Qyteti i Shkupit mund t’ua “shkurtojë mjetet” transportuesve privat, autobusët 19, 20, 22, 52 dhe 54 edhe sot në garazhe

Derisa transportuesi privat i autobusëve të transportit publik të Shkupit, “Makekspres” edhe sot nuk i ka lëshuar në qarkullim linjat 19, 20, 22, 52 dhe 54, pasi që siç thonë, nuk kanë marrë para nga Qyteti i Shkupit, nga zyra e Danella Arsovskës për Portalb.mk akuzojnë se “te një grup transportuesish privat” janë regjistruar një sërë parregullsish dhe për këtë mund të ketë ndryshimi të kompensimit financiar për shërbimet e tyre, njofton Portalb.mk.

“Kjo nuk është grevë, por i kanë harxhuar të gjitha mjetet. Nuk kanë mjete për të blerë karburant, kanë të punësuar që nuk ua kanë dhënë pagat dhe nuk ua kanë paguar kontributet, për të mos folur për buxhetin shtëpiak. Deri tani nuk kemi asnjë përgjigje nga Qyteti i Shkupit që të na thirrin t’ua tregojmë hallet që të gjendet zgjidhje. Gjithsej na kanë borxh rreth 30 milionë denarë apo rreth 500 mijë euro. Domethënë nuk na janë lëshuar avanset për gusht, shtator dhe tetor”, kështu thanë për Portalb.mk nga “Makekspres”, duke shtuar se derisa nuk lëshohen mjetet nuk do të qarkullojnë autobusët e tyre.

Nga Qyteti i Shkupit pyetjeve tona iu përgjigjën me “copy-paste” nga disa pjesë të intervistës që dje nënkryetari i Qytetit të Shkupit, Aleksandar Trajanovski e ka dhënë për mediumin “Lokalno“.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se se për dallim nga autobusët e qytetit, “një grup i transportuesve privatë” ka regjistruar një sërë parregullsish në punën e tyre, si dhe mospërmbushje të shërbimeve për të cilat paguhen nga NQP.

“Nga kushtet substandarde të autobusëve, mosfunksionimi i tyre teknik, sabotimi i sistemit të monitorimit të lëvizjes së autobusëve të tyre, deri te mosfunksionimi i pajisjeve fiskale dhe mosrespektimi i orarit të përcaktuar. E gjithë kjo na jep të drejtën të vëmë në dyshim justifikimin e shumës që ky grup transportuesish private kërkon si kompensim për shërbimet e tyre. NTP-ja dhe Qyteti i Shkupit disa herë i kanë vënë në dukje këto lëshime dhe mangësi, madje është dhënë afat që të përmirësohet cilësia e autobusëve dhe korrektësia e tyre teknike”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit për Portalb.mk.

Ata premtojnë se qytetarët do të kenë shërbim të rregullt pasi këto linja janë në shërbim të autobusëve të NQP-së.

Nga NQP Shkup deklarojnë se ata kanë borxh prej gati 20 milionë denarë ndaj “Makekspres” dhe siç thonë ky borxh është “tërhequr” nga udhëheqësia e kaluar.

“Në ndërkohë NQP i paguan detyrimet e saja dhe nuk do të lejojë që qytetarët e Shkupit të qëndrojnë pa transport në linjat të cilat i ofron “Makekspres”. Në të kundërtën, NQP Shkup do t’i kyç autobusët e vet në linjat e që i kanë kompanitë provate”, thonë nga NQP Shkup.

Por, qytetarët për të tretën ditë, ashtu sikur shumë herë paraprakisht, po përballen me situatë kaosi. Tërë Komuna e Shuto Orizares ka mbetur me numër të reduktuar të autobusëve për 3 ditë, ashtu sikur edhe një pjesë e komunës së Çairit.

Në ndërkohë pronari i “Makekspres” Milorad Dimitrijevski për MIA, sot ka deklaruar se pritet takim me përfaqësuesit e NQP-së dhe Qytetit të Shkupit.

Qyteti ka një borxh edhe ndaj kompanisë së dytë private të transportit “Sloboda prevoz” prej rreth 700 mijë eurosh, por qarkullojnë sot pasi u është premtuar se do të paguhen deri të premten.

Shkupi më 20 tetor mbeti pa transport publik për herë të parë në historinë e tij, autobusët e NTP “Shkupi” nuk qarkulluan nëpër rrugë për shkak të rrogave të papaguara të punëtorëve. Qyteti i Shkupit në një seancë të jashtëzakonshme ridestinoi 2 milionë euro nga projektet tjera të parapara në buxhet për subvencione për Shërbimin Shëndetësor Publik, në mënyrë që të bëhet ndarja e pagave. Por ato para nuk mjaftojnë për të paguar transportuesit privatë, ndaj akoma ka borxh ndaj tyre rreth 1.2 milionë euro.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat qarkullojnë në kuadër të NTP-së. Sipas vendimit të atëhershëm të Këshillit të Qytetit të Shkupit, atyre u paguhet 61 denarë për 1 kilometër të kaluar.

Në maj të këtij viti, Portalb.mk alarmoi se për shkak të mospagesës së mjeteve financiare nga Qyteti i Shkupit, shoferët e linjës 19-të dhe 20 pa paralajmëruar kanë ndërprerë qarkullimin e linjës. Me këtë u krijua kaos pasi që tërë Komuna e Shuto Orizares mbeti pa transport publik dhe një pjesë e Komunës së Çairit.

Pas shkrimeve të Portalb.mk, përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit u takuan mepërfaqësuesit e kompanisë private “MAKEKSPRES” dhe deklaruan që janë marrë vesh që Qyteti t’ua paguajë 60% të borxhit dhe me këtë do të normalizohet linja.

Autobusë falas për të gjithë qytetarët” – ishte kyeprojekti i Arsovskës, të cilin e premtoi gjatë fushatës zgjedhore, por një vjet pasi i ftoi zgjedhjet, sot qytetarët të cilët udhëtojnë me linjat 19, 20, 22, 52 dhe 54 nuk kanë mundësi të udhëtojnë, as me para.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button