Sot në Shkup do të hapet iniciativa – “Njeriu i tejdukshëm” për edukim më të madh mediatik të të rinjve

Ndërhyrja “Njeriu i tejdukshëm”, organizuar nga Instituti Goethe në Evropën Juglindore, do të hapet sot, më 25 tetor, në “Dhomën publike” dhe ofron mundësi për të rinjtë dhe rrethin e tyre që të inkurajojnë edukimin e tyre mediatik dhe informativ dhe njohjen e fenomeneve si p.sh. bullizmin kibernetik, idealet e bukurisë, informacionin e rremë dhe varësinë nga interneti, transmeton Portalb.mk.

Kjo ndërhyrje, siç theksuan organizatorët, nxitet nga realiteti i ri i pashmangshëm ku informacioni në internet përhapet shpejt dhe lehtë. Shkalla e ndikimit social, politik dhe kulturor e këtij fenomeni lë gjurmë në jetën e përditshme në shumë vende të Evropës Juglindore dhe të botës.

“Personalitetet nga politika dhe ekonomia përpiqen të pozicionohen dhe të fitojnë me ndihmën e përdorimit të synuar të informacionit – shpesh në kurriz të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë së njerëzve. Njerëzit shpesh u referohen burimeve të pa verifikuara dhe kështu krijojnë informacion të rremë që shpejt bëhet viral dhe pjesërisht ka pasoja fatale për shoqërinë civile”, thonë nga Instituti Goethe.

Gjatë javës Globale të UNESCO-s për edukimin mediatik dhe informativ, Goethe-Instituts Athinë, Ankara, Beograd, Stamboll, Izmir, Shkup, Sofje, Selanik dhe Goethe-Center Tirana do të ofrojnë ngjarje të shumta në format online dhe offline në rajon. Ato do të jenë të destinuara për të rinjtë, prindërit e tyre, si dhe mësuesit dhe persona të tjerë të interesuar.

Në hapje të Ndërhyrjes “Njeriu i tejdukshëm”, të pranishmëve me fjalën përshëndetëse do t’u drejtohen Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Anke Holstein dhe Ministri i Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës, Admirim Aliti,  dhe me këtë do të shënojnë fillimin e iniciativës.

Në dy javët në vijim do të shihet ekspozita “Çfarë do e ardhmja” e OJQ-së Berlin “Tactical Tech”, e cila është krijuar së bashku me të rinjtë nga Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit. Nëpërmjet gjuhës dhe dizajnit të përshtatshëm për të rinjtë, ekspozita bazohet në realitetin jetësor të shumë të rinjve. Me këtë, “Çfarë do e ardhmja” i motivon të rinjtë që në mënyrë interaktive të trajtojnë temat aktuale të botës virtuale.

Gjatë dhe pas ekspozitës, e cila do të zgjasë deri më 4 nëntor, së bashku me fondacionin “Metamorfozis”, do të ofrohen ngjarje dhe aktivitete të shumta, si p.sh., seminare për të rinjtë dhe stafin mësimdhënës, biseda me ekspertë, ngjarje informative për prindër, këshillime anonime nga specialistë për të rinjt, gara dhe takime rajonale rinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button