U tentua kontrabandimi i vajit motorik nga Maqedonia e Veriut në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës kanë pranuar informatë se nga fshati Tanushë i Maqedonisë së Veriut është duke lëvizur një furgon i bardhë, pa targa, për të cilin dyshohej se bartte mallra të kontrabanduara, raporton Kallxo.

Sipas njoftimit, këto mallra dyshohej se do të vinin në drejtim të Vitisë. Pas kësaj, Policia ka thënë se janë ndërmarrë masat e nevojshme operativo-taktike, duke bërë kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësorë të fshatrave të Vitisë.

Sipas Policisë, njësitet e angazhuara policore, ndërkohë kanë pranuar informata tjera relevante se furgoni i dyshuar, i cili kishte sjellë mallrat nga Maqedonia e Veriut i kishte shkarkuar ato diku në fshatin Drobesh të Vitisë.

Sipas Policisë, mallrat ishin ngarkuar në një automjet tjetër transportues, WV Caddy, ngjyrë e kuqe me targa vendore. Policia ka thënë se ky mjet transportues ishte nisur në drejtim të rrugës Viti – Gerlicë.

“Gjatë një veprimi taktik, Policia e Kosovës ka arritur që në fshatin Sodovinë të Vitisë ta ndalojë automjetin e lartcekur që drejtohej nga i dyshuari me inicialet B.K., nga Ferizaj” – ka thënë Policia.

Tutje u tregua se gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar janë gjetur të ngarkuar vajra motorike, 70 pako me nga 10 litra, që në total kanë qenë 700 litra, të cilat dyshohet se ishin të kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës.

Policia tha se rasti është duke u trajtuar nga autoritetet për procedura të mëtejme ligjore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button