Nuk këndon bilbili kur i vë sorrën pranë

Sinori jonë ka lindur e rritur krijues të denjë letrarë (romansierë, dramaturgë, poetë, kritikë…), po, për çudinë e çudirave, për veprat e tyre shkruhet më rrallë se për mizërinë e shkarrashkrimeve mediokre, që trumbetohen dhe përhapen gjithandej me bujë si vlera kulminante. Natyrisht se gjithkush ka të drejtë të këndojë me zërin e vet, pavarësisht nëse u pëlqen apo nuk u pëlqen të tjerëve. Natyrisht se nuk ekziston asnjë kulturë dhe asnjë letërsi pa kotësirat e saj, por ne, si askush tjetër, nuk arrijmë të bëjmë ndarjen e vlerave nga jovlerat dhe të promovojmë arritjet më të rëndësishme letrare dhe jo vetëm, me të cilat duhet të kultivohet shija estetike, sepse e bukura, thoshte poeti i madh gjerman Fridrih Shiler: është çelësi i edukimit në përgjithësi.

Pikërisht paaftësia jonë dhe mungesa e guximit për të gjykuar pa hatër sajesat e skribomanëve, në njërën anë, dhe ofrimi i hapësirave mediale për të promovuar të shëmtuarën para të bukurës, dhe për ta bërë atë standard të kulturës dhe artit etnik, në anën tjetër, nxisin akulturimin e gjithanshëm pasojat e të cilit, më shumë se ne fajtorët (të mirët me të gjithë, robërit e hatrit të rremë, frikacakët, hipokritët, konformistët, kompromisaxhinjtë, kalkuluesit e gjithçkaje…) do t’i ndjejnë brezat pasardhës, do t’i ndjejë e ardhmja e sakatosur e më të dashurve tanë nga idiotësitë tona.

Në kësi rrethanash, invazioni i produktit mediokër është në rritje. Shikoni çfarë ngjet me muzikën shqipe të shndërruar në mizerje pornografike (respekt përjashtimeve!). Shikoni çfarë ngjet me humorin shqiptar të tkurur vetëm në tema uçkuresh. Hidhni një sy poezisë, tregimit, romanit, esesë shqiptare…, lexoni me kujdes “perlat” e prapakthimit për të diktuar më açik shtërzimet e injorancës së përkrahur e katapultuar shpesh edhe prej personamiltetesh dhe institucionesh që duhet të kujdesen pak më shumë për shpirtin tonë kolektiv.

Në këso zamanesh, më keq ndihen artistët e mirëfilltë, që përherë përbëjnë pakicën. Ata, ngjashëm si bilbilat: nuk këndojnë kur i kanë sorrat pranë.

Jo rastësisht Azem Shkreli konstatoi se: Stina më e keqe e një etnie është ajo kur rëndomësohet e keqja… Sipas tij: Mediokrët regjenerojnë, shumëzojnë dhe vazhdojnë vetveten. Ata pushtojnë forumet, institucionet, mjetet e informimit publik, redaksitë, botimet, duke krijuar gjithandej dhe me shpejtësi të madhe mekanizma mbrojtës e rrefuzues ndaj shfaqjes, afrimit dhe depërtimit të kujtdo që mund t’ua kërcënojë shansën e madhe. Dhe rrethi i tyre mbyllet…,  sepse smira e mediokërve nuk duron të prishet rendi i sundimit të saj…

Nuk qe i rastit as vendimi i Fatos Arapit për t’i vënë para kohe pikën krijimtarisë brilante poetike me deklaratën e dhimbshme: Thjesht, nuk kam dëshirë të shkruaj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button