Bullizmi si fenomen shqetësues në shkollë

Çfarë është fenomeni Bullizëm ose Bullying

‘’Askush nuk mund t’u bëjë të ndjeheni inferior, nëse ju nuk e lejoni. Gjithmonë kujtoheni se jo vetëm që keni të drejtë të jeni një individ, por e keni për detyrë të jeni i tillë’’ Eleonorë Ruzvelt- (Eleanor Roosevelt)

Faik Ademi
Faik Ademi

Me këtë thënie po e nis pasi që askush nuk ka të drejtë ta bëje tjetrin të ndjehet inferior, i parëndësishëm apo t`i lëndojë ndjenjat e të tjerëve. Më se e vërtetë është se nëse ne nuk e lejojmë, nuk mund të ndodhë kjo, por ka individ tek të cilët vetëbesimi dhe vetëvlerësimi është akoma i dobët prandaj edhe bien pre e bullizmit.

Bullizmi, viktimizimi është një formë e sjelljes agresive në të cilën dikush qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur shkakton lëndime të një personi ose shqetësim. Duke iu referuar studiuesve të shumtë bullizmi është një nënkategori e sjelljes agresive, e cila shfaqet në mes fëmijëve, kryesisht në mjedisin e shkollës. Profesionistët bullizmin e përkufizojnë si një sjellje antisociale dhe shfaqet kur një individ ose një grup i caktuar individësh kërkon përmes fuqisë, forcës apo pushtetit  të tyre, si dhe për një kohë të caktuar e për një qëllim të paramenduar, të dhunojë në mënyrë të përsëritur fizikisht, verbalisht, psikologjikisht dhe emocionalisht individ të tjerë…

Fenomeni i bullizmit nuk është një dukuri e re që shfaqet midis fëmijëve. Para viteve të 70-ta të shekullit XX janë kryer disa studime periodike, por pas këtyre viteve bullizmi u bë objekt i studimeve  sistematike.

Shtetet të cilat kanë standardin e lartë të jetesës, me natyrën paqësore dhe me shqetësimin për lirinë dhe të drejtat e njeriut, kanë bërë çmos që të përpilojnë programe kundër viktimizimit, ndërsa në vendin tonë, në shkollat tona këto të drejta janë disi të cunguara dhe viktimizimit nuk i jepet ndonjë rëndësi e madhe, thjeshtë tentojnë ta qetësojnë situatën në atë moment dhe nuk merren më me të. Me shumë të drejtë mund të thuhet se në një numër të vogël të shkollave i kushtohet pak më shumë rëndësi bulizmit, ndërsa në pjesën dërmuese të shkollave nuk i kushtohejnë rëndësi, mos të them fare kësaj dukurie.

Viktimizimi është një dukuri e vjetër dhe përherë në rritje në mësonjëtore dhe jashtë saj, si dhe një nga shqetësimet më serioze, Veçanërisht paraqitet në mesin e fëmijëve të moshës shkollore(fillore dhe të mesme) është një problem i madh publik. Pra , viktimizimi është një dukuri që përbën një shqetësim të madh, pa marrë parasysh vendin ku ai mund të jetë i pranishëm, pasi që ndikon negativisht në shëndetin e individit ku shpeshherë viktima mund ta lëndoj veten.  Një person përfshihet në bullizëm ku ekspozohet vazhdimisht dhe për një periudhë kohe ndaj veprimeve negative, nga një apo më shumë personave. Bullizmi është një dhunë e zgjatur, fizike apo psikologjike, nga një person apo grup personash, e drejtuar ndaj një personi i cili nuk mund të mbrohet në ata situatë. Është ajo situatë ku një person përdor forcën në mënyrë të qëllimshme, me synimin për të lënduar dhe për të vendosur tjetrin në stres.

Viktimizimi apo bullizmi ndryshon nga konfliktet e zakonshme, sepse ka disa kushte të veçanta në të cilat shfaqet:

  1. Së pari, duhet të ketë mosbalancim forcë fizike ose pushteti midis viktimës dhe nxënësit apo nxënë[sve që e sulmojnë, që në literaturën profesionale quhen stres.
  2. Së dyti, duhet të jetë një sjellje që zgjatë për një periudhë kohe të caktuar dhe që nuk është rastësore dhe
  3. Së treti, agresori duhet të ketë si qëllim të paramenduar dëmtimin e viktimës.

Bulizëm janë sjelljet e përsëritura të dëmshme ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike ashtu edhe psikologjike.

Format e bullizmit në shkollë

Në Shkollë bullizmi shfaqet në forma të ndryshme,  shkaktohet nga nxënësi të ndryshëm dhe ndaj nxënësve të ndryshe. Nëse bazohemi në studimet e profesionistëve, del se ka grupe të ndryshme që kryejnë veprime agresore në shkollë, e këta janë si vijon:

  1. Nxënësit ndaj mësimdhënësit,
  2. Mësimdhënësit ndaj nxënësve dhe
  3. Nxënësit ndaj nxënësve.

Ky hulumtim fokusohet në bullizmin që ndodh mes nxënësve. Megjithatë janë identifikuar shumë forma të bullizmit, të cilat ndahen në dy kategoritë e mëposhtme:

  1. Mund të jetë i drejtpërdrejtë, për shembull, kur një nxënës goditet shtyhet ose shkelmohet.
  2. Ai mund të jetë edhe jo i drejtpërdrejtë, për shembull, kur një nxënës ose disa nxënës përhapin thashetheme dashakeqe ndaj nxënësve tjerë, duke i bërë ata të vuajnë emocionalisht.

Në literaturë profesionale sa i përket këtij fenomeni shqetësues, bullizmit, kemi disa forma kryesore të kësaj sjellje agresive, që janë:

  1. Bullizmi fizik,
  2. Bullizmi emocionla/psikologjik,
  3. Bullizmi seksual,
  4. Bullizmi racial dhe
  5. Bullizmi kibernetik/virtual.

Askush nuk ka lindur i dhunshëm, dhuna është një sjellje e mësuar dhe ves i keq dhe çdokush mund ta ndalojë, nëse dëshiron vërtet.

Ky fenomen shqetësues nëpër shkollat tona do të vazhdojë të shfaqet dhe viktimat do të vazhdojnë të vuajnë, nëse shkollat nuk kanë një strategji dhe nuk zhvillojnë politika bashkëkohore për të krijuar një mjedis edukativ të sigurt dhe mbështetës, ku të sigurohet që çdo nxënës të jetë i pranuar dhe i përfshirë. Për parandalimin e bullizmit ka shumë programe , të cilat mund të zbatohen brenda shkollës.

Një ndër hapat fillestarë dhe nga më të rëndësishmit është që personeli shkollor të ndërgjegjësohet që bullizmi është i pranueshëm dhe nuk tolerohet. Shumica e të rriturve këtë dukuri e trajtojnë  si një pjesë e rritjes që fëmijët duhet ta zgjidhin vetë, pavarësisht se studiuesit e shumtë e kundërshtojnë këtë fakt.

Në rend të parë ne si mësimdhënës, por edhe si prindër na përket që të jemi të vëmendshëm me sjelljet që bëjnë  nxënësit në mësonjëtore, t`i përcjellim sa janë aktiv në orë, se a janë të rregullt në shkollë e tjerë. Gjithashtu edhe prindërit  duhet t`i përcjellin me kujdes  se si janë fëmijët në shtëpi, si duken kur duan të shkojnë shkollë, a ndjejnë frikë apo neveri kur u thuhet të shkojnë në shkollë, nëse e vërejnë ndonjë sjellje të çuditshme të ndalen dhe të bisedojnë me ta dhe se çfarë problemi kanë.

Moskujdesi i mësimdhënësve, prindërve apo të rriturve ndaj fëmijëve, shpesh herë i detyron viktimat e bullizmit të ndjehen të pambrojtur dhe të vetëm zgjidhje e shohin vetëvrasjen.  Pra, nëse tek fëmijët vërehen shenjat e lartpërmendura duhet që të ulemi me ta dhe të bisedojmë, t`u tregohet se ata e kanë përkrahjen tonë, se ne i duam dhe se do t`i mbrojmë gjithmonë. Në këtë mënyrë i nxisim ata të jenë më të hapur me ne, rritet vetëvlerësimi i tyre, ndoshta edhe mund t`i shpëtojmë që ata të mos kryejnë ndonjë akt ku do ta lëndojnë vetveten apo të tjerët.

Vazhdon pjesa e dytë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button