Tetovë, qytetarët luftojnë për jetë me qentë endacakë, autoritetet nuk marrin masa (VIDEO)

Assesi të zgjidhet problemi me qentë endacak në Tetovë. Qytetarët për çdo ditë përballen me rrezikun që u kanoset derisa shkojnë në shkollë, punë apo mjek derisa autoritetet nuk ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar situatat tmerruese, ashtu siç e përjetoi qytetari Agron Arifi i cili u sulmua nga një tufë qensh endacak dhe për fatin e mirë disa kalimtarë të rastësishëm i ndihmuan që të shpëtojë nga qentë e tërbuar, megjithëse ai mbeti me lëndime dhe traumë psikologjike, shkruan Portalb.mk.

Dje në rrjetet sociale qytetari Agron Arifi shpërndau videon kur ai sulmohet nga një tufë qensh endacakë në Tetovë. Ai thotë se kjo nuk ka qenë sulmi i vetëm pasi që nga muaji korrik ai është sulmuar gjashtë herë, ndërsa vetëm tre herë gjatë këtij muaji. Për çdo herë, ai thotë se rastet i ka paraqitur në institucione, mirëpo asgjë nuk është ndërmarrë.

“Paraqitjet e rastit në polici ishin tragjiko-komike se përgjigjja ishte se kur do kafshohesh nga qeni atëherë mund ta paraqes si rast, çdo ankesë tjetër është e kotë. Prej në gusht e kam kontaktuar Amosin që është e angazhuar nga Komuna e Tetovës për problematikën e qenve endacak, deri më sot asnjë përpjekje nga ana e tyre, as mesazhet nuk i kthejnë, e në telefon është e pamundur të lidhesh. Pas shumë përpjekjeve i kapa në telefon dhe u ofrova që t’i ndihmojë edhe unë në lokalizimin e qenve agresiv. Më premtuan që ditëve në vijim do ketë aksion mirëpo asgjë konkrete nuk ka”, sqaroi Arifi.

Në video mund të shihet momenti kur qentë sulmojnë qytetarin:

Ai thekson se trrishtuese është impotenca e autoriteteve komunale për të ndihmuar, pasi siç thotë inspektori ku ai e ka paraqitur rastin disa herë nuk ka informata se kush nga udhëheqësia e komunës kontakton me Amosin dhe se e kanë ngushëlluar se duhet të merr masa personalisht për zgjidhjen e problemit.

“Nëse autoritetet komunale deklarohen publikisht si të paaftë për zgjidhjen e këtij problemi që rrezikon sigurinë e qytetarëve në atë rajon dhe të nxënësve të shkollës “Istikball” do duhet detyrimisht si lagje të organizohemi dhe këtë rrezik ta eliminojmë, në të kundërtën çdo pasojë është direkt përgjegjësi e autoriteteve komunale”, përfundoi Arifi.

Plagë pas sulmit nga qentë endacakë, Foto: Agron Arifi

Mes tjerash ai tha se edhe qeni i tij shpesh herë sulmohet prej qenve endacakë kështu duke i shkaktuar edhe plagë. Për të cilën ka edhe raport na veterinari.

This slideshow requires JavaScript.

Vetëm këtë vit janë paraqitur 50 raste të sulmimit nga qentë në Tetovë

Në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, siç njoftuan nga atje për këtë vit, konkretisht nga 1 janari deri më sot (20 tetor) vetëm në Tetovë janë raportuar 50 raste nga qytetarët për sulmim nga qentë endacakë.

Mirëpo, ky numër është më i lartë, pasi jo të gjitha rastet e sulmeve qytetarët i paraqesin në polici.

Qentë endacakë, foto: Agron Arifi

Komuna e Tetovës: SPB Tetovë të mos lejojë të sillen qen endacakë nga komunat tjera

Komuna e Tetovës për Portalb.mk njofton se ende nuk ka krijuar plan aksional të ri, përpos kontratës ekzistuese me AMOS PET, pasi aq ishin paraparë mjete nga buxheti i kaluar. Ndërkaq thonë se përgjegjësia nuk duhet të kërkohet vetëm te ata.

“Në buxhetin e radhës do të parashihen më shumë mjete. Shtimi i qenve tjerë të rinj endacak është si rezultat i mospasjes së një agjende nacionale, ku do të ketë ndëshkime edhe për personat fizik dhe juridik të cilët në mënyrë klandestine sjellin qen endacak nga komunat tjera. Këtë ne si komunë nuk mund ta ndalojmë pasi nuk kemi mekanizëm për një gjë të tillë. Përgjigje për këtë duhet të japë SPB Tetovë”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Programi aktual i Komunës së Tetovës për këtë problem nuk parasheh zgjidhje afatgjate

Portalb.mk paraprakisht ka shkruar se problemi me qentë endacak në Komunën e Tetovës nuk do të zgjidhet plotësisht këtë vit.

Në korrik të këtij viti, Komuna e Tetovës nënshkroi  marrëveshje me “Amos Pet”- shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë që parasheh që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen të shpëtuar nga rrugët, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet.  Vlera e kësaj marrëveshjeje është 1.271.186 denarë, që do të thotë se trajtimi i një qeni kushton 15.500 denarë.

Qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram.

Shoqata “Amos” edhe pse për Portalb.mk njoftoi se kur të vijnë në Tetovë të kapin qen do lajmërojnë që të raportojmë para publikut se si bëhet kjo procedure dhe sqarime të tjera, të njëjtën nuk e kanë bërë deri më tani.

Zgjidhja shihet te strehimorja rajonale, e cila nuk dihet kur do jetë gati

Kujtojmë që  shpresat ishin te ndërtimi i qendrës rajonale për strehimin e qenve endacak për tërë komunat e Pollogut, por e njëjta dështoi  pasi komuna e Bërvenicës refuzoi ndërtimin në territorin e saj.

Pas mbledhjes së fundit të kryetarëve të Komunave të Pollogut, ky kryetar i tyre ështël Bilall Kasami, ai njoftoi se në Komunën e Vrapçishtit do të ndërtohet strehimore për trajtimin e qenve endacakë për këto komuna, me fonde ndërkombëtare dhe me mbështetje të komunave të rajonit të Pollogut.

Përndryshe, problemi me qentë endacak mbetet kronik për shumë komuna në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button