RMV, gjithmonë mund të bëhet më shumë për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara

Kjo javë filloi me shumë emocione dhe shumë dashuri. Të pranishmit në Festivalin e inkluzionit i cili u mbajt ditën e hënë e patën të vështirë t’i mbanin lotët. Ata qanin të mahnitur pas punëtorive për të shprehurit kreativ të personave me dhe pa aftësi të kufizuara dhe punëtorisë për zhvillimin e aftësive për komunikim përmes lojës për personat me dëgjim dhe shikim të dëmtuar kur skena u bush me valltarë dhe aktorë të rinj, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të rinjtë nga Studioja e vallëzimit Eureka, Kori Inkluziv Trisomia 21 dhe Kolektivi Veternica, shumë yje të muzikës, mes të cilëve ishte edhe Igor Xhambazov dhe pianistja Ema Ananievska përcollën mesazhin se ndaj personave me aftësi të kufizuara nuk duhet të sillemi si ndaj “gogoloçit” dhe se duhet të zhvillojmë empati.

“Përfshi inkluzion dhe le të mbetet i përfshirë“, tha Gere Tripkov nga Shoqata për përfshirje aktive dhe trajtim adekuat të personave me aftësi të kufizuara Ikualiti që ishte edhe organizatori i festivalit. Ai theksoi se nuk do ndalojnë me kaq, por se do punojnë që të dëgjohet zëri i tyre.

Në mesin e të pranishmëve që shijuan shfaqjet e baletit dhe shfaqjet muzikore ishte edhe euroambasadori David Geer. Për Meta.mk ai tha se është një mrekulli t’i shohësh këta të rinj si kërcejnë bashkë dhe se çfarë mund të bëjnë kur janë të bashkuar.

“Mendoj që inkluzioni është sfidë në shumë vende, por siç mund të shihni sjell edhe përfitime të mëdha sepse i bashkon njerëzit në komunitet që kujdesen që të japin një kontribut pozitiv me të gjitha aftësitë e tyre. Ka shumë gjëra që duhen bërë. Kjo mënyrë, përmes iniciativave individuale, shoqatave civile dhe individëve, është e mrekullueshme. Por, nevojitet edhe një angazhim nga Qeveria për deinstitucionalizim me çka këta persona do jenë nëpër shkolla dhe në kontekst. Ka arritje të mira, por natyrisht që gjithmonë mund të bëhet më shumë. Do ishte mirë të ndaheshin përvoja të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian”, tha ambasadori Geer.

Nikolla Stojanovski, gjimnazisti me sindromën Down bashkë me miqtë e tij mori pjesë në të gjitha performancat. Fytyra e tij rrezatonte gazim, mirëpo edhe pse tashmë kanë kaluar dy muaj që nga fillimi i vitit shkollor, ai vazhdon të shkojë në shkollë pa një asistent arsimor dhe pret miratimin e Ligjit për arsimin e mesëm që të mund ta realizojë të drejtën e tij.

Foto: Arkiv privat

Sipas informacioneve të fundit të cilat për Meta.mk i ndau ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri, vijon procesi i hartimit të Ligjit për arsimin e mesëm.

„Kemi një version fillestar, solid, të krijuar bashkë me të gjitha palët e përfshira dhe ai do përcillet në Qeveri dhe më pas edhe në Kuvend për debat dhe miratim përfundimtar. Shpresoj që i gjithë procesi të përfundojë së shpejti dhe të miratohet zgjidhja më e mirë ligjore që do të ofrojë asistencë arsimore për nxënësit me aftësi të kufizuara në shkollat e mesme shtetërore dhe komunale”, tha Shaqiri.

Ndërkohë, ambasadori kundër gjuhës së urrejtjes dhe fituesi i çmimit „Evropiani i vitit“ vitin e kaluar , Denis Jankullovski, mendon se Ligji për të cilin Ministria e Arsimit thotë se është në fazën e hartimit duhet të miratohet sa më parë.

“Para fillimit të verës disa nga prindërit kishin informacione se gjoja Ligji do të miratohej në gusht, por kjo ende nuk është realizuar. Mënyra e zgjidhjes së problemit me asistentët arsimor mbase është një nga çështjet më të vështira, sepse supozoj se ndoshta nuk ka numër të mjaftueshëm, por këtu mendoj se edhe financimi është një problem i madh, së pari sa i përket burimit nga vijnë paratë, por edhe shumës. Me sa duket familjeve u ka mbetur që të gjinden vetë, aq sa munden, sepse jo të gjithë arrijnë të gjejnë një asistent dhe jo të gjithë mund të ndajnë fonde nga buxheti për ta paguar asistentin. Ose e thënë më thjeshtë – vetëm ata e dinë se si ia bëjnë”, tha Jankulovski.

Duke folur në këtë temë ambasadori Geer rekomandoi shqyrtimin e shembujve dhe përvojave nga Italia.
„Mbështetja nga asistentët arsimor mund të bëjë një ndryshim të madh. Vërtetë, t’i shohësh këta persona si zhvillohen dhe mësojnë shpejt dhe mund të jenë pjesë e shoqërisë. Kjo ndihmë është shumë e rëndësishme që ata të mund ta japin më të mirën nga vetja dhe të kontribuojnë, sepse ata kanë shumë për të dhënë”, tha Geer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button