Komuna e Tetovës në borxh prej 37 milionë denarëve për ndriçim publik, formon shoqëri tregtare për energji elektrike

Edhe pse i dhanë dritën jeshile para një muaji, sot Këshilli Komunal i Tetovës shfuqizoi vendimin për themelimin e ndërmarrjes publike për prodhim të energjisë elektrike, shitje të energjisë elektrike, ekonomizim, vendosje dhe mirëmbajtje të ndriçimit publik. Kjo me arsyetimin se ka pengesa ligjore. Në vend të saj, këshilli votoi propozim-vendim për themelimin e shoqërisë tregtare “Elektro Tetova” SHPKVP. Sipas Komunës kjo shoqëri tregtare formohet për të menaxhuar në mënyrë më efikase energjinë elektrike në qytet, veçanërisht në fushën e ndriçimit publik. Këshilltarët e opozitës kritikuan se ka mangësi në procedurat ligjore, shkruan Portalb.mk.

Këshilli me 17 vota për dhe 12 të përmbajtur për votoi për shfuqizimin e vendimit për themelimin e ndërmarrjes publike për prodhim të energjisë elektrike, shitje të energjisë elektrike, ekonomizim, vendosje dhe mirëmbajtje të ndriçimit publik.

Udhëheqësi i sektorit për veprimtari publike në Komunë, Memet Jonuzi sqaroi se kjo erdhi si rezultat i mosregjistrimit nga ana e Regjistrit Qendror pasi është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Ai theksoi se edhe pse sektori juridik ka qenë prezent, ka hasur në mosregjistrim, ndërkaq propozojnë që të themelohet shoqëria tregtare që sipas tij është e njëjta por ndryshon në konceptin e lidhshmërisë së ndërmarrjes. Ai tha se Ligji nuk e ndalon por as nuk e parashikon të njëjtën.

Opozita kritikoi: Sillen vendime aty për aty

Këshilltari Veton Murati nga BDI, tha se ata ishin kundër themelimit të kësaj ndërmarrjeje që në fillim, ndërsa tani kërkohet shfuqizim e cila sipas tij paraqet joseriozitet.

Faton Selami nga Alternativa nënvizoi se pikërisht në seancën e kaluar theksoi se kjo procedurë kishte mangësi nga aspekti ligjor.

Nga PDSH, Visar Palloshi tha se procedura të tilla duhet të shihen mirë ligjërisht para se të sillen në këshill, dhe jo të anulohen pas një muaji.

Në vend të ndërmarrjes, shoqëri tregtare “Elektro Tetova”

Me vota 16 pro dhe 14 kundër këshilli votoi propozimin për themelimin e e shoqërisë tregtare “Elektro Tetova”.
Udhëheqësi i sektorit për veprimtari komunale sqaroi se të gjitha nenet janë të përshkruara dhe e njëjta i përmban të gjitha kushtet për regjistrimin e një shoqërie të tillë.

Siç u tha, kjo shoqëri tregtare është duke u formuar për të menaxhuar në mënyrë më efikase energjinë elektrike në qytet, veçanërisht në fushën e ndriçimit publik.

Për kryerjen e funksionit udhëheqës i shoqërisë emërohet personi Sedat Sulejmani i cili do të përfaqësojë shoqërinë në tregtinë e brendshme dhe të jashtme pa kufizim.

Ai emërohet për një kohë të pacaktuar, pa kufizim në qarkullimet juridike dhe në marrëdhëniet me pale të treta, udhëheqësi është i autorizuar të veprojë në të gjitha rrethanat në emër të shoqërisë, me përjashtim të autorizimeve që sipas Ligjit për shoqëritë tregtare i ka themeluesi.

Kryetari i këshillit komunal tha se ky ndryshim bëhet pasi nuk mundën të regjistrojnë ndërmarrjen në Regjistrin Qendror ndërsa tani vetëm kthehet në shoqëri aksionare.

“Do të jetë në pronësi të komunës, do të bëjë prodhimin dhe mirëmbajtjen e energjisë elektrike, do të vendosim restrikcione për ndriçimin publik, për arsye të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Që të mos ndikojë në atë që të rriten faturat e qytetarëve, e krijojmë këtë që të arrin të menaxhon dhe prodhon energji elektrike dhe të mirëmbajë ndirçimin publik”, tha Besar Durmishi.

Ndërsa gjatë seancës, kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se për ndriçim publik kanë borxh prej 37 milion denarësh ndaj një kompanie e cila furnizonte me ndriçim publik, e cila më pas ndërpreu kontratën dhe u rritën shpenzimet për të njëjtën, dhe se kanë kaluar në EVN si furnizues.

Edhe për këtë pikë opozita kritikoi

Nga këshilltarët e BDI-së theksuan se kanë dyshime se kjo shoqëri tregtare a do të funksionojë në interes të qytetarëve apo individëve, dhe se e njëjta po shtfrytëzohet për përfitime personale.

Këshilltari i Alternativës theksoi se kjo pikë përsëri ka lëshime juridike dhe se nuk janë konsultuar ligjet mirë. Ai tha se kjo pikë nuk duhej të kalojë që të mos vijë në situatë të shfuqizohet prapë.

Ndërkaq këshilltari i PDSH-së tha se për këtë pikë nuk ka informata të mjaftueshme se si do të funksionojë. Ai kërkoi që për të njëjtën të bëhet studim fizibiliteti ndërsa tha se udhëheqësia aktuale po privatizon komunën.

Njëjtë edhe nga këshilltari i LSDM-së u ndrit çështja se nuk ka mjaftueshëm informata për këtë pikë.

Udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Komunale, Memet Jonuzi theksoi se në fillim bëhet themelimi ndërsa më pas programi. Ndërkaq nënvizoi se një gjë e tillë është bërë edhe nga komuna e Jegunocit dhe Kumanovës.

“Do të jetë në shërbim të qytetarëve”, theksoi b.

Këshilltarët nga pala maqedonase kërkuan që kjo shoqëri të quhet “Elektro Tetovo”, me shtimin e përkthimit në gjuhën shqipe.

Më tepër informata për këtë shoqëri tregtare gjeni në dokumentin më poshtë.

Kujtojmë që nismë për për themelimin e ndërmarrjeve publike për prodhimin e energjisë elektrike me fotovoltaikë të tillë ka edhe në Komunën Qendër. Sipas saj, arsyeja është kriza energjetike, çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe shmangia e kolapsit financiar në komunë. Kjo parashihet të zhvillohet në dy faza.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button