Punonjësit e NTP-së nesër nuk do të hyjnë në grevë, do presin rrogat deri të mërkurën

Kryesia e sindikatave përfaqësuese të NTP-së pas mbledhjes së sotme kanë vendosur që nesër të mos nisin grevë, pasi u është premtuar se do t’u paguhen pagat e prapambetura, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Ne kemi vendosur që t’i japim një shans ekipit drejtues të NTP-së për ta bërë këtë nesër. Qytetarët e qytetit të Shkupit dhe të tjerët që përdorin transportin publik, nesër do të mund të shkojnë lirshëm nga shtëpitë në vendet e tyre të punës pa asnjë ndërprerje”, tha tha Miço Stojanovski nga Sindikata e punëtorëve në komunikacionit dhe lidhjeve.

Por, siç theksoi Stojanovski, nëse deri të mërkurën nuk u paguhen rrogat, ata do të pushojnë së punuari.

Pas paralajmërimeve të grevës, menaxhmenti i NTP-së njoftoi se në ditët në vijim punëtorët do ta marrin pagën e merituar dhe qytetarët e Shkupit nuk do të mbeten pa transport publik.

“Besojmë se qeveria qendrore dhe një pjesë e komunave do të paguajnë detyrimet e papaguara që kanë për shërbimin e ofruar nga NTP për transport të organizuar për kategori të caktuara të udhëtarëve, fonde me të cilat paguhet paga e punonjësve të NTP-së. Presim që sa më shpejt t’i shlyejnë borxhet dhe detyrimet aktuale të vitit të kaluar, në mënyrë që të mos vihet në pikëpyetje puna e rregullt e kompanisë”, njoftoi menaxhmenti i NTP-së.

Stojanovski paraprakisht informoi se në NTP për një kohë shumë të gjatë është vonuar pagesa e pagave për arsye të caktuara. Siç tha ai, 35 ditë nuk e kanë marrë pagën.

“Ne në NTP i servisojmë edhe veturat e Brigadës së Zjarrfikëses së Shkupit dhe Qytetit të Shkupit. Është rritur edhe vëllimi i punës, por Qyteti i Shkupit nuk i ka përmbushur obligimet ndaj nesh në mënyrë permanente me muaj e vite. Ne i respektojmë të gjitha vendimet e Këshillit të Qytetit të Shkupit për shtimin e linjave të autobusëve, për rritjen e vëllimit të punës, dhe 60% e përdoruesve tanë janë përdorues me benefite, pensionistë, studentë dhe në fakt nuk kemi të ardhura, nuk jemi kompani fitimprurëse”, shtoi Stojanovski.

Ndryshe, Qeveria rregullisht subvencionon funksionimin e Kompanisë së Transportit Publik, e cila ofron transport falas për pensionistët, nxënësit dhe studentët.

Një nga premtimet kryesore të Arsovskës në fushatën zgjedhore ishte transporti publik falas për të gjithë. Diçka që nuk është realizuar deri më tani.

Që nga ardhja e Arsovskës në postin e kryetares së Qytetit të Shkupit, janë rifutur udhëtimet e natës për 11 linja autobusësh, të cilët ishin mbyllur si masë parandaluese për shkak të përhapjes së virusit Covid-19.

“Futja e linjave të natës është fillimi i ndryshimeve për transport më të mirë publik të qytetit, që është pjesë e programit të menaxhmentit të NtP-së dhe Qytetit të Shkupit”, njoftoi atëherë Qyteti i Shkupit.

Gjithashtu, është futur linja e re e autobusëve nga Saraji për në Radushë, si dhe nga Zhdanec përmes Trnodolit deri në “Skopje City Mall”.

Në gusht të këtij viti, Qyteti i Shkupit me ribalancimin e buxhetit refuzoi kredinë tashmë të miratuar në vlerë prej 70 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve më pas njoftoi për Meta.mk se Qyteti i Shkupit, në krye me kryetaren Danella Arsovska, për arsye të paqarta, pa arsyetim ka refuzuar zbatimin e projektit për transport të shpejtë me autobus në Shkup.

Numri i pasagjerëve në transportin publik me autobus në kryeqytet ka vite që është në rënie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button