Sot zhvillohet skriningu shpjegues i RMV-së për kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”

Sot në Bruksel po mbahet takimi shpjegues i shkriningut për kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”, në të cilin zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq tha se kemi nivel të lartë të përputhshmërisë në këtë fushë dhe se Qeveria është e përkushtuar për krijimin e një klime biznesi të favorshme dhe tërheqëse për investime dhe drejtimin e biznesit, nëpërmjet zhvillimit të kornizave strategjike, transmeton Portalb.mk.

“Ky kapitull është një udhërrëfyes për një ekonomi më konkurruese dhe prezanton standarde të reja evropiane në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe në politikën industriale të vendit. Procesi i negociatave nënkupton edhe përgatitje për lidhje me kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe qasje më të mirë në burimet e financimit, që padyshim është në interes të kompanive maqedonase”, tha kryenegociatori me BE-në, Mariçiq.

Mariçiq theksoi se Direktiva e BE-së për luftimin e pagesave të vonuara lidhet me shumë dokumente strategjike që mundësojnë një klimë të favorshme biznesi dhe parime për zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike, instrumentet për të mbështetur konkurrencën, rritjen, inovacionin, ndërkombëtarizimin dhe politikat sektoriale, duke theksuar se Qeveria i përkushtohet krijimit të një klime biznesi të favorshme dhe tërheqëse për investime dhe kryerjen e biznesit, duke zhvilluar korniza strategjike në këtë fushë.

“Kemi miratuar edhe Strategjinë kombëtare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2018-2023, dhe është e rëndësishme të theksohet se jemi në proces të zhvillimit të Strategjisë për specializimin të mençur, gjegjësisht smart, si një strategji e re për inovacion dhe konkurrencë. Ky dokument është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë, sipas metodologjisë së Qendrës së përbashkët kërkimore dhe presim që të finalizohet deri në fund të këtij viti”, tha Mariçiq.

Si dokument kryesor strategjik, Mariçiq iu referua edhe Strategjisë industriale të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2018-2027, e cila integron masat nga Plani për rritje ekonomike dhe fokusohet në zhvillimin e industrisë prodhuese.

Në takimin e skriningut, u theksua se në vitet e kaluara Maqedonia e Veriut ka punuar në transpozimin e legjislacionit përkatës të BE-së në legjislacionin kombëtar të Maqedonisë dhe se është arritur një nivel i lartë i përputhshmërisë, dhe në këtë kontekst zëvendëskryeministri Mariçiq tha se Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për disiplinë financiare, përveç që është në përputhje me Direktivën për vonesat e pagesave (2011/7/BE), tashmë është miratuar nga Qeveria dhe tani është në procedurë parlamentare.

Lidhur me presionin me të cilin është përballur qeveria në vitet e fundit nga COVID-19 dhe krizat energjetike dhe ushqimit, Mariçiq theksoi se kishte ndikim të fortë në kompanitë dhe theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikave dhe instrumenteve të qeverisë për të mbështetur kompanitë në punën e tyre, tranzicion dhe rritje.

“Sa i përket përgjigjes ndaj krizës me të cilën u përballëm, si Qeveri u kemi ofruar kompanive pako gjithëpërfshirëse masash për t’i ndihmuar në kohën e kovid-it dhe kemi zhvilluar një sërë masash për të luftuar presionin nga çmimet e energjisë”, tha Mariçiq para përfaqësuesve të Komisionit Evropian.

Pas përfundimit të takimit për kapitullin 20, do të zhvillohet edhe skrining-takimi shpjegues për kapitullin 29, “Bashkimi doganor”.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button