Mbi disidencën letrare

Fenomeni i disidencës është i vjetër sa vetë arti dhe prezent në të gjitha epokat historike. Më e njohura është disidenca e sh. XX, e lindur nga egërsia e sistemeve totalitare, si: stalinizmi, maoizmi, titizmi, enverizmi dhe izmat e tjerë që dallohen vetëm për nga niveli i egërsisë së manifestuar ndaj mendimit ndryshe, veçmas ndaj mendimit të shkruar të krijuesve që nuk i duronin dogmat shtypëse dhe nuk ishin pjesë e rapsodëve obortarë.

Janë të shumtë studiuesit që më të njohur e konsiderojnë disidencën ruse, nga gjiri i së cilës dolën emra primetejësh të shquar, si: Ana Ahmatova, Osip E. Mandelshtami, Marina Cvetajeva, Boris Pasternaku, Aleksandër Shollzhenjicini etj.

Më e re, më e vogël me numër krijuesish, po dhe më e orgaizuar se ajo ruse qe disidenca çekosllovake, e cila u lind në vitet e ‘70-ta, e prirë nga Manifesti Politiko – Letrar, i krijuesit Jan Patocka, që shkundi themelet e regjimin komunist dhe trasoi rrugën e rebelimit letrar, të ndjekur më pas nga shkrimtari i shquar Vaclav Havel.

Letërsia shqipe gjatë periudhës komuniste gjithashtu ka një listë të gjatë krijuesish të ekzekutuar, të persekutuar dhe të përndjekur, si: Musine Kokalari, Pjetër Arbnori, Uran Kalakula, Ndre Zadeja, Kasem Trebeshina, Vinçenc Prendushi, Bernardin Palaj, Lazër Shantoja, Ndoc Nikaj, Nikollë Mazreku, Zef Pllumi, Zef Simoni, Ethem Haxhiademi, Mitrush Kuteli, Vedad Kokona, Trifon Xhaxhika, Suzana Selenica, Ahmet Golemi, Faik Ballanca, Zyhdi Morava, Roland Gjoza, Namik Mone, Bilall Xhaferi, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Visar Zhiti, Aleksandër Gera, Ernest Perdoda etj. Krijues të tillë pati edhe në trojet e mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, që nga Adem Demaçi dhe poeti i talentuar tetovar Sadudin Gjura, vdekja e të cilit ka mbetur enigmatike, e gjer tek krijuesit e shumtë që kaluan nëpër kazamatet sllave, në veçanti pas viteve të furtunshme si: 1945, 1968, 1981, 1991… Të gjendur nën regjimet e egra sllave, për të cilët Konica thoshte se nuk duan t’na mundin, po t’na zhbëjnë…, krijuesit në fjalë nuk i patën as kushtet më minimale për t’iu përkushtuar pasionit të tyre. Për ironi të fatit, ata nuk e gëzuan as lirinë e një Pjetër Bogdani apo të një Shtjefën Gjeçovi, jeta krijuese e të cilëve u zhvillua në djerrinën otomane. Shi për këtë, u desh të pritet dalja në skenën letrare e poetit promete – Esad Mekulit, i cili, në kushtet e një inkuizicioni të paparë rankoviqian, u vu në kërkim të udhëve të ngritjes së institucioneve kulturore, që kulminuan me shtëpinë e famshme botuese “Rilindja”, nga gjiri i së cilës dolën gjithë mediet e shkruara të Kosovës, që rritën më pas shkrimtarë dhe poetë të shquar si: Anton Pashku, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Nazmi Rrahmani…

Rezatimi i kësaj rilindje u ndie edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë, ku nisi botimi i gazetës “Flaka e vëllazërimit” dhe revistës për art e kulturë “Jehona”, rreth të cilave u tubuan shkrimtarët: Lutfi Rusi, Mehmedali Hoxha, Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ali Aliu, Luan Starova, Rexhep Zllatku e disa të tjerë që i kontribuan ruajtjes së shpirtit dhe përgatitën skenën letrare për brezat tjerë, të cilët shmangën me zhdërvjelltësi direktivat zhdanoviste të tipit jugosllav dhe i hapën udhë disidencës së heshtur estetike – sfidave të pabujë, të praktikuara që herët nga Pashko Vasa, Naim e Sami Frasheri, që jepnin përshtypjen e krijuesve lojalë ndaj pushtetit të kohës së tyre, me qëllim të krijimit të hapësirës së nevojshme për të shkruajtur e për të bërë ato që dihen në favor të çështjes dhe të kulturës shqiptare.

Të kuptohemi: disidenca e heshtur nuk mund të barabitet me disidencën e paguar me jetë krijuesish që bënë flijimet më sublime në emër të shprehjes dhe lirisë së mendimit. Disidencën në fjalë nuk e krahasojmë as me atë të krijuesve të torturuar në mënyrën më çnjerëzore, për shkak të ndeshjes së vetëdijshme apo të rastësishme me regjimin totalitar, me dhunën e dogmave zhdanoviste. Megjithatë, fakti se fenomenit të disidencës nuk i është dhënë akoma një përkufizim i qëndrueshëm ka lënë hapësirë të mjaftueshme që të flitet për shumësi disidencash. Kështu, përveç përkufizimit bazë që për disidencë të vërtetë konsideron atë kur shkrimtari sfidon pushtetin diktatorial, duke qëndruar në vendin e vet, flitet shumë edhe për disidencën e heshtur, disidencën e mërgimit nga atdheu apo disidencën estetike të krijuesve që anashkalojnë kufijtë e tolerueshëm të cilësdo ideologji të mbrapshtë politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button