Sfidat e kryeministrit të ri të Britanisë

Brenda një viti Britania ka kryeministrin e saj të tretë. Ai është Rishi Sunak, udhëheqësi i parë me ngjyrë i vendit, raporton VOA. Tashmë para tij shtrohen sfida si zbutja e një krize ekonomike që ka lënë financat e vendit në një gjendje të pasigurt ndërsa miliona britanikë përballen me vështirësi për të paguar faturat e ushqimit dhe energjisë. Sot zoti Sunak u takua me mbretin Charles III në Buckingham Palace. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, vitet e kaosit politik kanë dëmtuar imazhin global të Britanisë.

Kryeministri i tretë i Britanisë në shtatë javë.

“Mbretëria e Bashkuar është një vend i madh, por nuk ka dyshim se përballemi me një sfidë të thellë ekonomike. Tani kemi nevojë për stabilitet dhe unitet”, tha kryeministri i zgjedhur Rishi Sunak.

Analistët thonë se kryeministri i ri ka një përparësi kryesore.

“Garantim të ekuilibrit ekonomik, krijimin e besimit tek tregjet financiare ndërkombëtare se Britania është e qeverisur sërish në mënyrë të arsyeshme”, thotë Tony Travers në universitetin London School of Economics.

Zoti Sunak mbante detyrën e ministrit të financave nën ish-kryeministrin Boris Johnson – i cili u tërhoq nga kandidimi të dielën, pas një përpjekjeje të shkurtër për t’u rikthyer në detyrë.

Liz Truss fitoi garën për të zëvendësuar zotin Johnson si kryeministër në shtator. Por ajo dha dorëheqjen javën e kaluar pasi planet e saj për uljen e taksave rritën kostot e huamarrjes së qeverisë.

Rishi Sunak – i cili humbi ndaj zonjës Truss në fushatën e mëparshme të udhëheqjes – fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve konservatorë të hënën, për të marrë përsipër rolin pa asnjë sfidë.

“Është vërtet konfuze. Dhe në skenën ndërkombëtare duket si një tallje e vlerave për të cilat Britania qëndronte”, thotë Quentin Peel me organizatën Chatham House.

Shumë britanikë thonë se duan stabilitet.

“Ne duhet ta rregullojmë këtë situatë. Jemi me të vërtetë në vështirësi. Nëse shikoni të gjithë shtypin e huaj rreth nesh, po na tallën”, thotë Keith Dargue, banor i Londrës.

“Do të doja që një qeveri e qetë të drejtonte vendin pas Brexit, pas një epidemie COVID dhe me kërcënimin e shpërbërjes së Mbretërisë së Bashkuar”, thotë Duncan Wood, një tjetër banor i Londrës.

Në gjashtë vitet që nga referendumi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, Britania ka pasur pesë kryeministra.

“Gjatë muajve të fundit të trazirave politike duket qartë se, ka thelbi ka qënë vendimi i Brexitit. Ky fakt është errësuar sepse COVID-i dhe lufta në Ukrainë u bënë grabitësit e mëdhenj të titujve të lajmeve. Largimi nga Bashkimi Evropian ka dëmtuar realisht ekonominë britanike”, thotë Quentin Peel me organizatën Chatham House.

Britania është e dyta pas Shteteve të Bashkuara në nivelin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Vazhdimi i kësaj ndihme është çelësi për rivendosjen e imazhit global të Britanisë, argumenton analisti Peel.

“Të mbështesim Ukrainën dhe t’i japim të gjithë ndihmën që mundemi për të siguruar që ata të mos e humbin këtë luftë me Rusinë. Së dyti, do të thoja se duhet të përmirësojmë marrëdhëniet me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian”.

Me inflacion mbi 10 për qind – dhe ekonominë që parashikohet të rrëshqasë në recesion – muaji politik i mjaltit për kryeministrin Sunak ka të ngjarë të jetë i shkurtër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button