Autoritetet nga Shipkovica: Fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalen, por rreziqet mund të reduktohen (Video)

Për banorët e fshatit Shipkovicë në Malësinë e Tetovës, frika nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore është e pranishme gjithnjë. Një nga kërcënimet më të mëdha për to është përroi i cili së fundmi ka filluar të ndërtohet. Pikërisht sot, në këtë vendbanim për të parë rrjedhën e punimeve që po realizohen në kuadër të Programit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut, autoritetet e përfshira në këtë drejtim vizituan banorët dhe folën para mediave, shkruan Portalb.mk.

Ky projekt që parasheh ndërtimin e përroit realizohet me përkrahje nga Ambasada e Zvicrës dhe me implementues të UNDP-së, ndërsa është hartuar nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

“Me masat e marra, si rezultat i studimeve gjithëpërfshirëse dhe planeve të vlerësimit të rrezikut nga përmbytjet, ne veprojmë në mënyrë parandaluese për të reduktuar rrezikun e përrenjve, përmbytjeve, rrëshqitjeve të tokës të cilave i nënshtrohet ky terren, rrisim qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e komuniteteve lokale për të trajtuar fatkeqësitë natyrore, si ajo e vitit 2015, e cila mori edhe viktima njerëzore”, tha Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Naser Nuredini, foto nga faqja zyrtare e Bilall Kasamit në Fb

Kryetari i Komunës së Tetovës, falënderoi palët e përfshira në proces për ndihmën për realizimin e këtij projekti projektit.

“Në bazë të informatave të cilat i siguruam, ky projekt është realizuar diku 50% të punëve të cilat duhet të bëhen deri në përmbyllje të të njëjtit”, tha Bilall Kasami, duke shtuar se me UNDP në Komunën e Tetovës janë në realizim edhe pesë projekte tjera.

Bilall Kasami, foto nga faqja zyrtare e tij në Fb

Rregullimi i përroit ka një gjatësi prej 3,6 km, me theks në pjesën e përroit që kalon nëpër fshat në një gjatësi prej 350 metrash dhe zbatohet nga muaji prill deri në nëntor të këtij viti. Investimi është 49% i financuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ndërsa 51% nga mjetet e Zvicrës.

“ Isha në këtë fshat shkurtin e vitit kaluar dhe premtova se do të kthehem kur do të jetë arritur progres, mund të them se ka disa vonesa por mund të shohim se është bërë punë. Projekti mbështet një set gjithëpërfshirës të masave zbutëse shtesë dhe masave për të rritur rezistencën”, tha ambasadorja e Zvicrës në vend, Veronique Hulmann.

Veronique Hulmann ,Foto nga faqja zyrtare e Bilall Kasamit në Fb

Për vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore ndryshimet klimatike shihen si një faktor që ndikon në shfaqjen e tyre.

“UNDP është këtu për të ndihmuar në vendosjen e një sistemi të koordinimit efektiv ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale, i cili është me rëndësi kritike në këtë proces. Qasja e integruar e nëntë komunave në rajonin e Pollogut në fund do të jetë përmirësimi i qëndrueshmërisë së përgjithshme të komunitetit ndaj përmbytjeve”, tha përfaqësuesi i UNDP-së, Armen Grigoryan.

Armen Grigoryan ,Foto nga faqja zyrtare e Bilall Kasamit në Fb

Ndër të tjera, ministri Nuredini theksoi se janë në bashkëpunim me Komunën e Tetovës për impiantin e trajtimit të të ujërave të zeza, financuar nga fondet IPA. Për dallim nga akuzat pushtet-opozitë, sot Nuredini së bashku me Kasamin theksuan se kanë bashkëpunim të mirë si institucione.

Përndryshe, qëllimi këtij Programi është të nxisë ndryshime transformuese në menaxhimin e rrezikut na përmbytjet në rajon, duke përshpejtuar kalimin nga reagimet thjesht reaktive ndaj përmbytjeve në sisteme të integruara për menaxhimin e rreziqeve, dobësive dhe ekspozimit të komuniteteve dhe të mirave materiale për të parandaluar/zbutur humbjet dhe për të lehtësuar ndikimin e përmbytjeve të ardhshme.

Kujtojmë që, vërshimet e vitit 2015 morën me vete katër jetë njerëzish në mesin e të cilëve edhe të një fëmije. Përpos Shipkovicës, dëme dhe viktima pati edhe në fshatrat Reçicë e Madhe dhe Poroj. Autoritetet premtuan zgjidhje, rregullim të shtretërve të lumenjve dhe ndihmë për banorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button