RMV, Infektologjia pa ngrohje, pacientët po “ngrijnë”, drejtoresha thotë se i kanë mbajtur ngrohtë me batanije

Pacientët me Covid-19 të shtrirë në Klinikën e infektologjisë në Shkup nuk kanë ngrohje qendrore. Familjarja e një pacienti të shtrirë në këtë klinikë tregon se babai i saj 70-vjeçar, i cili është pozitiv me koronavirus dhe me pneumoni është ankuar se e ka shumë ftohtë në dhomë. Ajo tha se atyre nuk u lejohet të marrin as ngrohje alternative, transmeton TV21.

“Më thirri dhe më tha, jam ngrirë. Ata janë njerët që tërë ditën rrinë shtrirë, llogaritni sikur në bodrum të rrini tërë ditës shtrirë, edhe të shëndoshë të jeni do të sëmureni. Nuk ka ngrohje, nuk ka qenë fare e lëshuar dhe kjo vërehet ngaqë mjekët janë me bluza të trasha. Pyetëm pastaj, ka klima dhe përse nuk i lëshoni, na thanë se u janë mbledhur komandat për të kursyer rrymë dhe pyetëm pastaj a guxojmë të sjellim nxemje alternative dhe na thanë se këtë mund ta bëni nëse na aprovon drejtoresha e spitalit”, tha një familjare e pacientit në lidhje telefonike.

Ngrohja qendrore në Spitalin infektiv nuk është lëshuar fare që kur ka nisur sezoni i ngrohjes. Kontaktuam me drejtoreshën e kësaj klinike, Milena Stevanoviq, e cila pranoi se ka telashe me ngrohjen, por sipas saj ky problem është i zakonshëm.

“Ka pasur probleme, kjo ndodh shpesh në fillim të sezonit të ngrohjes, por po rregullohet dhe pasdite do të ketë githçka që duhet në klinikë. A është e vërtetë që tashmë një javë nuk ka ngrohje? E kemi lëshuar, por pastaj e kemi ndalur sepse kishte defekt, sot po e rregullojmë”, deklaroi Stevanoviq.

E pyetur se përse nuk përdorën ngrohjen alternative, Stevanoviq tha se pacientët i kanë mbajtur ngrohtë me më shumë batanije.

“Nuk kishte nevojë për ngrohje alternative, por u vendosëm më shumë batanije. Tani kemi pak pacientë, rreth 26”, pohoi drejtoresha Stevanoviq.

Pyetëm edhe në Ministrinë e Shëndetësisë se si ka mundësi që pacientët me gjendje të rëndë shëndetësore të infektuar me Covid-19 të lihen në të ftohtë, por nga atje deri tani nuk kemi marrë përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button