RMV, Organizata e konsumatorëve pranon nga katër ankesa në ditë për mashtrim gjatë shitjeve online

“Më kanë dërguar një orë që në fakt kushton 100 denarë dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje me atë në foto që po e reklamojnë. Më bllokuan menjëherë pas dërgesës. Fshijnë komentet dhe bllokojnë njerëzit. Kini kujdes.” Ky është vetëm një nga postimet e publikuara në një grup në Facebook dedikuar ekspozimit të mashtrimeve të bëra gjatë blerjes së produkteve të ofruara në rrjetet sociale. Qytetarët në pamundësi për të reaguar ndryshe, në këtë mënyrë, përmes grupeve, tregojnë se kur kanë blerë diçka nga disa profile të veçanta të përdoruesve dhe nuk janë të kënaqur me cilësinë e produktit të dorëzuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sa shpesh dhe çfarë raportesh marrin përgjegjësit e Organizatës së konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) nga qytetarët dhe a ka ndonjë mënyrë për të reduktuar mashtrimet? Për këtë Meta.mk bisedoi me Tatjana Tasevskën, e cila prej vitesh punon në këtë organizatë.

“Njerëzit nuk e kanë problem kur bëjnë pazar në ndonjë dyqan që është i regjistruar dhe ekziston fizikisht. Në një rast të tillë, ata paguajnë me kartë në mënyrë të ligjshme, marrin faturë për mallin e blerë. Por ka problem me shitjet në Facebook dhe shpërndarjen e Instagramit dhe gjithçka që shkon në rrjetet sociale, ku në shumicën e rasteve pas atyre profileve qëndron një person fizik, jo një person juridik”, thotë Tasevska për Meta.mk.

Ajo bën të ditur se çdo ditë pranojnë së paku katër ankesa nga qytetarët të cilët e kontaktojnë OKM-në përmes postës elektronike ose në faqen e tyre në Facebook.

“Kur të bleni produkt përmes rjeteve sociale që nuk iu pëlqen, pra nëse ka ngjyrë të papërshtatshme, numër, ose cilësia është e diskutueshme, ose nëse mungojnë disa pjesë (kur bëhet fjalë për produkte teknike), atëherë ka një problem. Dhe kur i kërkon të korrigjojnë gabimet, zakonisht të bllokojnë dhe nuk ke kontakte të tjera me atë person. Prandaj qytetarët duhet të edukohen se duhet të bëjnë pazar në shitore legale”, thotë Tasevska.

Më e sigurta, sipas saj, është të blesh në një dyqan që është i regjistruar, ka adresë dhe ekziston fizikisht. Në një rast të tillë është e ligjshme pagesa me kartë, jepet faturë fiskale.

“Për sa i përket shitjeve në Facebook dhe Instagram, zakonisht kemi reagime për veshjet dhe këpucët, por edhe për produktet teknike, si p.sh., kositës bari, blendera apo pajisjet tjera shtëpiake”, informon Tasevska.

OKM mund të ndihmojë vetëm me edukim sepse nuk ka mekanizma të tjerë mbrojtës. Qytetarët e pakënaqur edhe nëse i drejtohen shërbimeve inspektuese do t’u kërkojnë dokumente sepse në Ligjin për konsumatorët thuhet se mund të reagohet, por vetëm me llogari fiskale.

“Për veshjet e blera online nuk mund të bëhet asgjë sepse nuk ke adresën e kompanisë, nuk ke fiskale, nuk ke kontakt tjetër. Ju keni vetëm konfirmim nga posta që ju ka dorëzuar produktin dhe kjo nuk mjafton. Nëse nuk të japin fiskale, mos blej”, thekson Tasevska.

Sipas dispozitave të Ligjit për konsumatorin, kur bëhet fjalë për shitjet fizike, tregtari është i detyruar t’i ofrojë konsumatorit me ndërgjegje dhe ndershmëri informacione të sakta dhe të dobishme në lidhje me cilësinë, karakteristikat e produktit ose shërbimit dhe në lidhje me kushtet e shitjes si dhe të gjitha informacionet e tjera të kërkuara nga konsumatori që përmbahen në deklaratën e produktit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button