Vevçan, punoi 6 vite si mjek pa diplomë, banorët të tronditur: E quanim heroi ynë gjatë kovidit, kujdesej shumë për pacientët

Mjeku nga Vevçani, i cili 6 vite pa diplomë dhe pa fakultet të kryer të mjekësisë punoi në Shërbimin e urgjencës mjekësore në Shtëpinë e shëndetit, pa diplomë dhe me fakultetin e mjekësisë, ishte i preferuari i kolegëve të tij dhe pacientëve të cilët tani siç thonë ata janë në tronditje të madhe. Mjeku 33 vjeçar i padiplomuar trajtonte banorët që nga viti 2016, ndërsa diploma e falsifikuar e tij nga Fakulteti i shkencave mjekësore në Shtip ishte e vitit 2014. Oda e mjekësisë, gjatë kontrollit të sistemit, zbuloi se nuk kishte licencë për punë me një numër të tillë dhe me atë emër, kështu që menjëherë ka ngritur alarmin dhe më pas është denoncuar në polici, njofton Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Shtëpisë së shëndetit Jovan Stojkoski në deklaratën e tij të parë publike thotë se personi është punësuar me dokumentacion të plotë dhe në procedurë të rregullt.

“Vevçani ka organizuar kujdesin shëndetësor që nga viti 1936 dhe Shtëpia e shëndetit feston traditën 60-vjeçare. Kemi ndërtuar një reputacion gjatë brezave të mjekëve dhe personelit tjetër të kujdesit shëndetësor. Në mënyrë që të mos ketë spekulime dhe asnjë detaj në interes të hetimit, mund të them se pas alarmit të Odës kompetente, ne si institucion kemi njoftuar organet kompetente për të kontrolluar besueshmërinë e dokumentacionit të një personi të angazhuar fillimisht me kontratë pune, e më pas në procedurë të rregullt me ​​dokumentacion të plotë është pranuar në marrëdhënie pune si mjek”, thotë drejtori i Shtëpisë së shëndetit, ku në 60 vite ekzistencë të suksesshme ky është skandali i parë.

Stojkoski thotë se për punën e tij nuk ka pasur asnjë ankesë nga pacientët për gabim mjekësor, e as nga drejtuesit për kundërvajtje disiplinore. Ata kërkuan nga autoritetet që të përcaktojnë besueshmërinë e dokumentacionit të paraqitur nga personi gjatë punësimit të tij.

“Në shtatë ditët e kaluara pas njoftimit të organeve, dokumentacioni është siguruar nga MPB me udhëzim të prokurorit publik dhe me udhëzim të ministrit është bërë mbikëqyrje e jashtëzakonshme nga Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, si dhe kontroll nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, që do të thotë se për shumë kohë të shkurtër, institucionet iu përgjigjën dhe kryen inspektimet e nevojshme lidhur me këtë rast. Duke qenë se hetimet janë në vazhdim, nuk mund të komentoj detajet. Mund të them vetëm se për ne e gjithë kjo, për mua si drejtor, për punonjësit është një tronditje e madhe. Vevçani është një vend i vogël, bëhet fjalë për fate njerëzore, por le t’ia lëmë hetimit të thotë se çfarë dhe si. Përgjegjësia është individuale në çdo rast, nuk është kolektive, duke filluar nga unë dhe duke përfunduar me çdo punonjës. Institucioni shëndetësor është ekip që funksionon 24/7 365 ditë në vit në interes të qytetarëve dhe të presim që hetimi ta thotë fjalën e fundit”, thotë Stojkoski.

Gjashtë ditët e fundit, autoritetet kërkuan të gjithë dokumentacionin në ordinancën ku punonte mjeku me diplomë kontestuese. Prokuroria themelore publike për ngritjen e rastit tani kërkon kontroll të dokumentacionit nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, nga ku konfirmojnë se personi është regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 2008-2009, ndërsa për herë të fundit ka qenë aktiv në vitin 2014-2015 kur ishte apsolvent, por Fakulteti nuk ka lëshuar as diplomë as vërtetim për atë student.

Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat sipas udhëzimit të Prokurorisë Publike kompetente për zbardhjen e rastit.

“Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet raport adekuat, për të cilin publiku do të njoftohet me kohë”, thotë zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.

Banorët e Vevçanit thonë se shpesh herë kanë ditur ta lavdërojnë si mjek të mirë dhe të suksesshëm, por pas skandalit janë të tronditur që ia kanë besuar shëndetin një mjeku pa diplomë.

“Nuk ka pasur asnjë ankesë, ka qenë gjithmonë i sjellshëm, por kjo nuk i jep të drejtë të kurojë nëse nuk ka arsimin e duhur”, thonë disa nga banorët që kontaktoi Sdk, por donin të mbeten anonimë, pasi jetojnë në një vend të vogël, ku njihen ndërmjet veti. Treguan edhe se doktori i padiplomuar ka bërë festë për diplomimin e tij, ndërsa urime për diplomimin ka edhe në rrjetet sociale.

“Gjatë Covid-it ka qenë më i angazhuari, ka qenë vazhdimisht në dhomën ku isha shtrirë unë, si dhe pacientët e tjerë. E quajtëm atë heroi ynë. Gjithmonë i angazhuar, i buzëqeshur, plot energji. Nuk e di si mund ta bënte një gjë të tillë. Familja e tij konsiderohet modeste dhe e ndershme”, thotë një banor i moshuar i Vevçanit.

Pas zbulimit, mjekut që punoi 6 vite pa diplomë dhe pa leje pune është pezulluar përkohësisht, ndërsa më pas edhe ai vetë ka kërkuar ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button