Kongresi i BDI-së, Ali Ahmeti kërkon kryeministër shqiptar

15.00 Me aklamacion pasi nuk kishte kundërkandidat Ali Ahmeti ri-zgjidhet kryetar partie nga delegatët në Kongres.

“Fryma e Marrëveshjes se Ohrit është të guxojmë të zgjedhim një President konsenzual, të zgjedhim një kryetar parlamenti shqiptar, por edhe një kryeministër shqiptar. Ne nuk do të ndalojmë se punuari për këto qëllime madhore, por për vendime të mëdha nevojitet lidership i guximshëm. Vlerësojmë se tanimë është momenti qe komuniteti ndërkombëtar si palë e tretë, seriozisht të angazhohet që kontesti maqedono-grek të gjejë një zgjidhje përfundimtare, për ti çelë rrugë prosperitetit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Pa lehtësimin e palës së tretë, kjo gjë nuk ndodh! Ne i kemi bere të qarta pozicionet tona në të gjitha qendrat e vendosjes, sepse ne duam zgjidhje, nuk duam konfrontime!” tha mes tjerash Ahmeti.

Duke mos lënë anash retorikën e zakonshme, ai madje foli për zgjedhjet e ardhshme duke thënë se kërkon 200 mijë vota për 25 deputet shqiptar.

Ahmeti u ndal edhe në çështjen e lirisë së shtypit, me ç’rast u bëri thirrje gazetarëve dhe analistëve të mos rreshtohen pas taborëve politikë por të vihen në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

“Kjo vlen për gazetaret maqedonas Ata duhet të mbrojnë platformën dhe kodin gazetaresk. Disa herë u kam thënë gazetarëve: ‘Jeni të lirë dhe shkruani për problemet në shoqëri’”, tha Ahmeti.

Ai porositi opozitën maqedonase të merr mësim nga BDI-ja.

“Opozita ka vendin në Parlament. Zaev mund të vlerësojë si tendencë këtë që them unë, por unë i them atij që unë i kam provuar para tij këto punë. Nga përvoja e jetës sime, në periudhën 2006-08 ne nuk dorëzuam mandatet, por shtruam çështje dhe zgjidhje nëpër institucione. Le të mësojë nga praktika e BDI-së”, deklaroi kreu i BDI-së.

14.00 Fatmir Besimi në fjalimin e tij për programin e BDI-së, mes tjerash përmendi vendosjen e përmendores së Skenderbeut në Shkup si një nga realizimet e idealeve të BDI-së. Ai në fjalën e tij nuk e ceki çështjen e pazgjidhur të ish ushtarëve të UÇK-së ndërsa përsëriti se prioritet i BDI-së ngelet anëtarësimi në BE dhe NATO.

Ndërkaq këtë e bëri Rafiz Aliti, i cili kërkoi që në programin partiak për 4 vitet e ardhshme të merret parasysh çështja e risocializimit të ish ushtarëve të UÇK-së, duke kërkuar qasje më serioze ndaj ish ushtarëve.

Programi u miratua nga delegatët pa propozimin e Halitit pasi që Lika nuk e hodhi në votim duke iu referuar reagimit të Fatmir Besimit i cili edhe pse nuk përmendi UÇK-në, u arsyetua se kjo çështje tani më është elaboruar në program.

Degët ku shqiptarët janë pakicë kërkojnë garancë statutare kundër majorizimit brenda BDI. Këtë e kërkoi Rakip Doçi.

Vijon kongresi
Vijon kongresi

13.30   Hazbi Lika udhëheq kongresin e BDI-së ndërsa grup punues për këtë kongres ishin ai, Teuta Arifi, Izet Mexhiti, Sadulla Duraku dhe Naile Elezi. Fjalën përshëndetëse e kishte gjenerali Gëzim Ostreni.

Lika uroi për rezultatin e fundit të zgjedhjeve dhe tha se 657 delegatët pjesëmarrës në Kongres do të sjellin vendime të plotfuqishme.

Funksionari ofendon policinë
13.00 Përderisa vazhdon arritja e anëtarëve të BDI-së në Qendrën për Kulturë në Tetovë ku dhe mbahet kongresi, gazetari i Portalb ishte dëshmitar i një përleshjeje verbale mes një funksionari të BDI-së me veturë të tipit Mercedes dhe policisë.

Pasi që polici i tha funksionarit ta lëviz veturën e cila zë rrugën dhe është keq e parkuar, ky i fundit i është drejtuar me një sërë të sharash e ofendimesh dhe më pas hyri në Kongres.

Polici në këtë rast nuk deshi të prononcohet për Portalb, ndërsa mbeti i pafuqishëm të reagojë.

Kongresi i tretë i BDI-së 5 maj 2014, Tetovë
Foto para fillimit të Kongresit

Kongresi i tretë i BDI-së 5 maj 2014, Tetovë

**************************************************************************************************************

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot duke filluar në ora 13.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbajë Kongresin e tretë zgjedhor.

Gjithsej 675 delegatë do të zgjedhin kryetarin e partisë dhe Këshillin e përgjithshëm.

Pozita e kryetarit aktual të partisë Ali Ahmeti mbetet e pakontestueshme, ndërsa nga BDI thonë se pretendohet që rruga t’u hapet fytyrave të reja, por nuk përjashtohet mundësia që edhe të ketë rokada dhe zhvendosje të funksionarëve nga një pozicion në tjetrin.

Një garë e nxehtë pritet të zhvillohet edhe për një vend në Kryesinë Qendrore të partisë, Kuvend dhe organet e tjera më të larta drejtuese.

Por ajo që paralajmërohet të ndodh në organet më të larta drejtuese të kësaj partie, nuk ka ndodhur me strukturat lokale.

Madje, në shumicën e degëve, kryetarët kanë mbetur të njëjtë, me disa përjashtime në degë të caktuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button