SKËNDERBEU DHE MEDINEJA (I)

“Neve nuk na duhet një Shqipëri historike por qytetëronjëse!

B.Merxhani

 

Me gjasë titulli i kësaj kolumne ju duket i panatyrshëm, si oksimoron, si dy të kundërta që nuk shkojnë bashkë, si dy terma që në nënqiellin shqiptar s’i ka bashkuar kush. Enigma do të shpaloset më poshtë, në këtë recension të veprës së fundit të shkollarit, mendimtarit, politologut, profesorit universitar Rizvan Sulejmani. Libri Shqiptaria, miti, filozofia (Interlingua, Shkup, 2020, 262 fq.), promovuar nga KID (Klubi i Intelektualëve të Dervenit) më 19 tetor 2022, paraqet një hermeneutikë sociale sui generis, një tekst të mirëargumentuar që trajton çështjen shqiptare si në micro ashtu edhe në macro-plan, është një filozofi politike që kapërcen matricat, modelet dhe lentet intrepretuese klasike skematike shqiptare.

Në këtë vepër iu mbyllen rrugët klisheve që bazohen në teorinë sociologjike konfliktuale apo në huntigtonizmin fancy të 30 viteve të fundit, e para me gjasë si pasojë e një regjimi monist që kemi lënë pas por që ende është gjallë në qarqet tona shkencore dhe akademike, kurse i dyti si rrjedhim i orientalizmit, balancave në arenën ndërkombëtare, diadave përplasëse të tipit botë e civilizuar-botë barbare, West-the Rest e të ngjashme. Pikëvështrimi i autorit është i ndërtuar mbi funksionalizmin që thotë se organet që janë pjesë e organizmit kanë rolin e tyre pozitiv, për mirëqenien e trupit (Spencer), se “sistemi shoqëror” është ngushtë i lidhur me ekui­librin (drejtpeshimin). Kjo vepër tejdialektike e vë nën lupë historinë shqiptare nga pjesa nebuloze për të cilën dihet shumë pak, ilire dhe pellazge, duke kaluar te mesjeta, periudha e romantizmit apo Rilindjes, epoka e shekullit XX, komunizmi dhe pluralizmi që shënohet nga globalizmi, unipolariteti dhe sërish nga multipolariteti i shekullit XXI që nis me vitin 2014.

Autori thekson se fakti historik ka qenë që shqiptarët të jenë gjeografi ku “zihen apo përleshen demat”, duke ia pësuar nga kjo përleshje e “fuqive të kohës”. Ndodhi të rëndësishme si ndarja Lindje – Perëndim (395), ajo e vitit 1054 kur u përça Kisha në atë Romake dhe Patriarkanën e Konstantinopojës, beteja e Kosovës e vitit 1389, Besëlidhja e Lezhës, shteti i Skënderbeut, pushtimi/çlirimi i Konstantinopojës nga osmanët, Tanzimati (1839), lëvizjet nacionaliste, pushtimi Krimesë nga Rusia cariste, lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe periudha më pas janë analizuar nga këndi i kauzës shqiptare, gjëgjësisht shqiptarisë si një term kupolë. Në këtë punim zikzaket dhe hapërdarjet shqiptare mes dy botëve Lindjes dhe Perëndimit janë shqyrtyar me një instrumentarium konjitiv dhe metodologjik të avancuar, duke vënë gjithnjë në epiqendër nacionalizmin, fenë civile, “fenë laike” (lay religion [Tillich, Voegelin]) të përqendruar rreth “mitit të Skënderbeut”, të cilin Sulejmani e demistifikon apo e dekonstrukton në kuptimin pozitiv. Jo vetëm  Skënderbeun lëvizjet e të cilit ai i quan të natyrshme dhe pragmatike, por perceptimin, lançimin e tij nga historia, historiografia dhe filozofia politike shqiptare. Ai atë e nuk e trajton si “Atlet të Krishtit” (Plasari), as si mbrojtës të krishterimit, por si nyje lidhëse e besimeve abrahamike, islamit dhe krishterimit (ortodoks dhe katolik). Ai zhvillon një teori që Gyrsel Donmez e quan teopolitike, një teori përtej mainstream-it, pa droje për jehonën e qasjeve populiste, duke e cilësuar fenë si symbolion, si flamur pas të cilit ecën çdokush. Sipas tij historia e Skënderbeut flet për trinitetin fetar të shqiptarëve, për mundësinë e bashkëjetesës së tyre të simbolizuar përmes tre emrave Gjergj, Kastriot, Skënder. Shqiptarët gjatë historisë janë gjendur herë në shërbim të Romës, herë të Konstantinopojës e herë të Stambollit, herë kanë qenë me Lindjen e herë me Perëndimin, varësisht nga lavjerrësi i kohës.

Autori thotë se Kuvendi i Lezhës si besëlidhje, si marrëveshje dhe betim, solemn me ndjenjën e fuqishme të nderit në vete bart elementet e traditës lindore-islame (f. 75), të Kartës (Kushtetutës) së Medines, përmes të cilës profeti Muhamed i bashkoi nëntë komunitetet e atëhershme të kontekstit arab, myslimanë, të krishterë, hebrenj dhe tjerë (Watt, 1956; Serjeant 1978); kjo ngase Skënderbeu dhjetë  vjet kishte qëndruar në Stamboll, pranë pallatit, ku kishte mësuar edhe histori, madje kishte qenë edhe administrator i një shteti madhështor që do të mbetet temë analizash moderne për sistemin e miletit ku i ka bazat toleranca shqiptare (f. 126). Kjo e ka bërë pikërisht jetëgjatësinë e Shtetit Osman: jeta e një perandorie nuk varet nga fuqia e imponimit, por nga mundësitë e dhëna për bashkëjetesë të etnive e religjioneve në një ombrellë të përbashkët –shprehet shkruesi i këtij libri (f. 88). Në këtë drejtim përcjell faktin se në gjysmën e parë të shekullit XVIII vetëm në Voskopjë janë ndërtuar 20 kisha (Frashëri, 2008: 173).

Vonimi i nacionalizmit ndër shqiptarë është pasojë e analfabetizmit (ngjashëm edhe te popujt tjerë), fshtarësisë (87% [Buda, 2002: 37]) që ka luftuar për mbijetesë, mosndarja e punës dhe mospecializimi, mosurbanizimi, vonimi i proceseve shekullarizuese. Shkollimi ka qenë nëpër oda të burrave dhe mektebe, më tepër në funksion të ngritjes së krenarisë familjare e klanore dhe përforcimit tëë autoritetve fisnore dhe fetare , pa mundësi për mësim të narrativave dhe miteve të përbashkëta, kufijve etnikë e gjuhësorë (f. 100). Atëbotë shqiptarët ende nuk kishin kaluar nga shoqëria e protozonave në atë organike (Russell). Heqja e timareve (1834) apo feudalizmit osman dhe Tanzimati që barazoi bashkësitë e Perandorisë nxitën nacionalizmin antiosman. Veqilharxhi, De Rada, Naimi dhe të tjerë sollën fenë e re, shqiptarinë, ideologjinë politike me fuqi kulturore dhe shoqërore “të barasvlershme me atë të fesë klasike”. Ndërkohë, sipas autorit, shfaqen integristët përkundër qëndrestarëve, osmanistëve, shqiptaristëve dhe islamistëve. Abdyl Frashëri doli si diplomat dhe burrështetas, Samiu u dallua me urtësinë dhe filozofinë e shtetit të lidhjes me besë, kurse Naimi përmes këndimit (poezisë) do të përhapë madhështinë kombëtare.

Përkundër qasjes orientaliste që bazohet te diada përplasëse Orienti-Oksidenti duke përçmuar, barbarizuar të parin dhe duke madhëruar të dytin, Sulejmani thotë se historia jonë ka elemente lindore: ngjarja e rëndësishme si Lidhja e Prizrenit është huazuar nga tradita komunitare e mileteve të Perandorisë Osmane. Shqiptarët nuk e kanë përjetuar kolonializmin andaj ndarje e përmendur më sipër është e sajuar, nuk është realitet. Kuvendi Kombëtar 1912-ës që shpalli pavarësinë është një konventë komunitare e bazuar mbi parimin religjioz. Tendenca për të ikur nga Lindja është më tepër ikje nga mjerimi, rendje pas Perëndimit për të “shpëtuar nga varfëria”; elitat shqiptare flisnin turqishten ngjashëm siç në pallatet e Rusisë cariste flitej frëngjishtja për të treguar nivelin kulturor dhe për t’u distancuar nga klasat e ulëta dhe fshatare. Neoshqiptarizma ishte një përpjejkje orientaliste për të ndërtuar apo krijuar shqiptarin e ri ngjashëm siç Gökalpi përgatiti platformën ideore për turkun e ri të Ataturkut, bazuar në fomulën “O sa mirë me qenë turk” (1933), ndër ne shpërfaqur përmes formulës “Feja e shqiptarit është shqiptaria” (Pashko Vasa). (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button