SHQIPTARI DHE FRËNGU

Më 29 korrik të vitit 1896 udhëtari anglez u nis nga Prizreni drejt Tetovës. Derisa udhëtonte nëpër rrugën e vështirë të Sharrit ai pa shqiptarë të lodhur që, hipur mbi mushka, po ktheheshin në shtëpi pas mbylljes së pazarit në Tetovë. Ata mezi e ngritën kokën për ta parë “frëngun” (kështu i quanin europianët). Një plak nuk duroi pa i folur në gjuhën shqipe: “Për çfarë keni ardhur në Shqipëri, o frëng? Ta shihni vendin tonë, ë? Ah! Është vend i shkretë, që nuk ia vlen ta vizitoni!”

Por, “frëngu” ishte mahnitur nga bukuria e Sharrit; ngapiramida e madhe Luboteni”; nga lugina e gjerë, e gjelbër, e bereqetshme; nga shtëpitë me çati të bukura; nga minaret apo Kulla e Sahatit edhe pse njerëzit i qenë dukur të papërmbajtur.

Udhëtari quhet Henry Fanshawe Tozer (1829 – 1916). Është shkrimtar, udhëpërshkrues, gjeograf dhe përkthyes i Komedisë Hyjnore në gjuhën angleze. Mbresat e udhëtimit i gjejmë në vëllimin e parë të librit Kërkime në malësitë e Turqisë (Henry Fanshawe Tozer, Researches of Turkey I, Londër, 1869, f.354).

Në shekullin XIX këto vise vizitoheshin rrallë nga udhëtarët europianë. I gjithë Ballkani ishte një tokë e panjohur. Autorët e huaj shkruanin për këto vise sipas një skeme të paracaktuar. Nuk harronin t’i përmendnin rrugët dhe hanet. Sipas skemës, rrugët duhej të përshkruheshin si të ndotura, ndërkaq hanet si të pista – si një element që e dallonte Lindjen nga Europa. Duhej shkruar edhe për ndonjë të papritur, sepse rrëfimet me tensione dhe rreziqe pëlqeheshin nga lexuesi europian. Tozeri thotë se hanxhiu i kishte bërë hile në pagesë, prandaj i qe ankuar guvernatorit të Tetovës. Ankesa iu miratua, por kërkoi që hanxhiu mos dënohej, pasi e dinte se dënimet ishin të ashpra.

Shumë autorë e përshkruajnë Tetovën si vend me hapësira të gjelbëruara, me ujë dhe ajër të pastër, me molla e fasule cilësore. Tani shumëçka duket ndryshe. Ka gjithnjë e më shumë njerëz në Tetovë dhe qytete tjera që mendojnë si plaku që i foli “frëngut”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button