Jeton Shaqiri: Nuk ka alternativë më të mirë se mësimi me prezencë fizike

Nuk ka alternativë më të mirë se mësimi me prezencë fizike, thotë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në një intervistë për Agjencinë e lajmeve Meta.mk, duke komentuar njoftimet jozyrtare se këtë dimër për shkak të krizës energjetike mund të kthehet mësimi në distancë. Por, siç shton ai, për mbajtjen e orëve me prezencë fizike është e nevojshme që, krahas MASh-it, edhe shkollat edhe komunat t’i respektojnë masat për kursimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes, transmeton Portalb.mk

Ministri Shaqiri në intervistë u përgjigj edhe pyetjeve për vonesën e teksteve shkollore dhe tha që kjo gjë deri diku është rezultat i kompleksitetit të Ligjit për tekstet shkollore „i cili parasheh një sërë procedurash me afate kohore konkrete”. Siç thotë ministri, nuk është e vërtetë që nxënësit kanë mbetur pa libra. Për tekstet e reja shkollore ai bëri të ditur se nxënësit do t’i marrin ato në fillim të muajit nëntor.

Në periudhën e kaluar janë aktuale dilemat se si do të organizohet mësimi këtë dimër në kushte të krizës energjetike. A keni ndonjë plan, këtë dimër a do të mësohet nga shtëpia dhe si do të zgjidhet kjo me arsimin e lartë? A po mendohet për zgjatjen e pushimit dimëror për nxënësit?

Nëse do ndodhte diçka që do e çrregullonte funksionimin normal të shoqërisë, shkollat duhet të jenë të fundit që do të mbyllen dhe të parat që do të hapen. Sepse nuk ka alternativë më të mirë se mësimi me prezencë fizike. Ne kemi ndërtuar një sistem të mësimit në distancë dhe ai është dëshmuar si funksional, por edhe zbatimi i tij në rrethana të jashtëzakonshme ka përparësitë e veta, ai ka edhe sfida që ndikojnë në cilësinë e njohurive të studentëve. Ndërveprimi i drejtpërdrejtë midis nxënësve dhe mësuesve, kur edhe njëra edhe tjetra palë janë fizikisht të pranishëm në të njëjtin mjedis, mundëson efektivitet më të mirë. Jo vetëm MASh-i, por edhe komunat dhe drejtoritë e shkollave duhet të ndihmojnë që mësimi të mbahet në formën në të cilën edhe filloi viti i ri shkollor – me shkollat plot nxënës dhe me një proces mësimor normal. Qeveria miratoi një pako me rekomandime dhe detyra për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe ngrohjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat do të zbatohen në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 31 mars të vitit 2023. Këto rekomandime vlejnë edhe për shkollat dhe nëse i respektojmë do të kemi sukses në këtë qëllim tonin dhe do ta kalojmë më lehtë këtë periudhë krize. Kemi dërguar kërkesë në Qeveri, kemi përgatitur informacion, që shkollat të mos e paguajnë energjinë elektrike sipas tarifës industriale. Kërkesa është shqyrtuar dhe pranuar nga Këshilli Ekonomik dhe Energjetik dhe shpresojmë që Komisioni Rregullator i Energjetikës të marrë një vendim përfundimtar me qëllim që shkollat të jenë pjesë e tregut të rregulluar të energjisë elektrike, ku çmimi përcaktohet nga ky organ rregullator dhe që për këto institucione arsimore do të ishte më i ulët se ai deri më tani.

Gjatë periudhës së kaluar pati reagime për faktin se ende nuk ka tekste shkollore të prodhuara sipas Konceptit të ri për arsimin fillor. A nuk do të ishte më e lehtë nëse MASh-i, në koordinim me Byronë dhe Shërbimin Pedagogjik, do të angazhohej që tekstet të përgatiteshin gjatë verës, në mënyrë që nxënësit t’i merrnin në kohë dhe t’i përdornin në mësim?

Procesi i përgatitjes, miratimit përfundimtar dhe dorëzimit të teksteve të reja për nxënësit është mjaft kompleks dhe edhe pse fillon në kohë, ndodh që të zgjasë edhe deri në disa muaj dhe të mos përfundojë para fillimit të vitit të ri shkollor. Kështu ndodhi edhe këtë herë, por fatkeqësisht nuk mund të veprojmë ndryshe nga se që parashikon Ligji për tekstet shkollore, i cili definon një sërë procedurash me afate konkrete. Duhet të publikohet një thirrje publike për dorëshkrime, pastaj një thirrje për përzgjedhjen e recensentëve, pastaj të shqyrtohen dhe të vlerësohen dorëshkrimet dhe nëse ka vërejtje, të bëhet korrigjim në një pjesë të caktuar të tekstit shkollor. Ndodh që për një lëndë të mos paraqitet asnjë autor. Pastaj ka edhe një procedurë të caktuar për zgjedhjen e operatorit ekonomik që do të bëjë redaktimin teknik, përkthimin, printimin, shpërndarjen. Shpresoj që vitin e ardhshëm të kemi ndryshime në zgjidhjen ligjore, të thjeshtohen segmente të caktuara dhe situata të këtilla të mos ndodhin më. Megjithatë, shpreh kënaqësinë që tekstet e reja për klasat e para, të dyta, të katërta dhe të pesta për të cilat ka planprograme të reja tashmë janë duke u shtypur dhe siç thashë, deri në fund të këtij muaji do të arrijnë tek nxënësit, të cilët, më duhet ta përsëris këtë, nuk janë lënë pa tekste. Ato kanë materiale mësimore cilësore që mbulojnë materialin e tremujorit të parë, të cilat i siguruam para fillimit të vitit shkollor dhe në datën 31 gusht u dorëzuan nëpër shkolla. Pra, nxënësit nuk i kemi lënë pa kurrfarë mjetesh mësimore dhe për këto materiale ka pasur reagime pozitive nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Këto nuk janë kopje të zakonshme bardh e zi, por materiale të përgatitura mjaft cilësore. Më lejoni t’i kthehem përgatitjes të teksteve të reja shkollore. Siç theksova, për nxënësit më të vegjël të shkollave fillore ato tashmë janë duke u shtypur dhe më pas do të shtypen edhe të gjitha tekstet e tjera të destinuara për klasat më të larta, të cilat janë të reja dhe do të përdoren për herë të parë këtë vit. I gjithë procesi i dorëzimit, e kam fjalën për të gjitha tekstet që janë të reja dhe do të përdoren për herë të parë, do të përfundojë diku kah fillimi i muajit nëntor.

Kur u bëtë ministër thatë që do i vizitoni të gjithë rektorët në vend që të shihni se me çfarë problemesh përballen universitetet. Çfarë zbuluat, çfarë hallesh kanë fakultetet?

Ashtu është. Kam vizituar pjesën më të madhe të universiteteve në vend, publike dhe private, dhe gjithashtu komunikoj rregullisht me udhëheqësitë e tyre – drejtpërdrejt, si dhe përmes Konferencës Ndëruniversitare si një organ që përfaqëson interesat e institucioneve të arsimit të lartë në vend dhe merr pjesë në krijimin e iniciativave dhe politikave së bashku me MASh-in. Universitetet, ato që financohen nga shteti, kanë nevojë për më shumë kuadro. I kuptoj plotësisht, sepse ka vende vakante që nuk janë plotësuar për vite me radhë dhe personalisht si ministër po mundohem ta plotësoj këtë nevojë sipas mundësive buxhetore, duke pasur parasysh se jemi në një periudhë krize. Kjo është një sfidë. Një sfidë tjetër është sigurimi i vazhdimësisë në rritjen e pagave. Dhe jam plotësisht dakord që duhet të ndodhë, sepse po flasim për mësuesit, për ata që krijojnë brezat e rinj dhe të ardhmen e vendit. Po rrjedhin bisedimet për këtë çështje dhe shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje reciproke të pranueshme, e theksoj sërish, një zgjidhje që do jetë në frymën e situatës aktuale dhe që shteti do të jetë në gjendje ta përballojë. E treta, mendoj se duhet një angazhim edhe më i madh për të krijuar programe studimore cilësore, për të tërhequr më shumë studentë vendas dhe të huaj sepse janë edhe burim financimi i punës së institucioneve të arsimit të lartë. Kështu, cilësia e përgjithshme e arsimit të lartë do të shkojë përpara dhe shpresoj që një ditë si vend të kemi përfaqësuesit tanë ndër më të mirët në ranglistën e Shangait.

Ministër, për vite me radhë breza të tërë nxënësish të arsimit të mesëm profesional mësojnë nga kopje bardhë e zi, përkthime apo nga diktimet që ua bëjnë profesorët. Kjo është kështu sepse rrallëherë ndonjë autor aplikon në thirrjet e MASh-it për përgatitjen e teksteve për lëndët profesionale sepse kompensimi që ata marrin është i vogël. A keni një plan për ta zgjidhur këtë problem të kahershëm që nxënësit e shkollave të mesme të mund të mësojnë nga tekstet e duhura?

Ekziston një rregullore në bazë të së cilës përcaktohet se sa do të marrë autori i një teksti dhe në të janë të përcaktuara kritere si përfaqësimi i lëndës në mësimdhënie, vëllimi i lëndës etj. Mesatarisht, tarifa është rreth 300 mijë denarë dhe pajtohem që ndoshta duhet të jetë më e lartë, e në këtë mënyrë të rritet motivimi i atyre që kanë potencial për të krijuar tekste shkollore. Nëse e hapim edhe Ligjin për tekstet shkollore me një debat të sërishëm, sigurisht që do të diskutohet edhe kjo temë.

Në fillim të mandatit tuaj thatë se prioritet do të jenë investimet në shkencë dhe në laboratorë. Çfarë jeni duke bërë për ta përmirësuar trajtimin e shkencës në vend?

Buxheti për shkencë këtë vit është rritur sepse u mor vendim për mbështetjen e realizimit të projekteve hulumtuese shkencore të cilat i realizojnë institucionet shkencore publike, e që janë në interes të shtetit dhe qytetarëve, si dhe për zhvillimin e infrastrukturës së laboratorëve në institucionet publike të arsimit të lartë tek ne. Kuptohet që nevoja është më e madhe nga ajo që e sigurojmë ne. Shkencëtarët dhe hulumtuesit kanë nevojë për më shumë mundësi për ta ngritur kreativitetin e tyre dhe për ta realizuar potencialin e tyre të plotë, por është mirë që gjërat filluan të ndryshojnë dhe që për këtë fushë e cila duhet të jetë një nga shtyllat themelore të përparimit të përgjithshëm ekonomik shoqëror ndahen më shumë mjete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button