Mbyllet greva e të larguarve nga puna

Të larguarit nga puna në administratë njoftuan mbylljen e grevës së urisë në ditën e 15 të saj.

Njoftimi u dha pasditen e së mërkurës nga drejtuesja e grevës, Nërtila Qafzezi, e cila tha se greva arriti qëllimin e saj, të ndërgjegjësojë opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare dhe se të larguarit janë në pritje të plotësimit të pesë kërkesave të tyre nga ana e Kryeministrit Rama.

“Arritëm të ndërgjegjësojmë opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare dhe jemi në pritje të plotësimit të pesë kërkesave tona nga ana e Kryeministrit”, deklaroi Qafzezi.

Greva u ndërpre në ditën kur në Tiranë mbërriti Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle i cili njohu qeverinë shqiptare me vendimin e Komisionit që sugjeron dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me kryeministrin Rama, Fyle komentoi edhe grevën e urisë.

“E shoh me shqetësim grevën e urisë së të larguarve nga puna. U bëj thirrje grevistëve të mos vënë jetët e tyre në rrezik. Ne po ndjekim çështjet nga afër dhe po flasim në mënyrë të rregullt me qeverinë”, tha Fyle.

Gjatë dy javëve të saj greva është mbështetur edhe nga opozita. Vetë kreu i Partisë Demokratike dhe deputetë të saj kanë vizituar herë pas herë grevistët dhe pavarësisht kësaj, grevën e kanë cilësuar si jo politike.

Ndërkohë, disa qindra metra më tej, përballë Kuvendit vijon greva tjetër. 17 ish të përndjekur politikë janë ngujuar prej tetë ditësh. Drejtuesit e grevës kërkojnë dëmshpërblim të menjëherëshëm të tyre, pavarësisht se qeveria nëpërmjet Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Ministrisë së Financave ka nisur shpërndarjen e kësteve për këtë kategori.

Nga greva janë distancuar një pjesë e madhe e ish të përndjekurve. Kreu i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, Skënder Tufa e cilëson grevën tërësisht me prapavijë politike dhe të nxitur nga Partia Demokratike. / Top Channel

 

Lajme të ngjashme

Back to top button