Maqedonia e Veriut i dërgoi një notë verbale Bullgarisë për shkak të deklaratave të eurodeputetit Xhambaski

Ministria e Punëve të Jashtme kumtoi se përmes ambasadës së saj në Sofje dërgoi një notë verbale, ku shpreh pakënaqësi të skajshme për deklaratat e fundit publike të deputetit të Parlamentit Evropian dhe bashkëkryetarit të partisë politike VMRO – Lëvizja Kombëtare Bullgare (VMRO-BND), Angell Xhambaski, raportoi MIA.

“Xhambaski në disa raste shpreh pretendime irredentiste dhe territoriale ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe fyen rëndë reputacionin e përfaqësuesve të lartë shtetërorë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me kërcënime dhe fyerje të rënda, duke cenuar dinjitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj, Xhambaski sillet në kundërshtim me zotimet dhe aspiratat e shprehura në Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve”, informojnë nga MPJ.

Ministria thekson se në përputhje me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, pas këtij njoftimi, pret që kryesia shtetërore, qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë të dënojnë dhe të shkëputen nga deklaratat e Xhambaskit.

“Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme do të vlerësonte veprimet e mundshme të ndërmarra nga institucionet kompetente të Bullgarisë për marrjen e masave për parandalimin e sjelljeve të tilla dhe të ngjashme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button