fbpx

Balon i fryrë, media të shfryra

Opozita në Maqedoni është decide se intervista e fundit e kryeministrit Nikolla Gruevski ku thotë se rrëfimi me lirinë e mediave është një balon i fryrë, është edhe një argument se pse nuk fitojmë datën për bisedime me BE-në.

Lidija Dimova nga LSDM, thotë se nuk ka justifikime për gjendjen e mediave dhe se problemin nuk e ka krijuar opozita, por kjo është bërë pjesë e dialogut në nivel të lartë në Komisionin Evropian, raporton Evropa e Lirë.

“Nuk është vetëm Komisioni Evropian, por janë edhe organizatat e tjera ndërkombëtare që e vlerësojnë situatën me mediat dhe tregojnë se ne jemi në një situatë dëshpëruese. Ndërsa ajo që kryeministri kërkon alibi për dështimin e tij, është një përrall e tij dhe për fat të keq ai duhet vet të del nga kjo baltë”, tha Dimova.

Ndërkaq gazetarët pajtohen se tani ka më shumë media, por theksojnë se kryeministri nuk dëshiron të flet për faktin e kontrollimit nga qeveria.

“Nuk do kisha bërë krahasime me atë se si ishte në kohën e Cërvenkovskit dhe si është tani. Në gazetari ka rregulla, që do të thotë se ju nuk raportoni as në emër të opozitës, as në emër të qeverisë, raportoni në emër të qytetarëve”, deklaroi gazetari Dragan Antonovski.

Naser Selmani nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë nuk pajtohet me atë se rrëfimi me lirinë e mediave është një balon i fryrë.

“Nuk është “ballon i fryrë” fakti se Maqedonia është vendi i vetëm në Evropën Juglindore ku një gazetar është dënuar katër vjet e gjysmë burg për gjoja zbulim të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur. Nuk është ballon i fryrë se gazetarët u përjashtuan nga Kuvendi me forcë. Fakt është se vazhdon praktika që bartësit e funksioneve publike të padisin gazetarët që të frikësojnë dhe t’i dekurajojnë gazetarët që të hulumtojnë për keqpërdorime eventuale të pushtetit. Askush nuk di sa para dhe si i ka shpërndarë Qeveria mediumeve. Kryeministri le të shohë raportet e Komisionit Evropian dhe le të shikojë vërejtjet në lidhje me lirinë e të shprehurit në Maqedoni. Nëse është i interesuar për eurointegrime të Maqedonisë, atëherë sipas tyre duhet edhe të veprojë”, thotë Selmani.

Petrit Saraçini nga Instituti Maqedonas për Media thotë se vlerësimet që vijnë nga jashtë për Maqedoninë paraqesin gjendjen reale në vend dhe shton se deklarata e kryeministrit është vetëm për përdorim vendor.

“Kryeministri mund të përdor këtë përrallë vetëm për përdorim vendor, ndërsa ky rrëfim nuk merret parasysh në botë”, deklaroi Saraçini.

Në intervistën për MIA Gruevski deklaroi se rrëfimi me lirinë e mediave është një balon i fryrë në mungesë të një opozite të fuqishme dhe kreative e cila lufton në tema dhe baza reale.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close