Ditët e Filmit Gjerman zbarkuan në qendrën “LOJA” në Tetovë (VIDEO)

Adhuruesit e filmave në Tetovë këto ditë e kanë shansin të shohin filma gjerman pasi nga dje në hapësirat e Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik “LOJA” filluan Ditët e Filmit Gjerman. Organizatorët thonë se filmat nuk duhen lënë pa u parë, shkruan Portalb.mk.

Hapja u bë me filmin “Unë jam njeriu yt” apo në origjinal Ich bin Dein Mensch”.

Ceremonia e hapjes s u bë nga shefi i departamentit të kulturës dhe shtypit në Ambasadën e Gjermanisë në vend, Florian Trager-Steintje.

“Falënderim të madh për LOJËN për bashkëpunimin e besueshëm dhe mundësinë për të shfaqur filmat. Filmat e këtij viti variojnë nga tema gazmore deri te ato serioze2, deklaroi Trager-Steintje.

Drejtori i “LOJA”-s, Bujar Luma theksoi se ky event është pjesë e aktiviteteve kulturore të cilat do të realizohen nga ata prej shtatë javë e gjysmë në Tetovë, Maqedoni dhe jashtë vendit.

“Deri me datë 21 do të kemi projeksione filmash çdo ditë nga ora 19:00, përveç ditës së fundit me datë 21 ku do të kemi projeksion shtesë nga ora 17:30 me filma dokumentar dhe të shkurtër. Domethënë do të shihni prurjet e fundit të produksionit gjerman, filmat janë në gjuhën gjermane me përkthim në shqip dhe maqedonisht, janë të përshtatshme për publikun. Ka nga  të gjitha zhanret, sonte (dje) është një film artistik, nesër (sot) do jetë komedi, do ketë filma të shkurtër, dokumentar. ”, tha Luma.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai shton se dymbëdhjetë vitet e fundit kur edhe ata e kanë filluar këtë aktivitet, filmi gjerman nuk është film siç jemi mësuar ta shohim vetëm që të komunikojë me publikun, por është i vendosur në kontekst, ndërvepron me kontekstin politik, social, kulturor dhe më gjerë.

Për adhuruesit e filmit Luma thotë se nuk duhet t’i humbasin filmat.

“Janë filma fantastik, filma që nuk mund t’i gjeni në kinema, të paktën jo këtu në Maqedoni. Janë filma të cilët me të vërtetë për aq kohë sa do t’i shihni do të ju zhvendosin në një dimension tjetër, ju bëjnë të reflektoni, është një mundësi që nuk duhet humbur, është një kinema e vogël, simpatike, ka njerëz me të cilët pastaj edhe mund të ndani mendimet për filmin. Është një diçka që nuk duhet ta humbisni si mundësi”, theksoi Luma.

Ndryshe, Ditët e Filmit Gjerman organizohen në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në vend, ndërsa përveç Tetovës mbahen edhe në në Shkup, Strumicë dhe Kriva Pallankë. Ambasadorja Holstein hapi Ditët e Filmit më datën 15 tetor, në orën 20:00 në Kinotekën në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button