RMV, përfundimisht nuk do të ketë transferim të administratës nga sektori publik në atë privat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut hoqi dorë nga plani për transferimin e të punësuarve nga sektori publik në atë privat si masë për të ulur numrin e të punësuarve në administratë. Kjo iniciativë u nis që në vitin 2019-të nga ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, u zbeh pasi u largua ai dhe në vend të tij erdhi Jeton Shaqiri dhe krejt në fund me ardhjen e Admirim Alitit në vend të Shaqirit, u shua, shkruan Portalb.mk.

Në kohë të krizës ekonomike të COVID-19 kur asgjë nuk ishte e sigurt, pos pagave të punësuarve në shtet, kush do ta ndërronte një punë të tillë? Ky ishte këndvështrimi skeptik për një iniciativë që kishte për qëllim me “joshje” të zvogëlohet numri i administratës publike, për të cilën vendi ynë merr vërejtje disa vite me radhë. Sidomos, vërejtjet në masë të madhe, ishin për shkak të “fryrjes” së institucioneve me militantë partiak, të cilët janë punësuar pa asnjë kriter.

Të punësuarit, ashtu siç deklaruan nga Sindikata e Administratës, ishin kundër kësaj iniciative, ani pse e njëjta ishte në bazë vullnetare, pra askush nuk do të transferohej me detyrim.

Premtimi i Mançevskit, mëdyshja e Shaqirit, heqja dorë e Alitit

Damjan Mançevski. Foto: Portalb.mk
Damjan Mançevski. Foto: Portalb.mk

“Deri në fund të vitit do të finalizohet procesi i riorganizimit dhe optimizimit të sektorit publik, ku do të kemi rezultate. Nuk mund të përgjigjet se për sa përqindje do të ulet administrata. Riorganizimi dhe optimizimi është projekt të cilin e punojmë bashkë me Bashkimin Evropian dhe SIGMA, kur të mbarojë do të kemi rezultate të sakta”, kështu ka deklaruar Damjan Mançevskit15 prillit të vitit 2019 në lidhje me çështjen e riorganizimit të administratës, pjesë e të cilës ishte edhe plani për transferimin e të punësuarve nga sektori publik në atë privat me qëllim që të ulet numri i madh i të punësuarve, pasi sipas tij “situata aktuale nuk mund të vazhdojë”.

Duhej të realizohej po atë vit, por prej kohës së kësaj deklarate kanë kaluar 3 vjet e gjysmë, periudhë në të cilën, pas largimit të tij, në kolltukun e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës janë ulur edhe dy ministra tjerë, të cilët gjithashtu premtojnë riorganizimin e administratës, por assesi nuk po përfundon.

Jeton Shaqiri prej shtatorit të vitit 2020 deri në fund të vitit 2021 ishte në pozitën e ministrit të MSHIA-së, ndonëse premtoi se do të vazhdojë me iniciativën për transferimin e të punësuarve nga sektori publik në atë privat, në praktikë iniciativa ishte në “komë”.

Jeton Shaqiri
Jeton Shaqiri

Portalb.mk,nëntor të vitit 2021, në ueb-faqen e Ministrisë, verifikoi dhe nuk mundi të gjejë asnjë kumtesë apo informatë në lidhje me rrjedhën e projektit në fjalë. Portalb.mk, disa herë nëpërmjet e-mail, sms porosive, por edhe thirrjeve telefonike, kërkoi nga shërbimet e Ministrisë dhe vetë ministri Shaqiri, që të na përgjigjen se deri ku është procedura e transferimit të administratorëve, megjithatë, nga MSHIA nuk u përgjigjën.

Me ardhjen e Admirim Alitit në pozitën e ministrit të MSHIA-së, pasi Shaqiri u bë ministër i Arsimit, iniciativa për transferim të administratorëve nuk është përmendur.

Portalb.mk e pyeti ministrin për çështjen në fjalë dhe ai tha se projekt formal nuk ka pasur, ka qenë një iniciativë, por konstatimet e tyre kanë treguar se nuk ka nevojë të realizohet.

Admirim Aliti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Admirim Aliti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Nuk ka projekt të tillë. Ka pasur disa iniciativa në të kaluarën për atë, megjithatë nuk ka ndonjë projekt formal, gjegjësisht ne nuk kemi data-baza ku mund të shohim se cilat janë kërkesat e sektorit privat që të dërgojmë njerëz nga sektori publik. Konstatimet e tona të deritanishme janë se nuk ka nevojë tani, pasi që shumë ministri kemi mungesë të kuadrit që duhet të punojnë në procesin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Këtu normalisht e kam fjalën për zyrtar administrativ të cilët janë në ministritë dhe në institucionet që janë nën [kompetencë] të Qeverisë. Kur flasim në mënyrë të përgjithshme për numrin e madh të të punësuarve që e kemi në administratën publike, këtu pjesa e madhe është në komuna, gjegjësisht në institucionet që janë nën [kompetenca] të komunave, arsimim dhe shëndetësi”, deklaroi për Portalb.mk, Aliti, para fillimit të një konferencë në Shkup më 19 tetor 2022.

Rikujtojmë që kjo nuk është e vetmja iniciativë, që njëherë promovohet dhe pastaj shuhet.

Në një intervistë për Portalb.mk, në qershor të vitit 2021 ministri Jeton Shaqiri premtoi se do të vendosen dokumentomate, aparate për nxjerrjen e dokumenteve në disa lokacione të vendit me qëllim të zëvendësimit të forcës punëtore.

Por, 3 muaj më vonë, me rekomandim të Qeverisë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës hoqi dorë nga dokumentomatet dhe siç njoftuan, në vend të tyre do të investohet në portalin për shërbime elektronike dhe në projektin me Postat e Maqedonisë ku në filialet e tyre do të hapen “Një pikë për shërbime”.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BEMinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare.

Lajme në lidhje me temën në fjalë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button