Simptomat më të zakonshme të koronës kanë ndryshuar, këto janë shenjat sipas grupit

Simptomat më të zakonshme të raportuara të COVID-19 kanë ndryshuar javët e fundit në krahasim me kohën kur koronavirusi filloi të përhapet në të gjithë botën, kanë treguar hulumtimet më të fundit, shkruan Panacea.

Simptomat kryesore ishin kryesisht të ngjashme pavarësisht nga statusi i vaksinimit, sipas Zoe Health Study, projekt kërkimor afatgjatë me bazë në Britaninë e Madhe që gjurmon virusin përmes aplikacionit Covid Symptoms Tracker. Përmes aplikacionit, pjesëmarrësit vetë-raportojnë përvojën e tyre me COVID-19.

Lista e fundit, e publikuar më 20 tetor, vë në dukje se “simptomat ndryshojnë me zhvillimin e varianteve të virusit”.

Katër nga pesë simptomat kryesore të COVID-19 ishin të njëjta për pjesëmarrësit që morën dy doza të vaksinës, një dozë të vaksinës dhe ata që nuk ishin vaksinuar, thuhet në studim.

Këto simptoma ishin dhimbje koke, kollë e vazhdueshme, dhimbje të fytit dhe rrjedhje hundësh. Sidoqoftë, simptomat kryesore ndryshonin në renditje për secilin grup të statusit të vaksinimit, zbuloi studimi.

Përveç kësaj, secili grup raportoi nga një simptomë të ndryshme të COVID-19 që e bëri atë në pesëshen e parë.

Për ata që morën dy doza të vaksinës COVID-19, hundët e zëna u përfshinë në pesë simptomat kryesore më të zakonshme, ndërsa nuk ishte në pesë të parat për grupet e tjera.

Ja se si u renditën pesë simptomat kryesore për grupin e njerëzve që morën dy doza të vaksinës, sipas studimit:

  • Dhimbje të fytit
  • Rrjedhje hundësh
  • Hundë të zëna
  • Kollë e vazhdueshme
  • Dhimbje koke

Më parë, humbja e nuhatjes, gulçimi dhe ethet konsideroheshin si simptoma më të zakonshme të COVID-19 për ata që ishin vaksinuar me dy doza, sipas hulumtimit.

Në grupin e pacientëve që morën një dozë të vaksinës, teshtitja përfshihej në pesë simptomat kryesore të grupit, por jo në dy grupet e tjera. Në atë grup, këto pesë simptoma dominuan:

  • Dhimbje koke
  • Rrjedhje hundësh
  • Dhimbje të fytit
  • Teshtitja
  • Kollë e vazhdueshme

Në grupin e pavaksinuar, pjesëmarrësit raportuan ethet më shpesh se grupet e tjera. Si rezultat, ethet, ose temperatura e lartë trupore, ishin ndër pesë simptomat kryesore më të zakonshme tek njerëzit që nuk morën vaksinën për COVID-19.

Këto janë pesë simptomat kryesore më të zakonshme për ata që nuk janë vaksinuar, sipas sondazhit:

  • Dhimbje koke
  • Dhimbje të fytit
  • Rrjedhje hundësh
  • Ethet
  • Kollë e vazhdueshme

Studimi u bazua në raportet e përditshme të pacientëve dhe nuk mori parasysh variantet e COVID-19 ose demografinë e pjesëmarrësve, theksohet në Zoe Health.

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ka shumë simptoma të tjera të COVID-19, duke përfshirë lodhjen, të përzierat, dhimbjet e trupit dhe më shumë. Disa njerëz që janë infektuar me koronavirus përjetojnë Covid të zgjatur, kur simptomat e virusit zgjasin më shumë se infeksioni fillestar. Një studim i CDC i publikuar në maj zbuloi se rreth një në pesë të rritur mund të zhvillojnë të paktën një simptomë të vazhdueshme të COVID-19 pas infektimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button