Iniciativa “Njeriu i tejdukshëm” i Institutit Goethe dhe Fondacionit “Metamorfozis” u hap me ekspozitën “What the future wants”

Me ekspozitën interaktive “What the future wants” (Çfarë do e ardhmja) në Javna Soba në Shkup sot u shënua fillimi i iniciativës “Njeriu i tejdukshëm” të cilën e zbatojnë Instituti Goethe Shkup dhe Fondacionit “Metamorfozis”. Qëllimi i iniciativës është të promovohen aftësitë mediatike dhe informative të gjeneratave të reja si dhe rrethit të tyre – prindërve, arsimtarëve si dhe të tjerëve të interesuar, transmeton Portalb.mk.

Anke Holshtajn, foto: Goethe-Institute Skopje

Ngjarjen e hapi ambasadorja gjermane në RMV, Anke Hollshtajn, e cila në fjalimin e saj i vuri në pah disa nga rreziqet me të cilat ballafaqohen të rinjtë por dhe dhe më të vjetrit.

“Informacioni në internet përhapet po aq lehtë dhe shpejt sa edhe informacioni i supozuar. Dhe dhomat e jehonës pushtojnë shpejt përdoruesit e tyre. Shfaqen universe paralele. Shtrirja e ndikimit social, politik dhe kulturor të këtyre fenomeneve tashmë e përcakton jetën e përditshme. Politikën dhe diplomacinë gjithashtu: betejat e mediave sociale që shoqërojnë luftën e tmerrshme të Rusisë në Ukrainë po zhvillohen me aq ashpërsi, sa betejat e vërteta. Asnjë gënjeshtër nuk është shumë famëkeqe për të mos u përdorur. Komunikimi strategjik tashmë është bërë një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e punës sonë.” tha ajo.

Ambasadorja e rekomandoi filmin maqedonas “Motrat” ​​si një shembull të jashtëzakonshëm që ilustron qartë se si “të rinjtë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të mediave sociale, sepse nga njëra anë kalojnë shumë kohë në internet, dhe nga ana tjetër, ata ende nuk mund t’i vlerësojnë realisht dhe të rregullojnë situatat.”

Në ngjarje video fjalim mbajti edhe ministri i shoqërisë informatike dhe administratës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Admirim Aliti, i cili ritheksoi përkushtimin e institucioneve kompetente shtetërore për përmirësimin e situatës në procesin e transformimit digjital përmes përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara.

Drejtoresha e Goethe-Institut Shkup, Katrin Osvald-Richter tha se me „Der gläserne Mensch“ (“Njeriu transparent”), ata si institut kulturor gjerman në Evropën Juglindore, trajtojnë një temë që na shqetëson të gjithëve: promovimin e aftësive mediatike dhe informative të brezit të ri dhe mjedisit të tyre.

Drejtoresha e Goethe-Institut Shkup, Katrin Osvald-Richter, foto nga Goethe-Institut Shkup

“Lirisht mund të themi se kompetenca mediatike nënkupton kompetencë demokratike dhe nuk mendoj se duhet të theksoj se sa e rëndësishme është ajo për shoqëritë tona. Krahas rreziqeve dhe dukurive negative, interes të veçantë janë edhe dëshirat dhe ëndrrat e brezit të ri. Sepse bëhet fjalë për aftësinë për të dalluar lajmin dhe realitetin përkatës, për të marrë njohuri për logjikën e përzgjedhjes së sistemit mediatik. Njeriu duhet të jetë në gjendje të deshifrojë format e përfaqësimit mediatik dhe të dijë se si të përdorë median për të marrë informacion. Dhe të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për ekzistencën dhe funksionimin e algoritmeve dhe filtrave të informacionit, si dhe rolin e robotëve socialë dhe lajmeve të rreme. Këtu janë përmendur vetëm disa.Prandaj ju ftojmë të gjithëve të përfshiheni në këto tema. Përpara se t’i jap fjalën drejtuesit të projektit dhe ekipit të tij, i cili do t’ju informojë për ekspozitën dhe programin shtesë, dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë ekipin partner të organizatës Metamorfozissi dhe ekipin e Public Room për bashkëpunimin e këtij projekti.” tha ajo.

Drejtori për Zhvillimin e Partneriteteve dhe Zhvillimit të Fondacionit “Metamorfozis”, Filip Stojanovski, theksoi se është “jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë që nga mosha e hershme të përfshihen në luftën për të drejtat e njeriut në internet, ku përfshihet liria e shprehjes, siguria kibernetike dhe privatësia.”

Sipas tij, përvoja e Fondacionit “Metamorfozis” tregon se nevojitet një qasje sistematike dhe gjithëpërfshirëse duke kombinuar verifikimin e fakteve, promovimin e pluralizmit mediatik, shkrim-leximin mediatik dhe opinionin kritik si bazë për përballimin e valës aktuale të dezinformimit. Edhe në të kaluarën, “Metamorfozis” ka bashkëpunuar me organizata gjermane për zhvillimin e vlerave demokratike në sferën dixhitale, duke përfshirë  dhe Tactical Tech, dhe bashkëpunimi me Goethe-Institutin hap perspektiva të reja për përfshirjen e një rrethi më të gjerë të rinjsh dhe jo vetëm.

Goethe-Institut-i Shkup e zhvilloi ekspozitën “Çfarë do e ardhmja” në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Tactical Tech nga Berlini, e cila vepron në mbarë botën, së bashku me studentë nga vendet e rajonit, përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut. Ekspozita është pjesë e Javës Globale të UNESCO-s për shkrim-leximin në media, e cila mbahet për të dymbëdhjetën herë. Ngjarja qendrore në nivel global këtë vit do të mbahet në Nigeri me temën: “Të ushqejmë besimin: një imperativ i edukimit mediatik dhe informacionit”. (Nurturing trust: a media and information literacy imperative“).

Ngjarja “Njeriu i tejdukshëm” foto nga Goethe-Institut Skopje

Ekspozita “Çfarë kërkon e ardhmja” përmes gjuhës dhe dizajnit të përshtatshëm për të rinjtë pasqyron realitetin e tyre dhe i motivon të rinjtë të trajtojnë në mënyrë interaktive tema të tilla si bullizmi në internet, idealet e bukurisë, informacioni i rremë dhe varësia nga interneti. Ai mbahet njëkohësisht në Athinë, Ankara, Beograd, Stamboll, Izmir, Shkup, Sofje, Selanik dhe Tiranë.

Në këtë manifestim morën pjesë dhe pjesëmarrësit në krijimin e përmbajtjeve të ekspozitës gjatë vitit të kaluar shkollor, si nxënës të klasës së nëntë në shkollat ​​fillore në Prilep dhe Manastir. Ata, tashmë gjimnazistë, u shprehën të kënaqur me rezultatin dhe kërkuan përfshirjen sa më të gjerë të të rinjve në të gjitha proceset dhe vendimet që lidhen me jetën e tyre.

Përfaqësuesit e Institutit Goethe në Shkup, Falk Schleicher dhe Gordana Baboska, theksuan se synojnë që të rinjtë, por edhe prindërit e tyre, të kenë një pasqyrë të qartë të asaj që po ndodh në internet në mënyrë që të përballen së bashku me rreziqet.

Në vazhdim të inciativës “Njeriu Transparent”, Goethe-Institut-i së bashku me Fondacionin “Metamorfozis” do të zhvillojnë një sërë ngjarjesh dhe aktivitetesh: seminare për të rinjtë dhe stafin mësimdhënës, biseda me ekspertë, evente informuese për prindërit, këshillime anonime nga specialistë për të rinj, gara dhe takime rajonale për të rinjtë.

Ngjarja “Njeriu i tejdukshëm” foto nga Goethe-Institut Skopje

Aktiviteti i ardhshëm i iniciativës është biseda publike me ekspertë me temën “Prindërimi në një botë dixhitale – shpresat dhe frika në lidhje me ndikimin e teknologjisë te të rinjtë”, e cila do të mbahet të shtunën, më 29 tetor, nga ora 18:00 në “Javna Soba”, dhe në të njëjtën kohë do të transmetohet video live në ueb faqen e Goethe-Institut-it Shkup në “Facebook”.

Ngjarja e së shtunës ka për qëllim kryesisht prindërit. Pritet që në të të flitet për këndvështrime të ndryshme për fenomenin e botës dixhitale, ndaj së cilës janë të ekspozuar fëmijët e tyre dhe ata vetë. Ka mundësi që të gjithë të interesuarit të bëjnë pyetje para ngjarjes, në mënyrë që të përgjigjen ekspertët: Radmila Zhivanoviq – psikologe dhe psikoterapiste e akredituar, Arben Gudaçi – ekspert për mbrojtjen e të dhënave dhe Vladimir Petreski – redaktor në shërbimin e verifikimit të fakteve “Vërtetëmatës” i krijuar nga Fondacioni “Metamorfozis”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button