Erdogan në pushtet deri më 2023

Kryeministri i Turqisë, i ka thënë një këshilltar i tij televizionit turk, do të mbetet në pushtet deri në vitin 2023, duke i fituar zgjedhjet presidenciale në gusht. Ndryshimet e kushtetutës do t’i rrisin kompetencat e presidentit, ka parashikuar këshilltari i tij

Ankara – Në përvjetorin e parë të protestave në mbarë vendin që e kanë tronditur qeverisjen e kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më pak se një mijë demonstrues antiqeveritarë kanë marshuar nëpër qytetin e Stambollit, të shtunën. Në numër më të vogël se policët e njësitit kundër trazirave, protestuesit janë shpërndarë shumë shpejt me gaz lotsjellës dhe me topa të ujit.

Numri i vogël i demonstruesve ka ilustruar shtrëngimin e pushtetit nga Erdogan, përkundër një viti të karakterizuar nga protestat rrugore, nga kritikat ndërkombëtare ndaj reagimit të tij dhe nga akuzat për korrupsion qeveritar. Erdogan, i ka thënë një këshilltar i tij televizionit turk në po të njëjtën ditë, do të mbetet në pushtet deri më 2023, duke i fituar zgjedhjet presidenciale në gusht. Ndryshimet e kushtetutës do t’i rrisin kompetencat e presidentit, ka parashikuar këshilltari i tij.

Intervistat me njerëzit e afërt me kryeministrin kanë zbuluar më shumë detaje se si do të jetë një presidencë e ardhshme e Erdoganit. Një “këshill i burrave të mençur”, i përbërë pjesërisht nga aleatë të ngushtë në kabinetin e tij aktual, do të ndihmojnë për mbikëqyrjen e punëve kryesore qeveritare, duke minimizuar fort rolet e disa ministrive, kanë thënë zyrtarë të lartë për Reuters.

“Ata do të punojnë bashkë me Erdoganin për çështje të rëndësishme në pallatin presidencial. Ne mund t’i quajmë ata burra të mençur, apo komitet këshillues, apo qeveri në hije”, ka thënë një figurë e lartë e partisë turke në pushtet, AK Parti, duke sqaruar se politikat energjetike, procesi paqësor me kurdët dhe elementet e politikës së jashtme pritet të jenë ndër këto çështje. “Pesha e presidencës do të ndihet më shumë në vendime”, ka paralajmëruar figura e lartë e AK Parti.

Erdogan ende nuk ka shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet e gushtit, por ai nuk e ka mbajtur të fshehtë ambicien e tij për të garuar. Njerëzit e afërt me të thonë se ai tashmë ka vendosur.

Rezultatet e zgjedhjeve komunale, të mbajtura më 30 mars të këtij viti, kur AK Parti ka fituar 43 për qind të votave në nivel të vendit, sugjerojnë se një shumicë në rrethin e parë mund të jetë shumë e arritshme nga ai, veçanërisht nëse ai siguron mbështetjen e minoritetit kurd në vend.
“Nuk ka më asnjë pikëpyetje”, ka thënë për Reuters një zyrtar i lartë nga AK Parti i Erdoganit. “Me përjashtim të një situate të jashtëzakonshme, Erdogan do të shpallë kandidaturën e tij dhe ne presim që ai do të fitojë që në rrethin e parë të votimit”, është shprehur zyrtari i lartë i AK Parti.

Kryeministri Erdogan mund të mos e ketë ndërtuar ende sistemin e plotë presidencial që ai e dëshiron në Turqi, por ai e ka bërë të qartë se natyra e drejtpërdrejtë e zgjedhjeve të gushtit të sivjetmë – presidentët e mëparshëm turq janë emëruar nga deputetët e parlamentit të vendit – do t’i mundësojë atij të ushtrojë fuqi më të madhe sesa presidenti i tanishëm i vendit, Abdullah Gul./Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button