Gashi: Nuk mund të vazhdojë akoma formulimi aktual ofendues normativ, që gjuha shqipe të përkufizohet me përqindje

Alternativa dakordohet plotësisht se koncepti i ndërtimit të shtetit, i definuar në kushtetutën aktuale, tashmë është tejkaluar dhe nuk mund të vazhdojë akoma formulimi aktual ofendues normativ, që gjuha shqipe të përkufizohet me përqindje, theksoi në konferencën e sotme për shtyp kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, njofton Portalb.

“Partitë politike duhet t’i tejkalojnë të gjitha barrierat, që përveçse do ta rrisin besimin e ndërsjellë, do të kontribuojnë edhe për krijimin e mekanizmave të rinj për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Debati për këtë temë duhet të zhvillohet me kujdes, duke mos lënë hapësirë që procesi i shlyerjes së formulimit ‘gjuha që e flasin më shumë se 20%’ në Kushtetutë të ketë fitimtarë dhe humbës. Thjesht, kjo duhet të ndodhë me pajtueshmëri unanime të të gjithëve. Ne jemi të bindur se secila qasje tjetër do të duket si shantazh, si një veprim populist për poentime politike, që do të ketë efekt të kundërt. Nuk na ka hije tashmë që si anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe si vend që i ka filluar negociatat për anëtarësim të plotë në BE, që përmes këtij procesi të hapë plagë të reja, që vështirë do të shërohen, tha Gashi.

Ai potencoi se Alternativa është kundër përpjekjeve për mohimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas, sepse, siç theksoi, ne e kuptojmë ndjeshmërinë e kësaj teme për bashkëqytetarët tanë. Prandaj, potencoi ai, përmes qasjes inkluzive, dëshirojmë që t’i mirëkuptojmë dhe t’i zgjidhim të gjitha shqetësimet e qytetarëve tanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button