Një miliarder hoqi dorë nga shtetësia ruse për shkak të luftës në Ukrainë

Miliarderi rus, Oleg Tinkov, ka hequr dorë prej shtetësisë ruse, për shkak të luftës së nisur nga Moska në Ukrainë.

Ai, po ashtu, ka dënuar “fashizmin e Putinit”, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin, transmeton REL.

Tinkov e ka themeluar bankën online, Tinkoff, një prej ofrueseve më të mëdha të kredive.

Aktualisht kjo bankë ka mbi 20 milionë konsumatorë.

Përmes një postimi në Instagram, ai ka thënë se “nuk mund të jem i lidhur me një shtet fashist që ka nisur luftë kundër fqinjit paqësor”.

Edhe disa manjatë tjerë rusë kanë kritikuar publikisht luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e turpshme për mua që të vazhdoj të mbaj këtë pasaportë”, ka thënë miliarderi.

Ai besohet se aktualisht jeton në Londër, mirëpo është subjekt i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar, sikurse shumë anëtarë të elitës biznesore ruse.

“Shpresoj që më shumë biznesmenë do të jenë pas meje, në mënyrë që të dobësojnë regjimin e Putinit dhe ekonominë e tij, dhe që në fund ai të humbë”, ka thënë Tinkov.

Ai ka vazhduar duke thënë se e urren Rusinë e Putinit, mirëpo i do të gjithë rusët që janë kundër luftës.

Sanksionet perëndimore ndaj tij, dhe figurave tjera biznesore të Rusisë – të njohur si oligarkë – përfshijnë ndalesa në udhëtime, ngrirje të aseteve dhe konfiskim të aeroplanëve dhe jahteve.

Fuqia politike dhe ushtarake e Putinit varet shumë nga mbështetja e miliarderëve, të cilët janë pasuruar përmes lidhjeve me Kremlinin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button