Ismail Kadare u shpall qytetar nderi i Tetovës, të gjithë këshilltarët votuan “për”

Ismail Kadare sot u shpall qytetar nderi i Tetovës. Ky vendim u mor sot në seancën e këshillit komunal ku të gjithë 31 këshilltarët, shqiptarë dhe maqedonas votuan “për”, shkruan Portalb.mk.

Ceremonia për këtë pritet të mbahet gjatë festave të nëntorit, kështu deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.

Këshilltarja komunale nga Lëvizja Besa, Besa Kadriu tha se ky akt do jetë një pikë pozitive për imazhin e qytetit.

“Kjo është një prestigj dhe do jetë një imazh pozitiv për qytetin për të pasur një anëtar siç është figura e Ismail Kadaresë, një autoritet shumë i dëshmuar në pjesën e krijimtarisë letrare, i cili njihet edhe në rang botëror. Autor i disa çmimeve prestigjioze botërore… Paraqet një figurën të një ambasadori të letërsisë shqipe veprat e të cilit janë përkthyer në dyzet gjuhë të botës”, deklaroi Kadriu.

Edhe pse votuan për, kritikë për këtë pikë pati nga këshilltari i LSDM-së, Gligorije Stojanovski i cili deklaroi se qyteti është multietnik dhe referuar shpalljes së Rifat Jasharit si qytetar nderi muajin korrik nga Komuna, se do të ishte më e arsyeshme nëse do të shpallej edhe dikush nga pala maqedonase. Siç deklaroi ai, përkundër respektit ndaj Kadaresë, tha se më mirë do ishte të shpallej dikush që është nga vendi dhe që punon dhe kontribuon për këtu.

Nga ana tjetër, këshilltari nga VMRO-DPMNE-ja, Ratko Davidovski përshëndeti nismën për shpalljen e Kadaresë si qytetar nderi. Ndërsa duke u ndërlidhur me Stojanovskin, ai tha se këtë e kanë si iniciativë dhe se do të propozojnë në vazhdim që edhe dikush nga pala maqedonase të shpallet qytetar nderi. Siç deklaroi ai, kjo pritet të bëhet në ditën e Komunës.

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, akademik, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82) dhe zv/kryetar i Frontit Demokratik. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese.

Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jerusalem” më 2015, si dhe para tre viteve me çmimin “American Nobel Prize”.

Kujtojmë që me 22 korrik, Komuna e Tetovës e shpalli qytetar nderi Rifat Jasharin, vëllaun e Adem Jasahrit. Familja Jashari njihet për historinë e saj dhe kontributin në çështjen kombëtare të shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button