Do të pastrohen lokacionet e ndotura me merkur, duke filluar nga OHIS-i

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të fillojë me hartimin e Strategjisë për identifikimin e lokacioneve të ndotura me merkur. Veprimtaritë e dokumentit do të zbatohen praktikisht në impiantet e merkurit të ish-gjigantit OHIS, si pilot-lokacion. Këtë e njoftoi ministri Nuredini në fjalimin e tij në ngjarjen hyrëse të projektit “Forcimi i kapaciteteve kombëtare për zbatimin e Konventës së Minamatës për merkurin me fokus në hartimin e një strategjie për identifikimin e vendeve të ndotura me merkur”, transmeton Portalb.mk.

“Konventën e Minamatës për merkurin e kemi nënshkruar në korrik 2014, dhe në vitin 2020 me Ligjin e ratifikimit e ratifikuam dhe kështu u bë anëtare e plotë e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare. Qëllimi i Konventës është të kontribuojë në minimizimin e efekteve të dëmshme të merkurit në mjedisin jetësor dhe shëndetin e njeriut, si në kornizën kombëtare dhe rajonale, po ashtu edhe në atë globale”, njoftuan nga MMJPH.

Nga atje shtuan se duke pasur parasysh aspektin multisektorial të zbatimit dhe pranisë së merkurit në të gjitha sferat e jetës njerëzore (industri, shëndetësi, ekonomi, financa, bujqësi, shkencë, sektori joqeveritar), bashkëpunimi ndërmjet të gjithë palëve përkatëse në vend është vendimtare dhe duhet të kontribuojë në realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të planifikuara të projektit. Një bashkëpunim i tillë do të sigurojë një bazë të dhënash cilësore si pikënisje për përcaktimin e veprimeve specifike që do të përfshihen në një plan kombëtar zbatimi për reduktimin dhe eliminimin e merkurit në vend. Merkuri është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve dhe kërkon një qasje strategjike të përpunuar për të identifikuar terrenin e kontaminuar.

“Zhvillimi i Strategjisë për identifikimin e vendeve të ndotura me merkur dhe aplikimin praktik të saj në një pilot-lokacion të përzgjedhur në ish-gjigantin Ohis mbështetet financiarisht nga Fondi i Programit Specifik Ndërkombëtar të Konventës së Minamatës në kuadër të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin”, thuhet në njoftimin e MMJPH-së.

 Maqedonia e Veriut është nënshkruese e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që rregullojnë dhe lehtësojnë trajtimin e sigurt të kimikateve të rrezikshme, transferimin ndërkufitar të mbeturinave të rrezikshme dhe ruajtjen e tyre, si Protokolli i Montrealit, Konventat e Stokholmit, Roterdamit dhe Bazelit, dhe një sërë nismash tjera jo më pak të rëndësishme ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button