fbpx

Shqipëria merr statusin pa kushte

Komisioni Evropian rekomandon dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Në Progres-Raportin e bërë publik dje vihet theksi tek vullneti politik i treguar për të ecur në rrugën e duhur sa i përket çështjeve prioritare që nga lufta kundër korrupsionit, reforma legjislative në luftën kundër krimit të organizuar, por dhe hetimet dhe rezultatet pozitive në luftën kundër trafikut të drogës.

Sipas këtij dokumenti, Shqipëria ka vazhduar të implementojë dhe të konsolidojë reformat e nevojshme të cilat janë të lidhura me BEnë, praktikisht me statusin kandidat. Më tej janë evidentuar dhe sfidat thelbësore në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian nga reforma e thellë në drejtësi, përforcimi i legjislacionit për deklarimin dhe konfliktin e interesave si dhe rritja e hetimeve proaktive për çështjen e korrupsionit.

Përfundimet

Shqipëria ka vazhduar zbatimin dhe konsolidimin e masave në kuadrin e reformave të Integrimit Evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me statusin kandidat. Ka pasur vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, ndërkohë që reformat strukturore dëshmojnë për një përqasje gjithëpërfshirëse me angazhimin e shumë institucioneve. Janë miratuar reformave të rëndësishme legjislative në luftën kundër krimit të organizuar.

Hetimet kanë gjeneruar rezultate pozitive në luftën kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe krimeve të tjera të rëndë. Shqipëria ka demonstruar përkushtimin ndaj reformës në gjyqësor, kryesisht duke punuar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit. Mbi bazën e konstatimeve të këtij Raporti, Komisioni konfirmon rekomandimin e vet që Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë këtë zbatim sistematik të reformave, pasi rezultatet e qëndrueshme do të jenë vendimtare për integrimin e mëtejshëm në BE. Ky raport evidenton disa sfida thelbësore që Shqipëria të avancojë me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian. Në luftën kundër korrupsionit, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria duhet të fokusohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, rritjen e hetimeve proaktive dhe miratimin e masave që i bëjnë hetimet më efiçente, me qëllim që të konsolidohen përpjekjet fillestare dhe të krijohet një historik solid hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh me vendime të formës së prerë për çështje korrupsioni. Thelbësore në luftën kundër korrupsionit do të jetë edhe reforma e thellë në gjyqësor. Në luftën kundër krimit të organizuar, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zhvillojë më tej historikun e rezultateve (track record) përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimit të efiçencës së hetimeve proaktive dhe përdorimit sistematik të hetimeve financiare, forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar kur përfshihet edhe EUROPOLi, si edhe intensifikimit të përpjekjeve për të goditur çdo formë krimit të organizuar.

Në reformën e sistemit gjyqësor, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zbatojë me rigorozitet reformën në gjyqësor, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave kyçe shtesë për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies – në përputhje me udhërrëfyesin për reformën në sistemin gjyqësor – si edhe zbatimit adekuate të masave të miratuara. Për më tepër, është thelbësore që reforma të shoqërohet me dialog politik të ri-fuqizuar dhe të konsoliduar ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Puna parlamentare konstruktive bazuar në kompromis është vendimtare për qëndrueshmërinë e reformave, dhe krijimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian – i cili bashkon të gjitha grupet e interesit, është kyç për konsensusin e të gjithë shoqërisë shqiptare. Sfidat kryesore të identifikuara në këtë raport, do të shtjellohen më tej në Progres- Raportin e Komisionit që publikohet në tetor 2014.

Kritika, opozita është tërhequr nga disa votime kyçe

Progres-raporti i KE-së vlerëson vullnetin politik të qeverisë në fushën e reformave integruese ndërsa kritikon opozitën për mospjesëmarrjen në disa votime kyçe, siç cilësohen në dokumentin e KE-së. “Gjatë periudhës së raportimit, qeveria shqiptare ka demonstruar veprime konkrete dhe vullnet politik në fushën e reformave të integrimin evropian, duke mbuluar një gamë të gjerë çështjesh. Në nëntor, qeveria dhe opozita bashkuan forcat për miratimin e një rezolute për integrimin në BE.

Që atëherë, të dy krahët e kanë mbështetur integrimin në BE, edhe pse forcimi i mëtejshëm i konsensusit është dashur të përballet me një klimë konfrontuese në rritje ndërmjet qeverisë dhe opozitës, e cila, ndër të tjera, është tërhequr nga votime kyçe në disa komisione parlamentare”, – thuhet në Raport. E ndërkohë që vlerësohet përkushtimi konstruktiv, siç cilësohet në Raport, i qeverisë dhe opozitës pas mbledhje së dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë, ndaj reformave që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian.

Administrata, thelbësor respektimi i ligjit

Progres-raporti analizon hapat ligjore për vënien në zbatim të ligjit për Nëpunësin Civil ndërsa vë theksin tek zbatimi i ligjit. “Që nga tetori, problematikat në lidhje me largimet nga puna dhe uljen në detyrë të stafit, kryesisht për shkak të masave disiplinore dhe ristrukturimeve të institucioneve publike krijuan tension politik. Në këto kushte, qeveria ngriu të gjitha rekrutimet nga marsi deri në korrik, për të lejuar që Ligji i ri të bëhej plotësisht i zbatueshëm, si përpjekje për të siguruar proces rekrutimi solid dhe transparent. Respektimi i plotë i legjislacionit të zbatueshëm dhe i vendimeve të gjykatave është thelbësor”, – thuhet në Raport. Theksohet më tej se procedura e zgjedhjes së titullarëve dhe bordeve të institucioneve të pavarura me shumicë të thjeshtë në Parlament, mbetet një problem shqetësues, sepse kjo rrezikon të ndikojë në pavarësinë e tyre. “Ndryshe nga rasti i legjislacionit për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, legjislacioni i ri i hartuar do të përfitonte nga shqyrtimi i ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria shqiptare ka kërkuar mision ekspertësh për të vlerësuar performancën, strukturën dhe kapacitetet e institucioneve të pavarura, me qëllim forcimin e funksionimit dhe pavarësisë së tyre”, – thuhet në të. Raporti vlerëson se Qeveria është e vendosur të vazhdojë reformën ekonomike, ndërsa stabiliteti makroekonomik vazhdon të forcohet përmes një politike monetare të shëndoshë dhe norme inflacioni që mbetet në nivele të ulëta.

Notë pozitive merr dhe marrëveshja me FMN-në si një mënyrë për pagimin e borxheve të mëdha të grumbulluara gjatë tre viteve dhe nxitjen e reformave të qenësishme në lidhje me menaxhimin e financave publike, tatimet, sistemin e pensioneve dhe energjetikën. “Tashmë, reformat kanë rezultuar në rritje të të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërkohë që janë shtuar hetimet ndaj skemave të mashtrimit dhe evazionit me TVSH-në. Programi Ekonomik dhe Fiskal 2014-2016 përcakton kuadrin për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetit makroekonomik, si edhe evidenton reformat strukturore në disa fusha kyçe, përfshi forcimin e shtetit të së drejtës”, – thuhet në dokumentin e BE-së.

Hapat dhe detyrat e Qeverisë për 3 prioritetet kyçe

Progres-raporti bën një analizë të plotë të të gjitha hapave të hedhura nga qeveria në kuadër të politikave antikorrupsion, luftës kundër krimit të organizuar dhe reformës në sistemin gjyqësor. Sa i përket politikës antikorrupsion theksohet emërimi i Koordinatorit Kombëtar të Antikorrupsionit, ndryshimet në Kodit të Procedurës Penale për të transferuar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Krimeve të Rënda veprat penale të korrupsionit nga zyrtarë të nivelit të lartë, ligji për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme që rrjedhin nga veprat penale të korrupsionit, ndryshimet në ligjet për deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit por dhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshëm, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror që synon bashkëpunimin si për antikorrupsionin ashtu edhe për krimin e organizuar. “Në tërësi, bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese duhet të forcohet, përfshi një sistem të sigurt shkëmbimi informacion, me qëllim rritjen e efiçencës së hetimeve”, – thuhet në Raport ndërsa vlerësohet rritja e numrit të çështjeve të denoncuara në prokuroi për korrupsion dhe atyre në gjykim.

Lidhur me bashkëpunimin mes organit të akuzës dhe policisë thuhet se ka ende disa pengesa, si dispozitat për përgjimin elektronik dhe mbikëqyrjen, afatet për hetimet, pranueshmërinë e provave nga gjykata dhe, në tërësi, hetimet vazhdojnë të bëhen vetëm mbi bazë denoncimi. Vlerësime jepet për masat e marra nga ILDK PKI-ja duke theksuar si thelbësor që deklaratat e pasurisë të vihen në dispozicion të agjencive ligjzbatuese dhe atyre të hetimit. Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar përmenden ndryshimet organizative në Policinë e Shtetit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, legjislacioni për organizimin dhe trajnimin e policisë si edhe kontrollin e armëve të zjarrit, rritja e rrogave për policët, masat disiplinore për shkelësit e ligjit, operacionet e suksesshme, siç i cilëson raporti, në fushat e luftës kundër lëndëve narkotike, trafikimit të qenieve njerëzore, pastrimit të parasë dhe konfiskimit të lëndëve plasëse brenda vendit si dhe pjesëmarrja në operacione të ngjashme jashtë Shqipërisë.

Vlerësime jepen dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar policor apo bashkëpunimin operacional me EUROPOL-in. Ndërsa shtohet se duhet të forcohen teknikat speciale të hetimit. “Duhet intensifikuar lufta kundër rrjeteve të trafikimit të drogës, përmes bashkëpunimit të mëtejshëm ndërkombëtar dhe përdorimit të teknikave speciale të hetimit, bazuar në vlerësim kërcënimi, si edhe e shoqëruar paralelisht me hetime financiare. Duhet të intensifikohen masat konkrete për çrrënjosjen e plantacioneve me bimë narkotike. Në Planin Kombëtar kundër kultivimit të drogës duhet të përcaktohen indikatorë për matjen e performancës si edhe rezultatet e pritshme”, – theksohet në Raport. Sa i përket reformës në sistemin gjyqësor vlerësohet bashkëpunimi me Komisionin e Venecias dhe hapat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë.

Progres-raporti, qeverisë i kërkohet reforma në drejtësi. Vlerësime për përforcimin e legjislacionit për deklarimin dhe konfliktin e interesave si dhe rritjen e hetimeve proaktive./shekulli/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close