Messi lojtari më i shtrenjtë në Botë

Lionel Messi është lojtari më i vlerësuar i momentit në botën e futbollit. Në një studim të publikuar nga observatori i futbollit zvicerian, CIES, vlera e argjentinasit varion nga 190-215 milionë Euro, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo me pothuajse gjysmën e kësaj vlere dhe Luis Suarez që është ngjitur në vendin e tretë pasi kartoni i uruguajanit shkon deri në 110 milionë Euro. Kompania zviceriane bazohet në të dhënat aktuale të lojtarëve si mosha, eksperienca ndërkombëtare dhe pozicioni i tyre në fushën e lojës. Edhe në vendin e katërt qëndron një lojtar i Premier League. Ai është belgu i Chelseat, Eden Hazard, vlera maksimale e kartonit të të cilit shkon 85 milionë Euro, i ndjekur nga Neymar me 72, Pogba 70 apo Bale 68 milionë Euro.

Të dhënat nuk përputhen aspak me shifrat që përfliten në tregjet e merkatos së futbollistëve ku vlera e tyre rritet ndjeshëm edhe për shkak të konkurrencës. Në këtë listë, rritjen më të madhe në sezonin e fundit e ka pësuar vlera reale e uruguajanit Luis Suarez, i cili ndiqet prej disa javësh nga Reali i Madridit që kërkon ta transferojë në “Santiago Bernabeu”. Suarezi i kushtoi Liverpoolit rreth 30 milionë Euro në vitin 2011 kur e bleu nga skuadra e Ajaxit. Ndërkohë, përsa I përket Lionel Messit, zërat e merkatos identifikojnë një ofertë të Manchester City prej rreth 250 milionë Eurosh, por me rinovimin e ditëve të fundit do të jetë e vështurë që numri 10 të largohet nga skuadra ku u rrit profesionalisht.

Lajme të ngjashme

Back to top button