Fabregas largohet për 33 mln Euro

Cesc Fabregas larg Barcelonës duket tashmë një fakt i kryer. Në një bisedë klandestine mes Gerard Pique dhe trajnerit të kombëtares spanjolle konfirmohet lamtumira e mesfushorit të blaugranave, madje edhe shifra që do të paguhet për largimin e tij.

Gjithçka ka ndodhur kur Pique dhe Del Bosque kanë dalë përpara gazetarëve dhe pa e ditur se mikrofonët ishin të hapur e kamerat po regjistronin. Edhe pse me duart përpara gojës për të mos u diktuar nga gazetarët, bashkëbisedimi është kapur i plotë e po bën xhiron në çdo media. Mes batutave e humorit, mbrojtësi i Barçës i ka rrëfyer teknikut të Spanjës se ka folur me Fabregas dhe ai i ka konfirmuar largimin për 33 milionë Euro, por destinacioni mbetet mister.

Të gjitha pistat e rikthejnë mesfushorin në Angli dhe me shumë gjasa te Chelsea, ndonëse në garë për të janë edhe ish klubi i tij Arsenali dhe Manchester United. Në vijim Del Bosque, duke iu referuar presidentit të blaugranave, përgjigjet me humor, duke thënë se ai do të mërzitet shumë, do të çmendet, ndërkohë që pyet se nga e mori vesh.

Pique ia thekson se ka biseduar vetë me Fabregas, por këtu i gjithë bashkëbisedimi në dukje sekret merr fund sepse duhet të nisë konferenca për shtyp. Tre vjet më parë mesfushori 27-vjeçar realizoi ëndrrën me rikthimin tek blaugranat, por në projektin e ri të Barçës, ai duket se nuk bën pjesë e kështu destinacioni është sërish në Angli, aty ku më parë ka triumfuar me Arsenalin./Supersport/

Lajme të ngjashme

Back to top button