Odiseadë vizash

Isha e ftuar të prezentoj në një konferencë ndërkombëtare lidhur me krimet e urrejtjes që mbahet sot në Dublin e që organizohet nga Këshilli i Evropës, me të cilin gjatë kësaj periudhe kryeson Irlanda. Me shumë dëshirë e pranova ftesën, sepse është gjithmonë sfiduese të bisedohet për mënyrat se si shtetet përballen me kriminalitetin e urrejtjes, që përfashin vepra penale të kryera me motive paragjykimi.

 Eksperienca e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim është majft interesante. Vërehet një ndryshim i vazhdueshëm i legjislacionit që ka rezultuar me rregullim të qartë dhe të saktë të përgjegjësisë penale për këto krime. Amandamentet e Kodit Penal që kanë hyrë në fuqi që në vitin 2018 kanë krijuar mundësi për identifikimin e hershëm të këtyre krimeve, ndjekjen penale dhe gjykimin e tyre. Gjithçka është ashtu siç duhet të jetë në legjislacion, të gjitha karakteristikat e mbrojtura janë të përfshira, bile edhe më saktë dhe më qartë se në disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat për shembull, ende nuk pranojnë t’i definojnë, t’i ndjekin dhe t’i gjykojnë krimet e kryera bazuar në paragjykim lidhur me orientimin seksual të viktimës. Edhe pse në aspektin ligjor Maqedonia e Veriut mund të shërbejë si shembull shumë pozitiv, në aspektin e vënies në praktikë të këtyre dispozitave ligjore, shteti ngec dukshëm, duke qenë se edhe pas gjithë këtyre viteve, ende nuk ka aktakuza konkrete dhe aktgjykime konkrete për raste të krimeve të urrejtjes. Këto krime identifikohen me mekanizma të kufizuara në polici, por fatkeqësisht të njejtat nuk vazhdojnë të ndiqen si të tilla në prokurori dhe në gjykatë, ku përfundojnë si krime ordinare, e jo si krime të urrejtjes që dënohen më ashpër se ato ordinaret.

 Për t’i prezentuar këto pika kyçe në këtë konferencë të nivelit të lartë, ku me shumë dëshirë u bëra gati të marr pjesë, u dasht që të kaloj nëpër odiseada të cilat i kisha harruar kohë më parë, që para se të vendoset liberalizimi i vizave për qytetarët e RMV në zonën Shengen. Irlanda, edhe pse anëtare e BE, akoma vazhdon ta zbatojë sistemin e vizave për qytetarët që vinë nga shtetet jashta BE-së. Për të marrë pjesë në konferencë njëditore, me ftesë të posaçme dhe me të gjitha shpenzimet e mbuluara, u dasht që dy javë të tëra të merrem me dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për vizë. Plotësova disa formulare, u regjistrova në dhjetëra ueb faqe, dërgova një sërë dokumentesh me DHL, bashkë me pasaportën, deri në Bukuresht ku gjendet ambasada më e afërt e Irlandës për ne, pastaj sërish prita që pasaporta të kthehet së bashku me vizën, për të vazhduar me përgatitjet tjera. Një ordalie e vërtetë vetëm për një ditë prezencë në një shtet të Unionit Evropian. E mbaj mend shumë mirë që para disa vitesh e ndiqja po të njëjtën procedurë dhe dorëzoja një sërë dokumentesh për të marë një vizë disa ditore për pjesëmarrje në konferenca. Javë e javë të mundimshme, intervista në ambasada të ndryshme, vetëm për të kaluar disa ditë në qarqe akademike e për të ndarë eksperienca që rrallë herë mund të krahasohen me qytetarët e privilegjuar të vendeve tjera që nuk i kanë këto mundime.

 Në kto ditë, kur në RMV qëndron Ursula Von der Laen, kur RMV po përparon dukshëm në rrugën e integrimeve evropiane, kur nënshkruhet marrëveshja me Fronteks që ka të bëjë pikërisht me përballjen me kriminalitetin tejkufitare, është mirë të kujtohemi në ditët kur ky rrugëtimi im i tanishëm ishte realitet që përsëritej gjatë çdo udhëtimi. Është mirë që ka mbaruar ajo kohë, e do të jetë ende më mirë që të mbarojë edhe kjo kohë e tashme dhe sa më shpejt të bëhemi anëtare e plotë e BE-së me të drejta të barabarta për lëvizje të lirë brenda këtij unioni dhe gjetiu në botë.

 Dua t’u them atyre  që janë skeptikë lidhur me atë se a duhet të integrohemi në BE apo të presim ditë më të mira, që herë pas here të provojnë të shkojnë në shtete ku ende na kërkojnë viza për të udhëtuar, vetëm për t’u rikujtuar se ku kemi qenë para disa vitesh e ku jemi tani. Atje ku kemi qenë mos u kthefshim kurrë, e atje ku jemi nisur arritshim sa më parë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button