Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian me mbështetje, eurodeputetët bullgarë me sulme për RMV-në

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian mbështetën edhe një herë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndryshe nga ata, eurodeputetët bullgarë kritikuan ashpër autoritetet në Maqedoninë e Veriut, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Andrej Kovaçev shprehu zhgënjimin pas bashkimit të qeverisë dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut në lidhje me miratimin e ligjit për shoqatat e qytetarëve, ndërsa Angell Xhambaski foli për “urrejtje” me djegien e klubit bullgar në Manastir dhe protestat në Ohër duke pretenduar se ligji që po miratohet në Kuvendin e Maqedonisë është në favor të ndalimit të emrave bullgarë.

Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Oliver Varhejli, tha se nuk do të komentonte këto ngjarje pasi ato janë duke u hetuar në vend dhe Komisioni po monitoron se çfarë po ndodh.

Paraprakisht, deputetja e të Gjelbërve, Tinele Strik, kërkoi nga Bullgaria dhe vendet e tjera anëtare të BE-së që të respektojnë premtimet e bëra dhe të sigurohen që të mos ketë më veto nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri Varhejli, i cili para disa ditësh prezantoi para eurodeputetëve në Komisionin e Punëve të Jashtme analizat dhe parashikimet e Komisionit për politikën e zgjerimit evropian në kuadrin e një situate të vështirë gjeopolitike, në fjalimin e tij në seancën plenare këmbënguli në ndikimin e financimit të para-anëtarësimit, gjendjen e shtetit të së drejtës në vendet e anëtarësimit dhe çështje të tjera të reformave themelore.

Ai theksoi se BE-ja dhe Komisioni do t’i përkushtohen më shumë projekteve energjetike afatshkurtra dhe afatmesme, si transmetimi i energjisë elektrike, ngrohja kolektive dhe problemi i migracionit, i cili është një presion në rritje për vendet e rajonit.

Varhejli kujtoi se Maqedonia e Veriut dhe Serbia tashmë kanë marrë pjesë në takimin për blerjen e përbashkët të energjisë për të reduktuar varësinë nga burimet ruse të energjisë.

Lidhur me detyrimet e vendeve të rajonit, Varhejli këmbënguli në detyrimet e vendeve të rajonit në përmbushjen e detyrimeve të reformave, duke përshëndetur mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare më 19 korrik të këtij viti me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u bërë thirrje atyre për të përdorur procesin e skriningut për të vazhduar në ritmin e reformave.

Eurodeputetët, me përjashtim të disa prej tyre, kryesisht nga e djathta ekstreme, përshëndetën fillimin zyrtar të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë korrikun e kaluar dhe i bënë thirrje BE-së të liberalizojë regjimin e vizave për Kosovën. Ata gjithashtu kërkuan që Serbia të respektojë masat kufizuese të BE-së kundër Rusisë. Pjesa më e madhe e tyre u zotuan se BE-ja do t’i përmbushë premtimet ndaj vendeve të rajonit.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button