Të rinjtë në Tetovë janë të varfër sepse i vjedh komuna

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut janë të vjedhur nga shteti, pushtetarët, ata që vetë të rinjtë i quajnë “liderë”. Të gjitha hapësirat, vendet e punës, pagat, të drejtat për arsimim, janë vjedhur pamëshirshëm për vite të tëra. Tani Komuna e Tetovës po tenton të vjedhë edhe hapësirat socio-kulturore që vetë të rinjtë i kanë krijuar me shumë mund dhe punë vullnetare. Mund ta kuptoj se përse me kërkesën për rikthim të Qendrës Socio-Kuluturo Tetova udhëheqësia mund të mendojë se thjeshtë po ja rikthen komunës një hapësirë që i përket asaj, sepse kjo udhëheqësi nuk e ka shkelur asnjëherë këtë hapësirë. Fundja, sa ju bëhet vonë pushtetarëve për kulturën dhe të rinjtë? Sa ata duan të dijnë se çfarë ndodh në këto hapësira? Apo ju interesojnë të rinjtë vetëm kur ju duhet vota e tyre? Dhe më e rëndësishmja, ku janë ata të rinj që kanë kërkuar votë në emër të Lëvizjes Besa, tani kur të rinjve po ju merret kjo hapësirë kaq e rëndësishme?

Kohë pas kohë kur vizitoj hapësirën takoj fëmijë që pikturojnë e vizatojnë, luajnë ping-pong apo shohin ndonjë film. Janë këta “fëmijët e mëhallës”, ashtu ju pëlqen të prezantohen. Janë shumë krenarë që i përkasin një mëhalle që ka një hapësirë të tillë të cilën mund ta vizitojnë çdo ditë, në krahasim prej fëmijëve më pak të privilegjuar që vijnë vetëm me raste. A ka menduar komuna si do të ju arsyetohet fëmijëve? Ne, shfrytëzuesit e hapësirës, ende nuk kemi gjetur frazën e duhur për t’u thënë fëmijëve: “Na falni, komuna ka vendosur të ua marrë këtë hapësirë. Këtë e kanë bërë pa asnjë plan, duke kërkuar madje ta boshatisni të njëjtën për katër ditë. Komunës nuk i bëhet vonë për kohën e harxhuar për të dizajnuar programe që do zgjasin me vite. Komuna kërkon të shkelë mbi mundin e të rinjve, dhe do ta bëjë të njëjtën edhe me ardhmërinë tuaj”.

Kam folur me ca njerëz për hapësirën, për rrezikun që të rinjtë ta humbasin këtë hapësirë. Kam kuptuar që shumicës nuk i intereson, madje ca besojnë se “ani se komuna e menaxhon më mirë”. Këta janë njerëz që nuk e kanë idenë se sa shumë mund dhe energji është harxhuar për ta shndërruar atë hapësirë në një vend për të gjithë. E gjitha punë vullnetare. Hapësira vazhdon të mirëmbahet nga vullnetarë të rinj të palodhshëm që janë të gatshëm që çdo organizate apo individi të ua ofrojnë ndihmën e nevojshme për ta shfrytëzuar këtë hapësirë: sepse kjo hapësirë, është e të gjithëve, thonë ata. Ne, shfytëzuesit e hapësirës, nuk jemi të gatshëm ta lejojmë që hapësira të shndërrohet në ca zyra të ftohta, ku ca administratorë do të punojnë e nuk do të ju bëhet vonë nëse e shërbejnë apo jo klientin e rradhës.

Komuna dëshiron të vazhdojë të vjedhë dhe unë nuk mendoj se do të mund të qëndrojmë indiferent ndaj vjedhjes. Ne qëndrojmë të painteresuar ndaj vjedhjes sepse nuk e kuptojmë se çka po na vjedhin. Nuk është se kemi pasur ndonjëherë hapësirë socio-kulturore. Dhe ashtu si me drunjtë, ende pa ua pare frutat, po tentojnë të ua presin rrënjët. Kam përshtypjen se kemi ngecur në vendnumëro. Sa mendojmë që kemi filluar të ndërtojmë diçka të bukur, ndërrohet pushteti dhe na kthen në zero sërish, në vend që të vazhdojë të ndërtojë. Nuk është më as “punë partish”, sepse të gjithë janë dëshmuar të jenë të njëjtë.

Komuna kërkon që ata të menaxhojnë me hapësirën, tani që hapësira është plotësisht e renovuar dhe nuk duhet investuar asgjë në të nga ana e saj. Komuna dëshiron të menaxhojë ajo me aktivitetet e organizatave joqeveritare që duan ta shfrytëzojnë hapësirën. Ne e kemi parë se çfarë ndodh saherë komuna menaxhon diçka: janë selektivë. Kush është me partinë, i shfrytëzon benefitet, e kush nuk është ngelë me gisht në gojë. Ne duam që hapësira të vazhdojë të jetë e të gjithëve, dhe kjo do të arrihet vetëm nëse vazhdon të menaxhohet objektivisht.

Vullnetarët e hapësirës kanë harxhuar kohë dhe energji për të dizajnuar projektet që realizohen aty. Le të na thotë komuna, si pretendon të shkel me këmbë këtë mund në vetëm katër ditë? Si pretendon komuna që ne thjeshtë të heqim dorë nga gjithçka që është ndërtuar aty me vite, thjeshtë sepse dikujt i është kujtuar që ndoshta është mirë t’i vjedhë këto hapësira?

Nuk e di si i bëhet halli kësaj pune, por dua të di një gjë: ku dhe kur është protesta?

Autore: Rita Behadini

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button