Kovaçevski në Abu Dhabi: Projektet zhvillimore për infrastrukturën, agrobiznesin dhe energjinë në fokus të bisedimeve

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski ka vizituar sot Fondin për zhvillim të Abu Dhabit (ADFD), ku zhvilloi takim me drejtorin e përgjithshëm Mohamed Saif Al Suwaidi, me zëvendësin e tij Khalifa Al Kubasi dhe me anëtarët e menaxhmentit të Fondit, informuan nga Qeveria, transmeton Portalb.mk.

ADFD është një organ qeveritar dhe investitor ndërkombëtar, investimet e të cilit vlerësohen në disa miliardë dollarë dhe është i pranishëm si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi.

Në delegacionin qeveritar që viziton Abu Dabin janë ministri i financave Fatmir Besimi, për transport dhe lidhje, Blagoj Boçvarski dhe për bujqësi, pylltari dhe menaxhim me ujëra, Lupço Nikolovski.

Siç njoftoi shërbimi qeveritar për shtyp, në takim u vlerësua se ekziston një potencial i madh për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe për realizimin e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vend.

Në takim, ministrat përkatës prezantuan mundësitë për investime në vendin tonë dhe diskutuan mundësitë e bashkëpunimit për projekte të veçanta infrastrukturore, si dhe investime në fushën e agrobiznesit, energjisë diellore dhe turizmit.

“Në mënyrë shtesë, u fol edhe për fushat prioritare për investime në të cilat është fokusuar Qeveria, përveç burimeve të rinovueshme dhe realizimit të ‘Agjendës së gjelbër’, digjitalizimit, inovacioneve dhe teknologjisë moderne. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Evropa dhe bota në aspektin e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike, si dhe për mundësitë e menaxhimit dhe tejkalimit të tyre, me mendimin e përbashkët se mënyra më e mirë për tejkalimin e këtyre sfidave është realizimi i investime në infrastrukturë, si dhe në inovacione dhe teknologji të reja”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Shërbimi qeveritar për shtyp thekson se të dy palët theksuan përkushtimin e tyre për ndërtimin e një dialogu mes dy vendeve, i cili do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella. U theksua se paralelisht me marrëdhëniet politike rëndësi të madhe ka edhe intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike, shtuan nga Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button