Disa bëjnë shaka, të tjerët nuk i respektojnë masat për kursim të energjisë elektrike në kushte të krizës

Rrobat dhe enët të lahen gjatë tarifës së lirë të energjisë elektrike, pas përfundimit të punës të fiket kompjuteri, frigoriferi të mos lihet të punojë në temperaturën më të ulët dhe uji në bojler të ngrohet aq sa kemi nevojë dhe gjatë tarifës së lirë të energjisë elektrike. Këto janë vetëm disa nga 29 rekomandimet për kursimin e energjisë elektrike për amvisëritë, të cilat i publikoi Qeveria më 16 gusht të këtij viti, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Rekomandime për kursim, gjithsej 12, u publikuan edhe për komunitetin e biznesit, ndërkohë që Qeveria përgatiti edhe detyra për institucionet publike (ministritë, agjencitë, organet e administratës shtetërore) dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat duhet të ulin shpenzimin e energjisë për 15 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Këto dy muajt e fundit pas publikimit të rekomandimeve për kursimin e energjisë qytetarët kanë bërë shaka e gif-e në rrjetet sociale, si një lloj gare se kush do dalë më zbavitës. Mjafton një shëtitje e shkurtër gjatë natës nëpër rrugët e Shkupit për të parë se ndriçimi dekorativ i fasadave të objekteve të kompanive nuk është fikur në çdo vend. Të dhënat qeveritare të publikuara tregojnë se jo të gjitha institucionet e kanë kuptuar seriozisht obligimin që prej shtatorit duhet të kursejnë të paktën 15% te rryma e shpenzuar në krahasim me të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Meta.mk bisedoi me Bojan Kordallov, komunikolog dhe kryetar i Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektiva euroatlantike, për mënyrën se si janë komunikuar dhe zbatuar deri më tani masat e planit „Kursim i energjisë për dimër të sigurt”.

Ai thekson se për një fushatë publike të suksesshme vendimtare janë dy gjëra – komunikimi i sinqertë me qytetarët dhe mirëkuptimi nga institucionet se në këtë proces duhet të veprojnë së bashku dhe se ato duhet të jenë shembull për qytetarët.

“Është mirë që të dëgjohet një ton qetësues, të flitet për efekte pozitive, megjithatë gjëja më e rëndësishme është të thuhet e vërteta”, thotë Kordallov dhe shton se temat për atë se si nuk do të ketë energji elektrike, që do të kushtojë shumë dhe se do ketë probleme me energjensët janë lakuar nëpër media që nga mesi i vitit të kaluar, por atëkohë institucionet thoshin „Mos u shqetësoni, nuk ka për të ndodhur gjë”.

Rryma, energji elektrike, institucione, foto: Meta.mk
Fasadat e ndërtesave publike në qendër të Shkupit janë pjesërisht në errësirë, foto: Meta.mk

Kordallov thotë se që fushata për kursimin e energjisë të jetë efikase, së pari duhet që të gjitha institucionet të dalin dhe të parët të tregojnë se sa kursim kanë arritur të bëjnë për çdo muaj.
Fushata publike për kursimin e energjisë është e nevojshme, por vetëm nëse ajo ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit në mënyrë që secili prej nesh të dijë pse kursejmë energjinë elektrike.

“Pse e ndezim llambën më pak se zakonisht, dhe ajo që është më e rëndësishme, sa pritet të zgjasë kjo gjendje?” Cili është përfitimi edhe për buxhetin personal, por edhe për buxhetin e shtetit, gjegjësisht për buxhetin e përbashkët?”, thotë Kordallov në lidhje me elementet që mungojnë në komunikimin mes institucioneve dhe publikut.

Ai shton se në një vend si i yni, ku varfëria dhe pamundësia për të paguar edhe faturat dhe për të mbijetuar është e lartë, qytetarët kursejnë shumë dhe nuk është e drejtë të kërkosh të kursejnë edhe më shumë kur këta individë tashmë e bëjnë këtë, por duhet që vetë institucionet t’i përveshin mëngët dhe të thonë se si do të kursejnë energjinë, por edhe si do t’i ulin edhe shpenzimet e tjera.

“Masat të cilat miratohen gjatë krizave janë masa nacionale. Duhet ta kuptojmë se ata miratohen në interes të gjithë vendit, të gjithë qytetarëve. Mënyra e keqe ose jo gjithmonë e drejtë e komunikimit në kushte të krizave gjithmonë shkakton, do thosha, mosmarrëveshje, mosbesim, madje edhe dyshim mes pushtetit dhe qytetarëve“, thotë Kordallov.

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRrE) për Meta.mk thonë se ngritja e vetëdijes për nevojën e sjelljes së përgjegjshme ndaj energjisë po fiton rëndësi në raport të drejtë me informacionin se situata energjetike në Evropë po bëhet delikate.

“Rikujtojmë se ulja e temperaturës qoftë edhe vetëm për një shkallë mundëson kursim prej 5 përqind të energjensëve”, thonë nga KRrE.

Ata thonë se sido që të jetë do të komunikojnë me publikun dhe mediat për nevojën e kursimit të energjisë elektrike dhe përdorimin racional të energjisë si imperativ.

“Me buxhetin që e ka në dispozicion KRrE nuk janë planifikuar aktivitete mediatike në formë të reklamave, por ne mbetemi të hapur dhe transparent përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me mediat dhe publikun për të shpjeguar seriozitetin e hartës energjetike të BE-së, e cila nuk na anashkalon edhe ne”, shtojnë nga Komisioni Rregullator.

Sipas Komisionit Rregullator një sinjal i drejtpërdrejtë se duhet kursyer energjia elektrike është reforma që ata vendosën këtë verë me zbatimin e bllok tarifave.

“Duke pasur parasysh se zbatimi i tyre filloi në periudhën e verës dhe kanë kaluar tre muaj, efektet e zbatimit të tyre do shihen në muajt deri në fund të vitit“, sqarojnë nga KRrE.

Sa i përket komunikimit më efektiv të rekomandimeve për kursimin e energjisë në muajt e ardhshëm, nga EVN Maqedoni për Meta.mk thonë se shfrytëzuesit e energjisë elektrike po përballen me më shumë ndryshime për të cilat duhet të informohen dhe edukohen.

Për shkak të mënyrës së re të llogaritjes dhe tarifimit të çmimit të konsumit të energjisë elektrike që filloi më 1 korrik, ka ndryshuar tërësisht pamja e faturave mujore të energjisë elektrike që arrijnë tek qytetarët.

“Në fazën e parë ishte e nevojshme të shfrytëzuesit të informohen për pamjen e re të faturave dhe implikimet si pasojë e ndryshimit të sistemit të tarifimit“, thonë nga EVN Maqedoni dhe shtojnë se shfrytëzuesit tashmë kanë një qasje transparente në të gjithë strukturën e përgjithshme të faturave të energjisë elektrike.

Në faturën e energjisë elektrike, llogaritjet për energjinë e konsumuar dhe kompensimin për shfrytëzimin e sistemit të distribuimit janë paraqitur veçmas, ndërkohë që energjia elektrike e konsumuar është e ndarë në tarifë të lartë dhe tarifë të lirë. Në faturat familjare, e gjithë sasia e energjisë elektrike e konsumuar me tarifë të lartë ndahet në blloqe konsumi, ndërsa çdo bllok ka një çmim të ndryshëm.

“Me afrimin e sezonit të ngrohjes, shtohen sfidat dhe bëjmë plan që të përforcojmë edukimin e shfrytëzuesve për kursimin e energjisë. Deri më tani EVN ka realizuar një sërë fushatash për edukimin e shfrytëzuesve për kursimin e energjisë, individualisht dhe në bashkëpunim me institucionet“, sqarojnë nga EVN Maqedoni.

Ata thonë se kanë zbatuar një projekt 10-vjeçar për edukimin e më të vegjëlve për kursimin e energjisë, i cili ka përfshirë mbi 35 mijë fëmijë nga të gjitha shkollat e vendit. Nëpërmjet projektit „Matematika e Energjisë”, përmes një faqeje të veçantë në Facebook qytetarët mund t’i ndjekin këshillat e reja të kursimit, ndërsa disa nga episodet transmetohen edhe në media.

Nga EVN Maqedoni njoftojnë publikimin e përmbajtjeve të reja edukative për kursimin e energjisë, që do të jenë të dedikuar për publikun e gjerë dhe do të përfshihen të gjitha mediat nëpërmjet të cilave mund të arrihet deri te përdoruesit – si ato digjitale ashtu edhe ato tradicionale.

Meta.mk u drejtua me pyetje edhe te Ministria e Ekonomisë edhe te Sh.A. Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut (ESM) nëse dhe çfarë lloj fushate dhe aktivitetesh për komunikim më të mirë me publikun planifikojnë të ndërmarrin në drejtim të kursimit të energjisë elektrike, gjegjësisht për nevojën për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe kompanive për këtë temë. Edhe pse gjatë dy javëve të fundit këto pyetje i kemi dërguar tre herë, përgjigje ende nuk kemi marrë.

Ministri Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pardje informoi se institucionet shtetërore kanë kursyer gjithsej 20% rrymë elektrike në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar. Të dhënat që i publikoi ministri Bekteshi janë për shpenzimin e rrymës elektrike në ministri, njësi të zonës, Qeveri, gjykata, Kuvend, Presidencë, ELEM, MEPSO, komuna dhe ndërmarrje shtetërore.

Megjithatë,  Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka harxhuar madje 79% më shumë se sa në shtatorin e vitit të kaluar. Obligimin për kursim të rrymës elektrike prej të paktën 15%, gjatë shtatorit nuk e ka plotësuar as Ministria e Mbrojtjes e cila ka kursyer vetëm 6%. Ministria e Punëve të Jashtme ka kursyer vetëm 8%, Ministria e Punëve të Brendshme 10%, Ministria e Arsimit 11%, ndërkaq Ministria e Drejtësisë 12%.

Kursimi te ndërmarrjet në pronësi shtetërore arrin në 8%, ndërkaq në shtator të vitit 2022, 25 komuna nuk e kanë arritur normën e duhur për kursim. Më së shumti nuk e kanë respektuar normën, Komuna e Haraçinës, Gostivarit dhe Sveti Nikole.

“Dëshiroj të apeloj deri te të gjithë se gjendja në sektorin energjetik jo vetëm në Maqedoni, por në tërë Evropën nuk është shaka”, porositi ministri Bekteshi.

Një pjesë e komunave të Shkupit e reduktuan ndriçimin e rrugëve; Foto: Meta.mk

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i SH.A. ESM Vasko Kovaçevski më 16 gusht të këtij viti shpalosën rekomandimet dhe masat për kursimin e energjisë nga amvisëritë dhe kompanitë, si dhe detyrat për kursimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes që u miratuan në seancë qeveritare. Që atëherë nga Qeveria bënë me dije se këtë vit do të kalojmë një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik.

Sipas komunikologut Bojan Kordallov, Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha institucionet e tjera në nivel shtetëror dhe lokal duhet të japin shembull dhe që me faturën e energjisë elektrike për muajin tetor të tregojnë se sa më pak energji kanë konsumuar në krahasim me tetorin e vitit të kaluar.

“Dhe kjo është mënyra që do e bëjë secilin nga ne të thotë: „Aha, nga lart, pra prej atje ku operohen paratë e mia, ka filluar ndryshimi dhe është dhënë impulsi i parë. Kjo është një shenjë se ne jemi aleatë në këtë proces në të cilin duhet të kursejmë të gjithë”. Kjo duhet bërë që të mos na ndodhë ajo që po na ndodh në Facebook dhe Twitter tani”, thotë Kordallov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button