Ivanovska pas akuzave të VMRO-së për pasuri sekrete të funksionarëve: Ligji për prejardhjen e pronës do të na lehtësojë punën

Nëse VMRO-DPMNE ka informacion le të paraqesin raport në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) dhe ne do të veprojmë, thotë kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, në një bisedë për “360 gradë” pasi partia opozitare akuzoi dje që 123 funksionar fshehin pasuri prej 30 milionë eurosh, transmeton Portalb.mk.

“Do të shohim se për çfarë bëhet fjalë. Kompetenca e KShPK-së është të kontrollojë listat anketuese, nëse ato përmbajnë të gjitha të dhënat që ne i konfirmojmë duke mbledhur dhe krahasuar informacione nga institucionet kompetente, si Agjencia e kadastrës, Ministria e Brendshme, DAP, etj. Kontrollojmë nëse ajo që është raportuar përputhet me atë që kanë regjistruar institucionet”, thotë Ivanovska.

Gjithashtu, siç shton kryetarja Antikorrupsioni kryen edhe kontrolle në bazë të zërave, planit vjetor, raporteve nga persona të tjerë…

Në rastin e aferës për të cilën akuzon VMRO-DPMNE, sqaron Ivanovska, nëse ka persona të tillë, ajo që mund të bëjë KShPK-ja është të shqiptojë gjobë nëse funksionarët kanë pronë të regjistruar në Kadastër, por nuk e kanë raportuar në listën anketuese.

Por në rast se kanë një pronë që nuk është e regjistruar në emër të tyre në Kadastër, atëherë këtu ka problem.

“Nëse prona nuk është e regjistruar në Kadastër, këtu është problemi që vazhdimisht theksojmë se ka rrezik të lartë të korrupsionit dhe prej tre vitesh kërkojmë që të miratohet Ligji për prejardhjen e pronës. Kur çdo qytetar i thotë vetes se nga është prona e tij, do të jetë më lehtë të verifikohet situata”, tha kryetarja e KShPK-së.

Krahas ligjit për origjinën e pronave, thekson ajo, në ndihmë të madhe për Antikorrupsionin do të jetë edhe vendosja në funksion e softuerit, i cili do të nënkuptojë lidhjen e të gjitha institucioneve, thekson ajo. Me të, deputetët do të plotësojnë në mënyrë elektronike listat anketuese dhe ata mund të krahasohen në kohë reale për të parë nëse përmbajnë të gjitha të dhënat për pronat e tyre apo jo.

VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, dje në një konferencë për media dha afat prej 24 orësh që institucionet t’i publikojnë emrat e 123 funksionarëve.

“Japim afat prej 24 orësh që institucionet t’i publikojnë vetë këta emra, në të kundërtën nga nesër do t’i publikojmë individualisht bashkë me pasurinë që fshehin. Pasi t’i publikojmë, do të kërkojmë edhe kontroll për origjinën e pasurisë, pse pasuria sekrete është sekrete për arsye të caktuara, ndërsa më e madhja është se ka mundur të jetë fituar në mënyrë të kundërligjshme”, tha Brane Petrushevski në një konferencë për media.

Ai tha se në listë janë edhe zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së, e në mesin e tyre ka kryetarë komisionesh, drejtorë dhe drejtues të institucioneve. Sipas VMRO-DPMNE-së po fshihen shtëpi, banesa, vikend shtëpiza, hapësira afariste, aksione në kompani, depozita…

Nga ana tjetër, LSDM-ja u shpreh dhe i bëri thirrje opozitës që informacionet t’ia dorëzojë KShPK-së dhe iu përgjigj akuzave duke thënë se Pallati i Bardhë i VMRO-DPMNE-së është sinonim i krimit dhe i pasurisë së paligjshme në shpinën e qytetarëve.

Ndërkohë kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e këtij viti. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button