Një vit pas zgjedhjeve, këshilltarëve të Komunës Qendër dhe Çair u parashtruam pyetje për tema me interes për qytetarët

tetor të vitit të kaluar në vendin tonë u mbajtën zgjedhjet lokale në të cilat 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit u bënë me kryetarë dhe këshilla të rinj. Pas 12 muajsh funksionimi të udhëheqësive të reja të pushtetit lokal, Meta.mk dhe Portalb.mk vendosën t’u shkruajnë këshilltarëve në dy komuna të vendit dhe t’i pyesin për tema që janë me rëndësi të madhe për qytetarët.

Për të kontaktuar me këshilltarët në Komunën Qendër dhe Komunën Çair të dy mediat e përdorën platformën online shkruaju, e cila u zhvillua përmes projektit për pjesëmarrje qytetare të USAID nga Fondacioni Metamorfozis, e që ka për qëllim të përmirësojë interaksionin dhe këmbimin e informacioneve mes qytetarëve dhe këshilltarëve të zgjedhur të komunës. Qëllimi është që përmes shkruaju të mundësohet një komunikim më i lehtë dhe më efikas mes qytetarëve dhe këshilltarëve të zgjedhur të komunës.

Qytetarët, në vend që të kërkojnë adresat elektronike të secilit këshilltar të veçanti nëpër ueb-faqet e komunave, në platformën online shkruaju mund t’i gjejnë adresat elektronike të të gjithë këshilltarëve që janë zgjedhur në 80 komunat në vend, si edhe të atyre të Këshillit të Qytetit të Shkupit.

“Platforma Shkruaju është e thjeshtë për përdorim dhe në të janë vendosur forma të komunikimit përmes të cilave qytetarët do mund të shohin se cilët janë këshilltarët komunal në komunën e tyre, çfarë kompetencash kanë, dhe nëse duan t’i kontaktojnë këtë gjë mund ta bëjnë përmes platformës së njëjtë“, thotë për Meta.mk Marijana Jançevska nga Fondacioni Metamorfozis.

Meta.mk dhe Portalb.mk përmes platformës online shkruaju në 25 tetor të këtij viti dërguan pyetje deri tek të gjithë këshilltarët e përzgjedhur në këshillat aktuale në komunat e Shkupit Qendër dhe Çair. Këshilltarëve të Komunës Qendër ju parashtruam pyetje lidhur me menaxhimin e parkingjeve nga ana e ndërmarrjes publike “Parkingjet e Komunës Qendër“, ndërsa këshilltarët në Çair i pyetëm për transparencën dhe shkallën e hapjes ndaj qytetarëve gjatë punës së tyre.

23 këshilltarëve në Komunën Qendër ua parashtruam këto pytje për të cilat presim përgjigje:

  1. Nga data 1 tetor filloi të funksionojë ndarja e re zonale e parkingjeve publike të NP Parkingjet e Komunës Qendër, që shkaktoi edhe ndryshime tek një pjesë e çmimeve dhe tarifave të shërbimeve të ndërmarrjes, për të cilat NP PKQ u thirr në vendimet e këshilltarëve të Komunës Qendër në seancën e 13 të mbajtur më 30 gusht të vitit 2022. Pse ishte e nevojshme të bëhej një ndarje e re zonale e parkingjeve publike të NP PKQ?
  2. Bashkë me ndryshimin e ndarjes zonale të parkingjeve të NP PKQ në disa nga parkingjet pati edhe rritje të çmimeve të parkingut për 10 denarë për orë. Cilat janë arsyet që ju si këshilltarë vendosët ta mbështesni/refuzoni këtë rritje të çmimeve?
  3. Nga 1 tetori u rrit edhe gjoba e shërbimit të karrotrecit të NP PKQ dhe atë nga 2.500 në 3.500 denarë, e që gjithashtu është bërë në bazë të vendimeve të marra në seancën e 13 të Këshillit të Komunës Qendër. Cilat janë arsyet që ju si këshilltarë vendosët ta mbështesni/refuzoni këtë rritje të çmimeve?
  4. Vitet e fundit çmimi i parkimit në parkingjet e menaxhuara nga NP PKQ në Komunën Qendër është rritur disa herë dhe u njoftua se kjo do ndikojë në rritjen e përdorimit të transportit publik dhe uljen e ndotjes së ajrit. Si këshilltarë aktualë në Komunën Qendër, a mendoni se janë arritur këto rezultate si pasojë e rritjes së çmimit? A prisni që rritja e çmimit të parkimit të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit?
  5. Duke pasur parasysh se tashmë ekzistojnë dallime në çmimet për parkim në parkingjet e NP PKQ kundrejt atyre të NP Parkingu i Qytetit në lokacione pothuajse identike në Komunën Qendër, çfarë reperkusionesh mendoni se do të ketë rritja e çmimeve të parkimit ndaj një pjese të parkingjeve të NP PKQ?

Në të njëjtën kohë 27 këshilltarëve të Këshillit të Komunës Çair përmes platformës online shkruaju ua parashtruam pyetjet në vazhdim:

  1. A e keni ngritur çështjen e transmetimit live online të seancave të Këshillit në një seancë të Këshillit të Komunës Çair?
  2. A ka një orar të caktuar për seancat e Këshillit të Komunës dhe ku mund ta gjejnë qytetarët këtë informacion?
  3. Si këshilltar a përdorni telefon zyrtar, e nëse po, atëherë cili është numri juaj?

Përndryshe platforma online shkruaju është krijuar si pjesë e angazhimeve të Fondacionit Metamorfozis për të promovuar konceptin e një qyteti të hapur.

“Qyteti i hapur arrihet duke krijuar një kulturë të hapjes në këshillat komunalë; përmes inkurajimit të qeverisjes së hapur në qytete; nxitjes së përdorimit të teknologjisë për punë më transparente dhe më pjesëmarrëse të autoriteteve të qytetit; si dhe duke mundësuar akses më të mirë të qytetarëve në informacionet e qytetit. Në këtë drejtim është e rëndësishme që qytetarët jo vetëm të kenë qasje në të dhëna të hapura, por edhe ta kuptojnë se si këto të dhëna lidhen me nevojat dhe problemet e tyre”, thotë Marijana Jançevska nga Fondacioni Metamorfozis.

Krahas asaj që u shkruan këshilltarëve në dy komunat e Shkupit, për të gjithë qytetarët e interesuar që kanë pyetje për këshilltarët, Meta.mk dhe Portalb.mk përgatitën edhe një udhëzues të shkurtër për përdorimin e mjetit shkruaju. Parashtrimi i pyetjeve për këshilltarët në komuna është i thjeshtë dhe mund të bëhet në disa hapa të shpejtë.

Sapo ta hapni platformën online shkruaju, vend qendror zë opsioni për t’ju shkruar këshilltarëve.

Në fushën –zgjidh komunën- duhet të shkruhet emri i komunës me ndonjërin nga këshilltarët e të cilës dëshironi të kontaktoni.

Pasi ta keni shkruar emrin e komunës, automatikisht hapet lista e të gjithë këshilltarëve në komunën në fjalë. Shënimi i emrit dhe mbiemrit të këshilltarit, si dhe partia të cilës ai i përket është i detyrueshëm, pastaj vjen fusha “shkruaj mesazh“ si një mundësi për kontakt të drejtpërdrejtë me këshilltarët.

Duke klikuar në fushën „shkruaj mesazh“, kalohet drejtpërdrejtë në hapin e ardhshëm për dërgimin e mesazhit.

Këtu keni mundësinë t’i lexoni udhëzimet drejtuar qytetarëve për kompozimin e mesazhit, me ç’rast është e detyrueshme të zgjidhet një nga sektorët (çështje ekonomike, arsimi, mbrojtja sociale, kujdesi shëndetësor, kultura, aktivitetet komunale, mbrojtja e mjedisit jetësor, puna e kryetarit të komunës, puna e këshillit) për të cilin dëshironi të parashtroni pyetje dhe ta shkruani titullin e temës për të cilën do e kontaktonit këshilltarin.

Pas shkrimit të pyetjeve që keni për këshilltarin e caktuar, është e detyrueshme që në mesazh t’i shkruani edhe të dhënat tuaja personale (emrin dhe mbiemrin, adresën elektronike dhe numrin e telefonit) dhe adresën tuaj (rrugën, qytetin dhe komunën).

Pasi ta keni shkruar të gjithë mesazhin drejtuar këshilltarit, duhet të klikoni në fushën “shiko mesazhin“ që ndodhet në fund të ekranit, që ju mundëson që ta lexoni edhe një herë të gjithë mesazhin me të dhënat tuaja personale përpara se t’ia dërgoni atë këshilltarit.

Nëse dëshironi të korrigjoni një pjesë të përmbajtjes, atëherë në anën e majtë të pjesës së poshtme të ekranit mund ta zgjidhni fushën “redakto mesazhin“.

Nëse nuk keni nevojë të bëni korrigjim, mjafton që të klikoni në fushën “dërgo“ që ndodhet në të djathtë, pas çka në ekran do shfaqet mesazhi „Faleminderit për mesazhin tuaj!“ që dëshmon se mesazhi juaj i është dërguar këshilltarit.

Nga përvoja jonë, nëse paraprakisht i keni përgatitur pyetjet që doni t’i parashtroni, komunikimi përmes platformës online shkruaju nuk merr më shumë se 10 minuta kohë nga qasja fillestare në faqe e deri në dërgimin e vetë mesazhit. Në vetëm katër hapa të thjeshtë ju mund të kontaktoni me këshilltarët e të gjithë këshillave komunalë në vend, ndërkohë që opsioni për parashtrimin e pyetjeve drejtuar këshilltarëve është në dispozicion edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe.

Meta.mk dhe Portalb.mk janë në pritje të përgjigjeve nga këshilltarët në komunat Qendër dhe Çair për pyetjet e parashtruara që janë me interes për qytetarët. Platformën online shkruaju mund ta përdorin edhe ata qytetarë të cilët nuk kanë pyetje për këshilltarët, por që janë të interesuar që të zbulojnë se si funksionojnë këshillat komunalë, gjegjësisht se si themelohet këshilli, cilat janë kompetencat e këshillit, si thirret seancë e këshillit komunal, çfarë janë komisionet në këshillat komunalë dhe si lëshohet këshilli komunal. Për përdorim më të lehtë të platformës online, në shkruaju mund të lexohen edhe pyetjet e parashtruara më shpesh për mënyrën e përdorimit të këtij mjeti i cili e lehtëson komunikimin mes qytetarëve dhe këshilltarëve komunal.

Në platformën online shkruaju ka edhe të dhëna statistikore për atë se sa mesazhe kanë pranuar të gjithë këshilltarët në vend nga qytetarët dhe sa përqind të mesazheve të dërguara kanë marrë përgjigje. Këto të dhëna statistikore janë të përgatitura për secilën komunë në veçanti, si dhe për çdo lloj të pyetjeve të parashtruara, me çka pas katër vitesh qeverisjeje të këshilltarëve qytetarët do mund të kenë shifra konkrete për atë se si është cilësia e komunikimi të këshilltarëve komunalë me qytetarët në vendin tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button