prezantojë kancelarit qëndrimin e palës kosovare.

“Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël, që ata thonë se është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi.

Ndërkohë “Deutche Welle” ka raportuar të mërkurën se në Samit pritet që Kosova dhe Serbia të marrin mesazhe të qarta nga kancelari gjerman, Olaf Scholz. Një zyrtar i lartë i këtij shteti ka thënë se Gjermania dhe Franca aktualisht po bëjnë presion diplomatik që të dyja vendet të pajtohen me propozimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

Në samit Qeveria pret të nënshkruhen tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, e për të cilat është arritur pajtimi më 21 tetor. Para palëve janë marrëveshja për lirinë e lëvizjes me karta të identifikimit; marrëveshja për njohjen e institucioneve të arsimit të lartë; si dhe ajo për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Qeveria nuk ka treguar nëse janë tejkaluar mospajtimet me Serbinë rreth terminologjisë së përdorur në dokumente e shkaku i të cilave ka mbetur peng finalizimi i tyre deri tash.

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë se Kosova do të përfitonte nga Procesi i Berlinit, por varet se cila do të jetë dinamika e tij.

“Konsiderojmë se tash edhe pas iniciativës së ‘Ballkanit të Hapur’ dhe ardhjes së kancelarit të ri ka gatishmëri për të çuar përpara këtë proces. Po ashtu ka gatishmëri edhe për një investim më të madh në Procesin e Berlinit. Besoj se takimi i 3 nëntorit do të jetë pasqyrë e mirë për të parë se sa do të dinamizohet ky proces. Marrëveshja me Bosnjën, që u arrit për lëvizjen e lirë të qytetarëve, tregoi se ky proces ka një lloj incentive dhe dëshiron të jetë në funksion. Do të jetë interesante të shohim edhe se si do të rregullohet Tregu i Përbashkët Rajonal. A do të ketë ndonjë sistem të ri, projekt të ri, apo ndonjë lloj metode të re se si do të funksionojë ky treg”, ka thënë Fetahu.

Mësymja e Serbisë që Kosova të mos jetë e barabartë në nismat rajonale kishte bërë që të dështojnë katër marrëveshje që synoheshin të firmoseshin në fillim të muajit korrik. Komentet e Serbisë, nëpërmjet të cilave kërkohej edhe përfshirja e marrëveshjeve të Brukselit si referencë, ishin refuzuar nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button