Kasami: Ka ankesa për zhurmë dhe pornografi në “Space” Tetova, reaguan vullnetarët: Kjo është shpifje

Vazhdojnë përplasjet mes të rinjve vullnetarë të Hapësirës Socio-Kulturore të njohur ndryshe si “Social Cultural Space” me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Komuna ka vendosur që kjo shoqatë t’i lirojë hapësirat, pasi siç thonë, dëshiron këtë vend ta lëshojë në përdorim edhe për të rinj tjerë. Kjo e fundit thotë se komuna shkel memorandumin sipas së cilit ata kanë të drejtë të shfrytëzojnë objektin deri në vitin 2024 dhe se aty ka vend për të gjithë. Kasami sot tha se mes tjerash, ka marrë vërejte se aty praktikohen aktivitete pornografike, ndërsa nga “Space” hodhën poshtë një gjë të tillë duke e konsideruar si shpifje, shkruan Portalb.mk.

Kronologjia e problemit

Në vitin 2018, organizata Democracy LAB së bashku me vullnetarë të rinj me ndihmën e një organizatë belge filluan realizimin e projektit për revitalizm të objekteve të braktisura në Tetovë. I vetmi objekt që i plotësonte kushtet për revitalizim ishte objekti tek ish “Radio Tetova” i cili është nën kompetencën e Komunës së Tetovës. Leja e Komunës për shfrytëzim dhe rehabilitim të objektit në fjalë u dha në formë memorandumi zyrtar mes dy organizatave me kohëzgjatje për disa muaj.

Pas skadimit të afatit të memorandumit të parë, vullnetarët krijuan shoqatën e quajtur hapësira Socio-kulturore Tetova (Social Cultural Space Tetova) me të cilën vazhdojnë të nënshkruajnë edhe 3 memorandume të tjera bashkëpunimi me Komunën e Tetovës me të cilët atyre iu mundësohet shfrytëzimi i kësaj hapësire.

Edhe pse në memorandum nuk është i definuar saktë se cili objekt u takon vullnetarëve por shkruan se “Space” mund të përdorin në përgjithësi gjitha hapësirat e braktisura në Tetovë, këta të fundit kanë ngelur në objektin tek ish “Radio Tetova” sepse ai është i vetmi i natyrës së tillë. Memorandumi i fundit i nënshkruar në prill 2021, u lejon atyre që hapësirën të shfrytëzojnë deri në prill të vitit 2024.

Më 17 tetor 2022, Komuna e Tetovës ka lëshuar vendim me të cilin, Njësia për kulturë dhe sport e komunës do të menaxhojë me aktivitetet kulturore në këtë vend dhe se aktivistët e Hapësirës Socio Kulturore duhej që të lëshojnë hapësirën për 4 ditë. Më pas nga komuna ua kanë zgjatur afatin deri në fund të këtij muaji.
Pas këtij vendimi të komunës, kishte reagime nga vullnetarët e rinj, përplasje kjo që vazhdon tani më 10 ditë.

Sot në konferencë për shtyp, Kasami duke e arsyetuar vendimin thotë se në memorandum nuk potencohet askund shfrytëzimi i hapësirave të objektit të ish Radio Tetovës, dhe se leje për shfrytëzim nuk mund të japë kryetari i komunës duke nënshkruar memorandume, por për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike kompetente është këshilli i komunës duke përfshirë edhe procedurat tjera ligjore.

Ai tha se Hapësira Socio Kulturore manipulon edhe shoqatat tjera simotra të cilat nuk e njohin problematikën, që sipas tij tenton në mënyrë të padrejtë që të përvetësojë këto hapësira me tendencën e krijimit të monopolit kundrejt shoqatave tjera.

“Komuna e Tetovës asnjëherë nuk ka penguar dhe nuk do të pengojë aktivitete kulturore, përkundrazi, ne si komunë gjithmonë kemi mbështetur dhe do të mbështesim aktivitete kulturore e veçanërisht aktivitetet rinore të cilat kanë për synim aktivizimin e rinisë në jetën publike. Që nga marrja e mandatit në komunë kanë ardhur shumë shoqata të cilët kanë kërkuar hapësira publike për realizimin e aktiviteteve të tyre, por ne në mungesë të hapësirave adekuate nuk kemi mundur tu sigurojmë hapësirat e nevojshme, kështu Komuna ka zgjedhë që objekti në fjalë të shfrytëzohet nga të gjithë organizatat që veprojnë në komunën tonë, përfshirë edhe shoqatën në fjalë, të cilët do të aplikojnë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, dhe kjo do të bëhet përmes Njësisë për kulturë dhe sport të Sektorit për veprimtari publike”, tha Kasami.

Të dyja palët me letra nga banorët

Kasami tha se ka ankesa nga anët e banorëve përreth Hapësirës Socio Kulturore.

“Duke llogaritur në ankesat e drejtuara deri në komunën e Tetovës (e paraqet dokumentin e peticionit) nga qytetarë të cilët kanë paraqitur ankesa të shumta e që unë do t’i përmendi disa nga ato: parkimi vend e pavend, hedhja e mbeturinave përreth objektit dhe përgjatë rrugës, muzika e zhurmshme deri në orët e hershme të mëngjesit, konsumimi i tepërt i alkoolit në mënyrë të pakontrolluar dhe punë të tjerë jo etike e veçanërisht për fëmijët e moshës së mitur”, tha Kasami.

Kërkesa e banorëve drejtuar Komunës së Tetovës
Kërkesa e banorëve drejtuar Komunës së Tetovës

Por, për këtë nga Hapësira Socio Kulturore thonë se edhe ata kanë letër të nënshkruar nga banorët e lagjes ku ata përkrahin aktivitetet e tyre. Ndërkaq, letrën e prezantuar nga Kasami e konsiderojnë si jo kredibile sepse mban datën e ditës së djeshme dhe sipas tyre është bërë pas vendimit të komunës.

“Sa për banorët e lagjes, ne kemi anketë të nënshkruar nga ata, në të cilën tregojnë se i përkrahin aktivitetet tona (anketë që është bërë kohë më parë, si shprehje kujdesi ndaj rrethit në të cilin veprojmë, dhe jo në moment të fundit për përdorim politik si ajo që u shfaq sot nga kryetari i Komunës). Po ashtu kemi edhe peticionin aktiv të nënshkruar nga më shumë se 600 persona të cilët nuk duan të mbyllet hapësira”, thanë nga Space Tetova.

Deklarata e Banorëve për Hapësirën Socio Kulturore

Kasami: Në atë hapësirë kryhen aktivitete pornografike

Kasami theksoi gjithashtu se ka ankesa prej prindërve për të rinjtë që janë nën moshën 18 vjeçare se aty bëhen aktivtete që realisht duhet të jenë për moshat mbi 18 vjeçare.

“Një pjesë e atyre aktiviteteve kanë qenë të prezantuara edhe në publik nga vetë shoqata. Ankesa të tilla kam edhe unë personalisht nga prindër të nxënësve të shkollave fillore”, tha Kasami.

I pyetur nga Portalb.mk se për çfarë aktivitete konkretisht e ka fjalën, Kasami u përgjigj shkurt: “Aktivitete pornografike”.

Reaguan nga Hapësira Socio Kulturore, thonë se kjo është shpifje dhe e pavërtetë.

“Kryetari në detyrë i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në press konferencën e sotme, përveç shpifjeve dhe qasjeve të gabuara të zakonshme për komunitetin, hapësirën tonë, dhe të rinjtë që kanë krijuar, mirëmbajtur dhe frekuentuar atë për 4 vjet, sot pa kurrfarë turpi, publikisht na akuzoi për organizim të “aktivitete pornografike” në hapësirat tona. Ne jemi të shokuar nga kjo deklaratë thellësisht fyese, në veçanti që ajo vjen nga hapësirat e komunës së qytetit, tempulli i cili do të duhej të ishte ndihma e parë në përmirësimin e kushteve dhe ofertës për qytetarët dhe të rinjtë”, thanë sot nga Hapësira Socio Kulturore.

Ata thonë se për këtë rast, do t’u drejtohen organeve kompetente ligjore, ambasadave të shteteve mike, shoqërisë civile dhe të gjitha grupeve formale dhe jo formale, e të gjithë qytetarëve të lirë që të dënojnë këtë fyerje ndaj tyre.

Nga policia thonë se nuk ka ankesa zyrtare.

“Deri më 25 tetor 2022, në Sektorin e Punëve të Brendshme- Tetovë nuk është raportuar asnjë rast në lidhje me organizatën sociologo-kulturore “Space Tetova”, nga sfera e rendit dhe qetësisë publike në formë të ankesave ose raportimeve, apo ndonjë veprimtari tjetër ilegale”, njoftuan për Portalb.mk, nga SPB Tetovë.

Reaguan nga Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë, thanë se mbrojnë dhe promovojnë aktivizmin rinor dhe inkurajojnë të gjitha institucionet që të përkrahin dhe sigurojnë kushte për të rinjtë.

“Me vëmendje e kemi ndjekur rastin me Qendrën “Social Cultural Space” me shpresë se problemi do të tejkalohet dhe jemi përmbajtur duke mos dashur të ngarkojmë politikisht këtë rast. Megjithatë, deklaratën e fundit të Kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e vlerësojmë si të ngutshme, të papranueshme dhe të dëmshme, aq më tepër kur për akuzat e tilla nuk ka dëshmi relevante. Duke pasur parasysh pozicionin me përgjegjësi që mban kreu i Komunës, presim që i njëjti të reflektojë, të mos përsëriten etiketime të tilla si dhe të gjendet zgjidhje e kontestit në fjalë”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë.

Çfarë më tutje?

Hapësira Socio Kulturore ka kërkuar takim me kreun e Komunës që të diskutojnë edhe njëherë këtë rast dhe të gjejnë zgjidhje.

“Hapësira ka qenë dhe do jetë për shoqatat tjera, ne kemi qenë urë lidhëse mes komunës dhe shoqatave tjera. Domethënë këtu janë bërë evente nga shumë shoqata që janë të Tetovës dhe më gjerë. Ne do ti marrim të gjitha mundësitë e mundshme për ta mbajtur hapësirën. Ne nuk e shohim të arsyeshme vendimin e komunës që e ka marrë kryetari. Ne kërkojmë që kjo të hidhet përsëri në këshillin komunal, të rishqyrtohet. Do kemi një mbledhje së shpejti për të vendosur për hapat e radhës. I humbim 4 vite pune vullnetare. Në komunë kemi dorëzuar plan për katër vite”, thanë nga Hapësira Socio Kulturore.

Kasami i pyetur nga Portalb.mk tha se do ta realizojnë takimin dhe se për të kjo nuk paraqet problem.

Për këtë rast, protestë simbolike u mbajt para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bruksel, ku organizata belge Toestand e cila ndihmoi në krijimin e Hapësirës Socio Kulturore kërkoi që vendimi i Komunës së Tetovës të tërhiqet prapa dhe këtyre vullnetarëve të mos ju merret hapësira. Ndër të tjera ata kanë hapur edhe një peticion online për shfuqizimin e vendimit nga Komuna.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button