Për gjërat që (nuk) duhej të ndodhnin…

Historia merret me ngjarjet që kanë ndodhur dhe jo me ngjarjet që (nuk) duhej të ndodhnin. Por, nëse historiani merret vetëm me ngjarjet që kanë ndodhur, pa menduar edhe për ngjarjet që (nuk) duhej të ndodhnin, atëherë mund të bëhet vetëm regjistrues datash dhe të bie në lajthitje.

Nëse ai mendon edhe për ngjarjet që duhej të ndodhnin, por nuk ndodhën dhe për ngjarjet që ndodhën, por nuk duhej të ndodhnin, atëherë, me gjasë, do ta kuptojë më mirë realitetin e një kohe dhe rolin e protagonistëve të asaj periudhe.

Nga këndvështrimi i sotëm, nëse e bëjmë krahasimin ndërmjet asaj që duhej të ndodhte dhe nuk ndodhi dhe asaj që ndodhi e nuk duhej të ndodhte, vijmë në përfundimin se protagonistët e kohës sonë shënuan më shumë dështime se suksese; se ata nuk ishin heronj, por antiheronj.

Kur i dëgjon politikanët si flasin, atëherë mendon se ata, më shumë se për qytetarët, punojnë për historinë; më shumë se për të sotmen, punojnë për të nesërmen; më shumë se pragmatistë, janë idealistë e misionarë.

Pasi e dominuan të sotmen me marrëzitë e tyre, ëndërrojnë e mëtojnë ta mbizotërojnë edhe të nesërmen nëpërmjet meritave të paqena, mençurisë që u mungoi, trimërisë që nuk e dëshmuan.

Nuk mund ta dimë si do të shkruhet historia në të ardhmen, por duhet të lëmë shënime për historianët e së nesërmes që të mos bien në lajthitje dhe t’i paraqesin si figura të mëdha historike qeniet mediokre të kohës sonë.

Duhet shkruar “kohëtore të re” ku do t’i shënonim veset dhe marrëzitë e protagonistëve të kësaj kohe.

Le t’u flasim brezave të ardhshëm për gjërat që nuk ndodhën edhe pse duhej të ndodhnin dhe për gjërat që ndodhën dhe nuk duhej të ndodhnin.

Le t’u themi atyre se protagonistët e kohës sonë ishin tepër të zakonshëm për të qenë pjesë e historisë. Ata që na e nxinë të sotmen, së paku mos të lavdërohen nesër…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button