Kurti pas takimit me Escobarin: Jemi të gatshëm për marrëveshje me Serbinë me njohjen reciproke në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për një marrëveshje me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurti i cili e priti Escobarin në Qeverinë e Kosovës, tha se me të diskutuan për partneritetin midis dy vendeve, progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin me krizën energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë procesin e dialogut dhe rrugën përpara.

Ai tha se përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që jep Kosova, “është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”.

“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e SHBA-së për procesin e dialogut. Me SHBA-në jemi aleat në vlera dhe partner në qëllime”, theksoi Kurti.

Kurti tha se rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar me sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetja ndaj Ukrainës përbën dallimin e Kosovës “me ata që nuk u rreshtuan si duket në anën e të vërtetës dhe të drejtës”.

Përfaqësuesi special Escobar tha se partneriteti i SHBA-së me Kosovën është një partneritet i palëkundur.

Escobar theksoi sërish se SHBA-ja e përkrahë Kosovën në gjitha aspiratat e saj euroatlantike dhe do të shohin për mundësinë për të pasur partneritet me Kosovën për ta mundësuar një gjë të tillë.

“Diskutuam për çështjet e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu Kosovë-Serbi, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj dhe atë se sa është e rëndësishme që të rreshtoheni me vlerat evropiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin evropian”, tha ai.

Përfaqësuesi i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Escobar para takimit me kryeministrin Kurti është takuar edhe me presidenten Osmani ndërsa gjatë ditës do të takohet edhe me krerë të partive opozitare.

Vizita e Escobarit pason atë të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që zhvilloi takime zyrtare në Prishtinë javën e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button