KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për rrymën në veri

Bashkimi Evropian njoftoi se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe Elektrosever nga Mitrovica e Veriut, më 18 tetor kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë, raporton REL.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri.

BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova kishte nisur procedurat e parapara në marrëveshje, për t’i hequr licencën kompanisë serbe Elektrosever për të operuar në Kosovë.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektroseveri ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i BE-së.

Sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, nëse Elektrosever nuk përmbush kriteret 100 ditë pas marrjes së licencës, atëherë do të zhvilloheshin konsultime 15-ditore nën ndërmjetësimin e BE-së. Pas kësaj, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës do të mund të vendoste për pezullimin apo tërheqjen e licencës të lëshuar ndaj Elektroseverit.

Blloku evropian ka bërë thirrje që palët të zbatojnë pa vonesa të gjitha obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi, pasi me afrimin e stinës së dimrit, sipas BE-së, nuk ka kohë për të humbur.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së dërguar REL-it.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.

Udhërrëfyesi për energjinë, por edhe pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë që qytetarët e dy shteteve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim – pa dokumente shtesë – përmenden si sukseset më të mëdha të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në këto dy muajt e fundit.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se vizita e fundit në Kosovë dhe Serbi, e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, krahas temave të tjera, kishte për qëllim që të bindte palët që të zbatonin pa vonesa Marrëveshjen për Energjinë.

Lajçak u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor dhe katër ditë më vonë u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit me liderin serb, Lajçak deklaroi se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button