Vazhdon të kanoset rreziku: Ndotja e ujërave me arsen në Llojan dhe Tabanoc nuk kontrollohet aspak

Edhe pse është zonë e kontaminuar me arsen dhe metale të tjera të rrezikshme, në Llojan dhe Tabanoc nuk kryen analiza të rregullta laboratorike për prezencën e këtyre helmeve në ujë, tokë dhe ushqim. Në deponinë tek miniera mëparshme në „Llojan” në afërsi të fshatit me të njëjtin emër janë të vendosur 15.000 tona sulfid arseni, ndërsa vetëm 100 metra më larg ndodhet shkolla fillore „Rilindja”. Në afërsi të stacionit të trenit në Tabanoc janë të vendosur edhe qindra tonelata të tjera mbeturina shtesë nga miniera, ndërsa në afërsi direkte të tyre ka shtëpi dhe ara në të cilat mbillen kultura bujqësore.

Meta.mk dhe Portalb.mk.u drejtuan pranë Institutit të Shëndetit Publik me kërkesë për informacion për rezultatet e analizave laboratorike të ujit, ushqimit dhe tokës në këto dy fshatra të rajonit të Kumanovës. Nga Instituti sqarojnë se deri tani nuk kanë kryer analiza të tokës, por janë duke kryer analiza të ushqimit dhe ujit.

Sa i përket analizave të arsenit dhe metaleve të tjera në produktet bujqësore nga Llojani dhe Tabanoci, Instituti i Shëndetit Publik deri tani nuk ka bërë hulumtim të sigurisë së ushqimit nga këto dy fshatra, por u shprehën që do kishin dashur të merrnin pjesë në një hulumtim të tillë. Thonë se deri më tani kanë bërë analiza për plumb dhe kadmium në produktet bujqësore, por të marra nga tregu dhe të cilave jo gjithmonë u dihet origjina e rajonit ku janë kultivuar.

Megjithatë, ajo që duhet të kryhet rregullisht janë analizat laboratorike të ujit nga ujësjellësit lokalë dhe puset individuale në Llojan dhe Tabanoc nga ana e Qendrës të Shëndetin Publik – Kumanovë. Mirëpo rezultate në lidhje me atë se sa është sasia e arsenit nëpër ujëra në afërsi të mjediseve të kontaminuara nuk ka sepse analiza nuk përfshin testimin për detektimin e arsenit.

„Ato (Qendra e Shëndetin Publik – Kumanovë) kanë kryer analizë mikrobiologjike dhe analizë të thjeshtë fiziko-kimike, në pajtim me programin kombëtar për shëndetin publik. Mirëpo, kjo analizë nuk përfshin edhe detektimin e arsenit, kështu që nuk kemi të dhëna për analizë të arsenit në ujë në Llojan dhe Tabanoc për vitin 2022 dhe 2021”, thonë për Meta.mk nga Instituti i Shëndetit Publik.

Nuk ka sqarim më të detajuar nga ana e autoriteteve shëndetësore se pse nuk kryhet analizë e prezencës së arsenit nëpër ujëra, edhepse prej vitesh tashmë dihet se arseni i deponuar në mënyrë jo të duhur në Llojan dhe Tabanoc është një nga pikat „e nxehta” ekologjike në vend, për të cilat edhe zyrtarisht Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit Jetësor pohojnë se mbetjet e rrezikshme duhet të pastrohen dhe të bëhet rimediim i plotësishëm i lokacioneve.

Në Rregulloren me kërkesat për siguri dhe cilësi të ujit të pijshëm është parashtruar qartë se analizat e ujërave duhet të përfshijnë zbulim jo vetëm të parametrave mikrobiologjike, por edhe të parametrave kimike, mbetjeve nga pesticidet, parametrave të detyrueshme për indikatorë dhe parametrave plotësuese për indikatorë.

Sipas kësaj rregulloreje të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, kufiri maksimal i lejuar i arsenit në ujin e pijshëm është 10 mikrogramë për litër, e ky kufizim është i rekomanduar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kështuqë, nuk është e qartë se cila është arsyeja për të cilën nuk janë bërë analiza laboratorike në dy vitet e fundit për të vërtetur se sa është sasia e arsenit në ujërat e Llojanit dhe Tabanocit.

Meta.mk dhe Portalb.mk në dhjetor të vitit të kaluar i vizituan këto dy vende, ku në bisedë me banorët na u sqarua se kanë problem me ujin e pijshëm. Edhe përkundër asaj se është ndërtuar ujësjellës deri te fshati i tyre, shumica e shtëpive ende shfrytëzojnë ujë nga puset, mirëpo ky ujë është shumë i dëmshëm, sepse i gjithë vendi është i kontaminuar me arsen dhe metale të tjera.

„Sa u përket të mbjellave, mbjellim, por nuk do të mund të kemi bereqet si duhet, nuk ka, sepse 100 hektarë prej këtu deri në Tabanoc janë të shkatërruara nga arseni, vendi është i shkatërruar, asgjë nuk ka sukses. Shumë e dëmshme për frytin. Ato (autoritetet) 20-30 vite premtojnë, por nuk bëjnë asgjë. Thonë do ta hapim sot, nesër, do ta hapim nesër por asgjë nuk bëhet, vetëm fjalë”, deklaroi një nga banorët, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Në qendër të fshatit Llojan e takuam Azir Azirin, i cili na sqaroi se me ujë më parë janë furnizuar nga lumi i fshatit, mirëpo tre persona janë helmuar me arsen. Vetë uji vjen era arsen, na tha ai.

Për gjendjen alarmante me arsenin dhe metalet e tjera të rënda të shpërndara si mbeturina në Llojan dhe Tabanoc, pas shkrimeve të Meta.mk reagoi Inspektoriati Shtetëror për Inspektim Teknik (IShIT) dhe Inspektoriati Shtetëror për Mjedisin Jetësor (IShMJ).

IShMJ edhe muajin e kaluar bëri thirrje deri te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për të gjetur mjete për remediim të të dy lokacioneve, por edhe ta rrethojë vendin sepse përreth deponisë në Llojan dhe asaj në Tabanoc lëvizin njerëz dhe kafshë. Koncesioneri i deritanishëm që duhej ta largonte arsenin nga Llojani u dënua me 1.550 euro gjobë në para nga ana e Inspektoriatit Shtetëror për Inspektim Teknik sepse nuk ka vendosur rrethim rreth deponisë së arsenit në minierën „Llojan”, e as nuk ka vendosur tabelë informative për rrezikun nga këto mbetje, si dhe as edhe shenja për paralajmërim, edhe pse në afërsi direkte ndodhet shkolla fillore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button